Pas 21 vitesh mungesë, ribotohet guida turistike e Lezhës

Një grup studiuesish ri-botuan një guidë turistike të qarkut të Lezhës, e cila u hartua fillimisht në vitin 2002.

“Ky punim është një homazh për akademikët si Farudin Hoxha, për Moikom Zeqon, për profesorin Mahir Hotin etj.”,- tha për Citizens Channel Zef Imeraj një nga hartuesit e guidës.

Imeraj tregon se në 2002, Lezha ishte i pari qytet me një guidë të plotë turistike, që u vlerësua në “Panairin e Guidave” të Barcelonës, me çmimin Palma e Artë.

“Është një libër xhepi mbi arkeologjinë, etnografinë, mbi religjionet, një histori e jashtëzakonshme kishtare, që nga kisha e Shën Azizit dhe deri te kisha ku është mbajt Kuvendi i Arbrit që janë të përshkruara në këtë guidë, janë përshkruar gjeo – monumentet, është harta, që shumë shpejt do jetë dhe online e shume kategori të tjera”,- shpjegon Imeraj.

Sipas Imerajt, botimi i shërben të gjitha shtresave, akademikëve, studiuesve por edhe vizitorëve apo personave të interesuar.

“Elementi që futet për herë të parë është turizmi floristik”,- tha eksperti mjedisit Zef Imerja.

Kujtim Onuzi nga Shoqata e Alpeve Shqiptare dhe profesor në Institutin e Gjeo – Shkencave ka punuar për të identifikuar gjeo – monumentet në guidën turistike të Lezhës. Ai pohon se hartat në këtë botim do të ndihmojë në guidat me biçikletë apo në këmbë për vizitorët e Lezhës.

“Unë kam prodhuar gjithashtu harta për të cilat  ka interes për ecje në male, shpella apo poligone për kacavarje në nëntë rajone të zonave malore të Shqipërisë. Kur isha në Berlin pashë që në librarit atje s’kishte produkte për Shqipërinë farë dhe kështu mora spunto”,- tregon ai për Citizens Channel.

Ai tregon se pavarësisht se nevojat financiare për projekte të tilla janë shuma modeste, sërish është vështirë për të siguruar mbështetje.

“Kam punuar vetëm me projekte të financuara si p.sh. nga ADA (fondi austriak)  etj. ndërsa nga institucionet shtetërore vetëm një herë kam punuar, kur më kanë punësuar për të prodhuar një material për qarkun e Shkodrës”,- përfundon Onuzi.

Çfarë përmban guida turistike e Lezhës? 

Turizmi i aventurës – Në Lezhë ka 47 shtigje për ecje në natyrë, si edhe infrastrukturë të përshtatshme për çiklizëm, rreth 17 të tilla. Në Lezhë çdo vit zhvillohen garat Rally, një mundësi tjetër për adrenalinë.

Turizmi shëndetësor dhe ai i mirëqenies – Jodi i plazhit të Ranës së Hedhun është një nga potencialet më të rëndësishme të Turizmit Kurativ. Zona e Lezhës është e njohur gjithashtu për shumëllojshmërinë e bimëve mjekësore si sherebela, tanifere e eterovajore etj.

Turizmi bregdetar dhe i ujërave të brendshme (laguna, lumenj) – Vetëm 7 km nga qyteti i Lezhës gjendet plazhi i Shëngjinit, i cili vazhdon për kilometra të tëra drejt jugut dhe njihet si plazhi i Kunes, Vainit, i fshehur pas pishave të buta, duke përfunduar më në jug, me plazhin e Tales. Ndër plazhet më të frekuentuara përmendim: Plazhin e Shëngjinit, Rana e Hedhun (monument kulture , kategori e tretë), Rana e Vogël, Vain, Tale etj.

Turizmi kulturor – Ndër institucionet me më shumë interes për vizitorët identifikohet Muzeu Etnografik i qytetit. Veshja kalmetase dhe ajo e Pllanës janë unike dhe nuk gjenden në asnjë krahinë tjetër. Për shkak të lëvizjeve demografike të shumta në Lezhë gjenden masivisht edhe veshjet zadrimore, malësore, mirditore etj.

Në këtë guidë është përshkruar edhe veprimtaria historike e letrare e figurave të mirënjohura si : Preng Doçi, Gjergj Fishta, Ali Ulqinaku etj.