- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Pedagogët i rikthehen protestave
Pedagogët i rikthehen protestave
Pas më shumë se katër muajsh nga bojkoti i pedagogëve, ata iu rikthyen ditën e sotme protestave, duke përsëritur kërkesat për paga më të larta, kushte më të mira pune si dhe më shumë buxhet për kërkim shkencor.
Pas protestave të tetorit 2022, qeveria shqiptare njoftoi një rritje page me 15% për stafin akademik, ku 8% do të mbulohej nga buxheti i shtetit ndërsa pjesa tjetër nga bordet e universiteteve.
Vendim u miratua nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës në 31 tetor 2022.
Vendimi u prit me kritika nga pedagogët edhe studentët, të cilët u shprehën se kjo do të shtonte barrën e tyre në rritjen e tarifave. Kjo pasi Ligji i Arsimit të Lartë i jep të drejtën universiteteve publike për vetë menaxhim dhe të ardhurat e universiteteve vijnë kryesisht nga tarifat e studentëve.
Pedagogët e konsideruan si të pamjaftueshme rritjen dhe vijuan me protestat deri në muajin nëntor ku paralajmëruan dhe një bojkot.
“Rikthimi i protestave dhe problematikat arsimore”
Ilda Kola, pedagoge në Universitetin Politeknik të Tiranës u shpreh për Citizens Channel se “ka mbetur veçse vjeshtën e lëvizjes universitare ta vazhdojmë me pranverën e lëvizjes universitare deri në plotësimin e kërkesave tona legjitime”.
Sipas Kolës, stafet akademike i dhanë mjaftueshëm kohë autoriteteve për të reaguar dhe plotësuar kërkesat a tyre, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Ndërkohë që për hir të studentëve dhe mbarëvajtjes së vitit akademik, ne pezulluam bojkotin e mësimit, edhe të provimeve, të cilat i kishim lajmëruar më parë”, shprehet ajo.
Një ndër kërkesat e pedagogëve ishte dhe trajtimi i ngjashëm me vendet e rajonit.
“Rroga e profesorit në Kosovë, e miratuar në Janar të këtij viti është 1302 euro, me koeficientin 12.4 që një koeficient ka 105 euro, ose në fjalë të tjera 70% e rrogës së presidentit të Kosovës”, tha Ismail Hoxha, pedagog në Universitetin Politeknik.
Protestës iu ishin bashkuan edhe studentë dhe figura të njohura publike.
Analisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja gjatë fjalës së tij solli në vëmendje largimin e studentëve, që ka sjellë si pasojë mbylljen e degëve të ndryshme universitare.
“D.m.th. fizika se s’ka nxënës, s’ka nxënës, ata ikin. Është e tmerrshme, nuk është problemi sesi ka mundësi të bësh shkolla të mesme, shkolla pa mësues fizike, pa mësues matematike, pa mësues biologjie. Kjo është gjëja më absurde që mund ti ndodh një vendi dhe vetëm në një vend anormal mundet të imagjinohet që mos të ketë mësues të tillë”, u shpreh Lubonja në fjalën e tij.
Në dy raundet e konkurrimit për këtë vit akademik, u regjistruan rreth 19 mijë studentë, një mijë më pak krahasuar me vitin paraardhës.
Degët si inxhinieria, mjekësia, juridiku dhe ekonomia mbeten më të preferuarat. Sipas INSTAT, në pesë vitet e fundit ka pasur rreth 8 mijë studentë më pak të regjistruar.
Përpos tkurrjes së universiteteve, studentët po përballen me një jetesë më të vështirë si pasojë e inflacionit. Ata i dërguan një peticion me 5 mijë firma Ministrisë së Arsimit për të përfituar ndihmën ekonomike prej 10.000 lekësh, por përgjigja që morën ishte negative.
The post Pedagogët i rikthehen protestave appeared first on Citizens.al.