Parada e Krenarisë LGBTI vazhdon, por kësaj here online

Prej vitit 2012 muaji maj ka mobilizuar komunitetin LGBTI në Shqipëri për parakalimin kundër diskriminimit, duke bërë bashkë në një marshim personat lesbikë, gej, biseksulaë, transeksualë dhe interseks.

Edhe pse pandemia që përfshiu gjithë botën solli kushte të reja të jetesës dhe organizimeve në Shqipëri, Aleanca LGBT lajmëroi se “Parada vazhdon..”

Nga marshimi me flamujt shumëngjyrësh në rrugët e Tiranës ajo do të zhvillohet online, duke përfshirë një sërë aktivitetesh.

Parada e Krenarisë nuk është një moment në kalendar, por zemreku i një solidariteti shoqëror që nuk ka mekanizëm izolimi ta ndalojë së ecuri përpara. Parada e Krenarisë nuk është vetëm një marshim, por frymë. Atë nuk e mban gjallë numri i njerëzve që parakalojnë, por mendjet tona që kanë mundësinë ta rikrijojnë. Ndaj Pride vazhdon …”,-thuhet në faqen online të organizatorëve.

Çdo person i interesuar për tu bërë pjesë e Paradës virtuale në diskutime mbi të drejtat e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, mjafton të regjistrohet në linkun e dedikuar këtij eventi.

Më datë 15 Maj, do të realizojmë për herë të parë Paradën Virtualisht, ku do japim mesazhet dhe do ngremë zërin për të drejtat tona e të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri. Parada virtuale #PrideOn do të transmetohet në rrjetet tona sociale të Aleanca LGBT dhe Historia Ime më datë 17 Maj, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë”, – shkruhet në hapësirën e dedikuar për regjistrimin e pjesëmarrësve.

Kiara, 27-vjeçare nga Tirana, pjesë e komunitetit LGBT, tregon për Citizens Channel se është mjaft entuziaste për zhvillimin e Paradës në një vit si ky që po kalojmë, ku mundësia për tu organizuar dhe për të manifestuar në rrugë është e kufizuar.

Jam entuziaste se është një mënyrë e re e pa provuar me parë dhe mbi të gjitha për faktin se as kjo situatë pandemike mbarë boterore nuk e ndalon. Kam menduar të bëhem pjesë e goxha prej këtyre aktiviteteve”,-tregon Kiara.

Megjithatë ajo kujton gjallërinë që ky aktivitet ka sjellë çdo vit në rrugët e Tiranës.

Në fakt për këtë më vjen keq, sepse të qenurit në atë paradë, me kaq shume entuziazëm dhe adrenalinë që përcillet, është pjesa më e bukur. Ingranimi, duke parë secilin prej nesh, të luftojë për të drejtat dhe të festojë po aq bukur, në të njëjtën kohë’,-rrëfen ajo.

Parada virtuale do të sjellë aktivitete të ndryshme të bazuara në promovimin e figurave historike të figurave të komunitetit, promovimin e letërsisë për të drejtat e njeriut, performanca artistike dhe përjetime të komunitetit.

Komuniteti LGBT+ dhe izolimi nga pandemia

Kufizimet e lirisë, lëvizjes dhe aktiviteteve sollën një ndryshim rrënjësor të përditshmërisë së qytetarëve. Përpos pasojave ekonomike dhe shoqërore, ky kufizim ndër të tjera solli në vetvete edhe pasoja psikologjike dhe sociale.

Sipas psikologëve distancimi social nuk është një eksperiencë e re për komunitetin LGBT+, si një mënyrë për tu mbrojtur nga sulmet dhe dhuna gjatë jetës së përditshme.

Pjesëtarët e komunitetit LGBTI nuk janë përballur vetëm me distancim fizik gjatë jetës së tyre, por edhe me distancim social.  Shume persona shprehen se për të mbrojtur veten nga sulmet fizike, të mbajturit distancë fizike nga agresori është një mënyrë për të shmangur sulmet, goditjet, rrahjet, por një distancë të cilën dhunuesi/bulluesi nuk e respekton. Distancimi social është një tjetër koncept me të cilën komuniteti është përballur ndër vite, izolimi, mbyllja në vetvete, moskomunikimi me persona të afërt për shkak të frikës së ekspozimit të orientimit seksual/identitetit gjinor dhe për shkak të frikës së paragjykimit”,-sqaron psikologia Anxhela Ibrahimllari.

Ibrahimllari shton se karantinimi për pothuajse dy muaj, ka pasur ndikim sidomos në mirëqenien psikologjike të anëtarëve të komunitetit, duke shkaktuar ndjesi të ndryshme emocionale.

