Problemet me lejen e lëvizjes në e-Albania shkaktuan frikë dhe pasiguri te qytetarët

Prej datës 27 mars, u dha një urdhër i ri lidhur me lëvizshmërinë e personave rezidentë në Shqipëri. Me anë të atij urdhëri, Kryeministri Rama bëri me dije se qytetarët shqiptarë mund të lëvizin nga ora 5.00 deri në 13.00, nga e hëna në të shtunë, ashtu sikurse ditët e mëparshme, por duke marrë leje. Nga ky autorizim përjashtohen në formë absolute pensionistët.

Procesi i marrjes së lejes behet nëpërmjet regjistrimit të portalit shtetëror e-Albania. Aty kërkohen të dhëna personale dhe përcaktimin e një personi të familjes, i cili mund të lëvizë për të bërë pazarin apo blerë ilaçet në një ditë të caktuar. Leja lëshohet përmes e-mailit apo mesazhit dhe përfaqësuesi ka një orë kohë për të kryer veprimet.

Veç portalit e-Albania, është vendosur dhe një numër jeshil pa pagesë. Qytetarët mund të dërgojnë një mesazh tek numri 55155 duke shkruar numrin personal të mjetit të identifikimit dhe orën kur dëshirojnë të dalin për të bërë pazar apo blerë ilaçe. Forma e dytë e marrjes së lejes hyn në fuqi 24 orë më pas.

Këto masa të reja kanë shkaktuar jo pak konfuzion dhe ngatërresa tek qytetarët. Fluksi i lartë i aplikimeve ka sjellë ngarkesë të rrjetit, duke e kthyer atë në jofunksional.

Filloi të shtunën në fakt, si kalvar, pasi po mundohesha të përgatitesha për implementimin e masave të reja për lëvizjen. Duke qënë që punoj gjatë orarit të ri që është vendosur për të lëvizur, nuk mund të përfitoj nga leja personalisht, por një familjari i duhej për ditën pasi duhet të bënte pazar dhe mendova t’ia bëja nga aplikacioni dhe mund ta bëja prej e-Albania, ‘lehtësisht’, si po thuhej nga lajmet”, tregon për Citizens Channel Heldis Matja.

Të shtunën si përfundim nuk munda të bëj gjë, pasi faqja nuk ishte gati. Të dielën e provova në mëngjes sërisht procedurën nga aplikacioni, por më nxirrte gjithnjë error dhe vendosa t’ia bëja kërkesën nëpërmjet mesazhi. Tentativa e parë qe e pasuksesshme. Dhe më erdhi mesazh ku më kërkohej të përsërisja procedurën. Kjo 6 orë pasi kisha dërguar sms”, vijon më tej Matja, duke treguar se është pajisur me lejen rreth ores 23.00 të ditës së dielë.

Leje për të dalë…por në qytetin e lindjes

Problemi tjetër i marrjes së lejes lidhet me pasaportizimin dhe vendndodhjen aktuale të tyre. Shumë prej qytetarëve ngritën shqetësimin se leja u dilte në një qytet tjetër.

Ishte e frikshme, ishte panikuese. Ishte i pa menduar si shërbim, sepse unë kam pasaportizim në Fier dhe leja më dilte për në Fier, e jo se ku jetoj unë tani. Nuk gjeta asnjë zgjidhje, policia nuk dinte të më përgjigjej, Kryeministri nuk sheh probleme por sheh vetem armiq ne popullin e tij. Dhe keshtu për të mos rrezikuar nuk dola fare, ndërkohë qe ushqimet po më mbarojnë”, thotë Dritan Sakuta për Citizens Channel.

Sakuta shprehet se të dyja format nuk ishin të qarta për publikun pasi nuk ka pasur konsultim.

Nuk është aspak e qartë, ka shumë nevoja të pambuluara dhe nuk mendoj se është bërë në këshillim me qytetarët. Në të tilla raste krizash qytetarët janë të parët që këshillohen. Ndoshta në Surrel ka njerëz që kanë internet, por në një kohë kur çdo dyqan është mbyllur, ekziton mundësia që ka nga ata të cilët nuk kane akses në këto shërbime”.

Procedurat për të marrë leje u konsideruan të vështira për individë të cilët janë pak familjarë me teknologjinë dhe njëkohësisht përcaktimi i një ore për të lëvizur, sjell efektin e grumbullimit të një numri të madh njerëzish në një vend.

Mamaja ime do e kishte pasur të pamundur. Ajo s’është e rregjistruar në e-Albania dhe gjithë procçesi për të ishte tejet i vështirë. Mendoi që sms do ishte më e lehtë, por nuk kishte informacion që duhet të prisje deri në 24 orë për përgjigje. Gjithashtu dua të shtoj që fakti që lejohet veç një orë për të lëvizur është me vërtetë i rrezikshëm, pasi mbledh masa njerëzish në tregje e supermarket”, përmbyll Heldis Matja.

Qytetarë të tjerë figuronin të regjistruar në e-Albania dhe nuk mund të pajisesishin me leje, pasi kërkohej një fjalëkalim. Kjo ka shkaktuar ngatërresë të mëtejshme.

Unë nuk di të jem regjistruar më para tek e-Albania. Po tentoja të regjistrohesha dhe më kërkonte një fjalëkalim. As nuk ia kisha idenë çfarë ishte. Ndoqa disa procedura dhe më erdhi përgjigjja se fjalëkalimi u ndryshua dhe se më ishte dërguar në e-mail ai. Deri tani që flasim, nuk më ka ardhur asnjë e-mail. Është një lëmsh”, tregon një tjetër qytetare për Citizens Channel, e cila nuk dëshiron të identifikohet.

Po ka pasur edhe nga ata individë që kanë zgjedhur të dërgojnë mesazh për të marrë leje. Formati i kërkuar ka sjellë sërish ngatërresa tek ata. Vështirësitë kryesore janë hasur në përcaktimin e orës, çka ka sjellë refuzime automatike nga numri 55155.

Problemi është pranuar edhe nga kryeministri Rama. Ai ka pohuar se rrjeti është ngarkuar dhe ka sqaruar se policia do të jetë fleksibël në marrjen e masave ndaj personave që lëvizin brenda orarit 5.00-13.00.