Mjekët “përplasen” me Fondin, 18 pacientë me leucemi pa mjekim që prej shtatorit

Prej tetë muajsh, 18 pacientëve që vuajnë nga sëmundja e Leucemi Limfoide Kronike (LLC) i është ndërprerë trajtimi mjekësor me medikamentin “Ibrutinib 140 mg”. Sipas adutimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mjekët e QSUNT dhe Fondi i Detyrueshëm të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor po përplasen prej muajsh për protokollet e trajtimit.

“Kemi dy qëndrime kontradiktore, ku njëri nuk vendos afat për përdorimin e Ibrutinib, në një linjë me protokollet e praktikës klinike dhe tjetri vendos afat në përdorim nga 18-24 muaj” – citohet në raport.

Ky auditim u nis nga vetë ankesat e pacientëve, të cilët nuk kanë asnjë formë tjetër kurimi përveç “Ibrutinib 140 mg”.

Në raport citohen dy shkresa të shefit të shërbimit të Hematologjisë, njëra në shtator dhe tjetra në nëntor 2023, që i kërkon Fondit të mos ndërpresë këtë trajtim, sic edhe rekomandon FDA. Por nuk ka marrë një përgjigje pozitive dhe është vijuar me ndërprerjen e trajtimit.

Raporti rekomandon se Shefi i Shërbimit të Hematologjisë në QSUNT, të rifillojë në mënyrë të menjëhershme përdorimin e barit “Ibrutinib” bazuar në Protokollin e përdorimit të barit paragrafi “Doza dhe mënyra e përdorimit”, ku është cilësuar: “Trajtimi duhet të vijojë deri kur sëmundja të përparojë ose kur nuk tolerohet më nga ana e pacientit”.

I kontaktuar nga Citizens, shefi shërbimit të Hematologjisë, Arben Ivanaj nuk dha asnjë koment për raportin e KLSH – së.

Në korrespondencën midis Shërbimit të Hematologjisë (ShH) dhe FSDKSH(Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), drejtori i ShH i ka kërkuar FSDKSH jo vetëm zgjatjen e përdorimit të Ibrutinib në linjë të tretë mjekimi, por dhe të shtrihet si indikacion në linjë të parë të mjekimit të leucemisë limfoide kronike.

“Aktualisht janë rreth 18 të sëmurë të cilëve ju kemi ndërprerë mjekimin më këtë bar, sepse kanë kaluar dy vite nga trajtimi” – ka shkruar shefi i Shërbimit të Hematologjisë duke ju drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të FSDKSH.

Nga FSDKSH nuk është kthyer përgjigje, mbi shqyrtimin dhe analizimin e kërkesës për rishikim të Protokollit të përdorimit të barit “Ibrutinib 140 mg” në lidhje me ndryshimin e kohëzgjatjes (pa afat).

Nga grupi i auditimit u kërkua nga FSDKSH që të përllogaritej me përafërsi se sa mund të jenë shpenzimet e rimbursimit të barit Ibrutinib, nëse vazhdon trajtimi pa afat në vitin 2024.

“Mbi efektet financiare të përdorimit të Ibrutinib pa afat parashikuar për vitin 2024, nëse hyjnë në trajtim në linjë të tretë 18 pacientët që ju është ndërprerë mjekimi për shkak të tejkalimit 24 muaj të trajtimit, si dhe 62 pacientët që janë në trajtim në linjë të tretë brenda afatit 18-24 muaj, ku është parashikuar vlera e rimbursimit në shumën 570,568,320 lekë” – thuhet në raport.

Auditimi përmbyll se Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH, Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT në bashkëpunim me DSHSU, duhet të marrin masa për hartimin e një udhëzuesi mbi hartimin e protokolleve të përdorimit të barnave, nga shërbimet në spitalet universitare.