Faktorët që lidhen me COVID 19 si, frika e prekjes nga virusi, qëndrimi në shtëpi, rutina e përditshme e ndryshuar, pamundësia për të parë personat e afërt apo për të qenë në kontakt me rrethin mbështetës, pasiguria për vendin e punës, humbja e stabilitetit ekonomik dhe ankthi rreth shëndetit kanë ndikuar në gjendjen psikologjike të personave LGBTI. Personat e komunitetit pohojnë se gjatë kësaj periudhë kanë përjetuar ndjesi diskomforti, presion, ankth, zemërim, humbjen e motivimit, ndjesinë e vetmisë, konflikte me pjesëtarët e familjes, ndjesia e të qënit të pambështetur, si pasojë e izolimit fizik”,- shpjegon Ibrahimllari.

Për Kiarën, e cila para masave të marra nga qeveria shqiptare kishte një jetë aktive, në punë dhe në angazhimet shoqërore, kjo periudhë izolimi ka qenë stresuese.

E perjetova me stres të madh, pasi ishte situatë e panjohur më parë për mua, jo vetëm pjesa e virusit, por mbi të gjitha pjesa e vetë-izolimit. Fakti i të qenurit brenda 24/24 nuk do të ishte diçka aspak e shëndetshme sipas mendimit tim. Kur e kam provuar ka qenë frustruese, por jam perpjekur disi ta thyej karantinen duke marre ajër të pastër rreth shtëpisë apo në tarracë me mendimin që po ndryshoj pak ambient”,-tregon Kiara për Citizens Channel.

Megjithatë, karantinimi me partneren e saj ka qenë pozitiv, duke i dedikuar kohë marrëdhënies së tyre.

Në fakt qëndrimi në izolim me partneren time ka ndikuar pozitivisht për arsye se kemi patur të gjithë kohën në dispozicion për t’ia përkushtuar vetëm njëra tjetrës dhe ambientit në të cilin jetojmë, pa detyra apo okupime të tjera të jashtme”,-rrëfen Kiara.

Sipas psikologes Ibrahimllari, disa persona kanë zgjedhur ta kalojnë këtë periudhë me partnerët e tyre për ta menaxhuar më mirë emocionalisht, ndërsa për të tjerët, rikthimi te familjet e tyre do të thotë fshehje të orientimit seksual.

Disa persona janë detyruar të kthehen pranë familjeve të tyre për shkak të mbylljes së universiteteve apo mbylljes së punës. Për pjesën më të madhe të personave të komunitetit rikthimi dhe bashkëjetesa me familjarët e tyre shpesh herë nënkupton rrezik më të madh se sa rreziku nga COVID19. Rikthimi në familje për ta do të thotë që një pjesë të vetes ta vendosin përsëri “brenda sirtarit”, të fshehin orientimin seksual/identitetin gjinor përgjatë qëndrimit me familjen, të mos jene vetvetja, të kufizojnë lirinë e tyre edhe brenda mjedisit familjar dhe të bashkëjetojnë në një mjedis që nuk është pranues për ta. Jo në pak raste kjo çon në rritje të ekspozimit të dhunës, po ashtu edhe të ankthit dhe të depresionit”, – sqaron Ibrahimllari.

Kiara tregon se aktivitetet e organizuara online e kanë ndihmuar të socializohet me komunitetin në këtë kohë izolimi.

“Kam bërë videocall-e të shpeshta me shoqërinë time të afërt. Gjithashtu një herë në javë bëhet një takim online ndërmjet personave të komunitetit tim duke ndarë eksperiencat e javëve të kaluara, apo duke organizuar aktivitete sociale online, në qëllimin e terapisë”,- vazhdon më tej Kiara në rrëfimin e saj.

Sipas psikologes Ibrahimllari, ka persona të cilët gjatë rritjes së tyre kanë përjetuar izolim fizik, social dhe emocional lidhur me orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor dhe për këtë arsye rikthimi në izolim nënkupton edhe rikthim të ngjarjeve apo kujtimeve traumatike dhe të padëshirueshme.

Ndër të tjera, psikologia thekson se numri i personave që kërkojnë ndihmë psikologjike është rritur këtë periudhë.

“Gjatë periudhës së karantinimit dhe izolimit persona të rinj të komunitetit janë afruar për të kërkuar ndihmë. Numri i personave që kërkojnë ndihmë psikologjike është rritur, lidhur me menaxhimin e stresit, ankthit dhe shqetësimeve te tjera emocionale që përjetojnë. Është për tu vlerësuar fakti që më shumë persona të komunitetit LGBTI po e kuptojnë rëndësinë e këshillimit psikologjik, po guxojnë të kërkojnë ndihmë dhe të punojnë me veten për të menaxhuar jo vetëm situata krize por edhe për një mirëqenie më të shëndetshme psikologjike”,- përfundon Ibrahimllari.