- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Paketa Anti-Shpifje” do të kalojë në Kuvend pa reflektuar opinionet e Komisionit të Venecias
“Paketa Anti-Shpifje” do të kalojë në Kuvend pa reflektuar opinionet e Komisionit të Venecias
Projektligji për mediat online do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë pa reflektuar opinionet e dhëna nga Komisioni i Venecias.
Ky informacion është marrë në rrugë jo zyrtare nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë në terrenin mediatik, të cilat së bashku kanë dalë me një qëndrim zyrtar.
Sipas deklaratës së organizatave, kthimi në kuvend i projektligjit për mediat online do të bëhet duke shqyrtuar dekretin e presidentit Meta dhe do të trajtojë vetëm pikat ku presidenti ka pasur vërejtje, pa shqyrtuar vërejtjet e tjera nga Komisioni i Venecias.
Pesëmbëdhjetë organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të nisë procesin nga e para duke respektuar standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes.
“Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes.”,-thuhet në deklaratë.
Organizatat i rikujtojnë Kuvendit se pika 72 e opinionit të Komisionit të Venecias rekomandon vetërregullim dhe jo rregullim administrativ.
“Në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetë rregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias“,-theksohet në deklaratë.
Çfarë rekomandoi Komisioni i Venecias për paketën “ Anti-shpifje”?
Në janar të vitit 2020, Këshilli i Evropës, i drejtoi një letër Komisionit të Venecias ku i kërkonte një opinion për “paketën antishpifje”, e cila kaloi në parlament në dhjetor të vitit 2019. Më 30 janar, në seancën e kuvendit ku pritej të miratohej kjo paketë, pa rishikuar ndryshimet e propozuara nga organizatat mediatike dhe faktorët ndërkombëtarë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, u shpreh se do të presin opinionin e Komisionit të Venecias, duke e shtyrë votimin.
Në qershor, në një dokument prej 19 faqesh, Komisioni i Venecias e konsideroi projektligjin për mediat online me efekte negative në lirinë e medias nëse do të miratohej pa ndryshimet e propozuar më pas prej tij.
Komisioni sugjeroi rishikimin e pikave, të cilat i veshin AMA-s dhe Komisionit të Ankesave fuqi dhe kompetenca edhe pse janë organe të zgjedhura nga qarqet partiake.
Një tjetër pikë që sipas Komisionit të Venecias duhet ndryshuar janë gjobat dhe e drejta për të hequr materialin nga interneti. Sipas Komisionit gjobat janë jo proporcionale duke e krahasuar me gjendjen financiare të medias.
Menjëherë pas opinion të Komisionit të Venecias, reagoi Kryeministri Rama, i cili u shpreh se sugjerimet do të reflektohen pa humbur kohë.
Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”!Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja,si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit.
— Edi Rama (@ediramaal) June 19, 2020
Deri më tani, për shkak të tërmetit dhe pandemisë, kjo çeshtje ishte lënë në hije, por me nisjen e sesionit parlamentar u rikthye sërish në diskutimin publik nga mazhoranca socialiste. Ligji i pagëzuar si “Anti-Shpifje” është konsideruar problematik në dhjetëra reagime të organizatave ndërkombëtare dhe opinionin e Komisionit të Venecias.
The post “Paketa Anti-Shpifje” do të kalojë në Kuvend pa reflektuar opinionet e Komisionit të Venecias appeared first on Citizens.al.