Pallati në lulishten e Kombinatit zmbrapset nga sekuestrimi i pasurisë së kompanisë ndërtuese

Prokuroria e Tiranës urdhëroi sekuestrimin dhe bllokimin e pasurive në vlerë 50 milionë euro të 15 shoqërive tregtare dhe 10 personave.

Ndër pasuritë e listuara, për të cilat u vendos sekuestro ishte edhe pallati 7 katesh që do të ndërtohej në lulishten e Kombinatit nga kompania “Fidalba sh.p.k”.

Në maj të këtij viti banorët e rrugës “Llambi Bonata” protestuan kundër ndërtimit të pallatit. Ata deklaruan se prej më shumë se 20 vitesh kjo hapësirë publike ishte e vetmja që i kishte mbetur për të kaluar kohën e lirë si dhe për të luajtur fëmijët.

Rezistenca e banorëve kishte zmbrapsur ndërtuesit për pak kohë, mirëpo ndërsa u paraqitën sërish në terren për punimet u zmbrapsën nga vendimi i Prokurorisë.

…të gjitha të drejtat që shoqëria ka nënshkruar me pronarët e truallit për zhvillimin e pasurive, përfshirë dhe ndërtimin që do të kryhet me objekt “Godinë banimi dhe shërbimi 5 dhe 7 kate me 2 kate parkim nëntokë. Leje ndërtimi: 10/1/2024.Në pronë të: Z. Keid Kalaja & Z. Burgen Strati.Zhvillues / Ndërtues: Fidalba shpk”,- thuhet në komunikimin e Prokurorisë Tiranë.

Leja e ndërtimit të pallatit me 5 dhe 7 kate si dhe me 2 kate parkim nëntokësor është miratuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në janar të 2024-ës dhe përfitues është kompania “Fidalba shpk”, me pronar Elman Abule.

“Ky rast është përfaqësuesi më i mirë i logjikës anti-urbane dhe kriminale të dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë. Grykësia korruptive e Erion Veliajt nuk ndalet përpara asgjëje, nuk lë park a kënd lojërash në këmbë përpara interesave ekonomikë të gangsterëve dhe oligarkëve. Nga ana tjetër, dihet mirë se një pjesë e konsiderueshme e sektorit të ndërtimit në Tiranë nuk i përgjigjet nevojave të tregut apo fuqisë blerëse të qytetarëve, por shërben si lavatriçe parash të pista, si në këtë rast”,– u shpreh Lëvizja Bashkë, e cila qe në mbështetje të banorëve.

Shiko më shumë: