Pas 5 muajsh qëndrese, Gjykata Kushtetuese pezullon ligjin për studentët e mjekësisë

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin për studentët e mjekësisë, që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri deri në pesë vite pas përfundimit të studimeve.

Gjykata pranoi kërkesën e një grupi studentësh dhe deputetësh të opozitës të dorëzuar në 19 tetor të këtij viti.

Ditën që dorëzuan padinë në Gjykatë, Avokati i studentëve, Semir Sali u shpreh para mediave se “kemi një shkelje të së drejtës për arsim dhe të së drejtës për punë, garantuar nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës . Ka një diskriminim lidhur me kushtet ekonomike. Ka një diskriminim edhe me kolegët e tyre në institucionet private”.

Ndërsa më 30 tetor, Studentët e mjekësisë morën sot mbështetje nga Rektori i Universitetit Arben Gjata, për mos paraqitjen e asnjë kontrate për t’u nënshkruar deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Prej 5 muajsh, sapo janë njoftuar me projektligjin dhe deri në miratimin e tij studentët kanë protestuar në rrugët e Tiranës dhe para Ministrisë së Arsimit kundër kësaj nisme të qeverisë. Prej nisjes zyrtarisht të vitit shkollor akademik, studentët kanë bojkotuar mësimin, ndërsa janë gjendur në protesta në rrugë. Ata e kanë cilësuar ligjin një shkelje të së drejtës për punë dhe jo mënyrën e duhur për të mbajtur në Shqipëri të rinjtë që po largohen.

Hap pas hapi, si u miratua ligji për studentët e mjekësisë?

  • Në 16 qershor studentët u prezantuan për herë të parë me faktin se do duhej të qëndronin 3 vite në Shqipëri pas studimeve.

  • Kjo deklaratë e ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi u prit me kundërshtime nga studentët, të cilët organizuan dy protesta në datën 20 dhe 23 qershor;

  • Në 5 korrik, Kryeministri Rama njoftoi se periudha e “qëndrimit të detyruar” do të shtohet nga tre në pesë vite.

  • Menjëherë më pas, studentët iu rikthyen protestave, ndërkohë që ligji shkoi menjëherë në Parlament, ku u miratua shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar.

  • Projektligji u miratua menjëherë në mbledhjen e radhës të Komisionit Parlamentar me votat e Partisë Socialiste;

  • Më 20 korrik 2023 Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 23 kundër projektligjin që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri pesë vite pas diplomimit. Studentët të cilët e kanë kundërshtuar këtë ligj qëndruan para Kuvendit në shenjë proteste deri pas mesnate. Ndërsa gjatë ditës ata protestuan duke paralajmëruar që do të bojkotojnë vitin e ardhshëm akademik.

  • Nisja e vitit të ri shkollor, më 2 tetor 2023 për studentët e mjekësisë u shoqërua me bojkot, i cili vijon edhe sot.

  • 20 tetor 2023, studentët dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese padi për pezullimin e ligjit.