- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Personat me aftësi të kufizuar protestojnë në Durrës, bashkia iu mohon listë pagesat e pensioneve
Personat me aftësi të kufizuar protestojnë në Durrës, bashkia iu mohon listë pagesat e pensioneve
Anëtarët e shoqatës së paraplegjikëve në Durrës protestuan sot përpara bashkisë së qytetit. Ata i kërkuan institucionit t’i vërë në dispozicion listë pagesat e pensionit të invaliditetit gjatë viteve 2005-2010, nga të cilat nuk kanë arritur të përfitojnë indeksimin.
“Nga viti 2000 në të cilin u miratua statusi në parlament deri në vitin 2005, këto pagesa u indeksuan nga 68 mijë lekë shkuan 92 mijë lekë. Në 2005 u ndal indeksimi dhe për këtë shkak personat me aftësi të kufizuar që përfitojnë hapën gjyqe me avokatë”, u shpreh Sokol Murataj, kreu i Shoqatës së Para plegjikëve.
Mos-indeksimi i pensioneve ka prekur rreth 120 mijë qytetarë.
“Pesë mijë persona i janë drejtuar avokatit dhe janë fituar si çështje dhe 15 mijë çështje të tjera janë në proces, ndërsa 100 mijë çështje, pra 100 mijë persona të tjerë nuk kanë informacion që ti marrin këto pagesa përmes avokatëve”, tha Murataj për Citizens Channel.
Përfaqësues dhe kujdestar të personave me aftësi të kufizuar konfirmojnë se ndjehen të diskriminuar nga institucionet.
“Shteti kur s’paguajmë dritat ose ujin, po të ngelesh debitor, të vë gjobë, të vë kamatë vonesë kurse ne që i kërkojmë këto diferenca, vijmë nëpër zyra, na përbuzin, na ofendojnë, në mënyrë totale”, tregon Indrit Losi për Citizens Channel.
Gjatë protestës Bashkia Durrës kërkoi që një përfaqësi e shoqatës së paraplegjikëve të hynte në institucion për një takim, por kjo ishte e pamundur pasi mungonin rampat.
Më pas nënkryetari Elio Jani i komunikoi protestuesve se do të ketë një zgjidhje të problemit.
“Bashkia është njohur me problematikën e qytetarëve dhe besoj do të gjejmë një zgjidhje edhe vetë për faktin se ata janë në proces gjyqësor, ku kanë paditur bashkinë dhe palën e tretë që është ministria përkatëse”,- tha Jani.
Përveç indeksimit të mohuar ata protestuan kundër pagesave të ulëta që shteti shqiptar i jep kujdestaëve, duke privuar kështu familjarët nga një jetesë dinjitoze.
Deje Grrica, kujdestarja e invalidit Tomorr Grrica na tregon se ka vite që lufton që të marr prapambetjet e pagave.
“Ja kujdestaria është 108 mijë lekë në muaj, nuk e di sesi mund t’ia dal unë, unë kujdesem 24 në 24 për të”,- pohon ajo.
Deje Grrica e ka të pamundur të kryejë një punë të dytë dhe tani me rritjen e çmimeve situata ekonomike për të është përkeqësuar edhe më tepër.
“E patëm 110 pensionin, e uli, isha grupi dytë, e kam marr grupi parë me vendim gjykate, por nuk marr përkujdesje, s’ma japin përkujdesjen se thonë 100 pension e 100 përkujdesje, marr shumë unë, bëhem milionere”,- përfundoj një tjetër kujdestare.
Problemi i mbartur i pensioneve nxit protestat e komunitetit të personave me aftësi të kufizuar
E sotmja është protesta e dytë që mbahet përpara bashkisë Durrës për të njëjtën arsye. Në 25 janar, dhjetëra qytetarë u mblodhën për të kërkuar listë pagesat e pensioneve, duke paralajmëruar se do t’I vijonin protestat në rast të mos plotësimit të kësaj të drejte.
The post Personat me aftësi të kufizuar protestojnë në Durrës, bashkia iu mohon listë pagesat e pensioneve appeared first on Citizens.al.