- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Paga në kufirin e varfërisë, punëtorët protestojnë në shesh
Paga në kufirin e varfërisë, punëtorët protestojnë në shesh
Punëtorë të fasonerisë, call-centerave, shëndetësisë, pastrimit, arsimit, naftës e minierave u bënë sot bashkë para Kryeministrisë nën thirrjen “Dinjitet në punë”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ata kërkuan kushte më të mira pune dhe ndalimin e shfrytëzimit të punëtorëve dhe mohimin e të drejtave të tyre.
“Jam punëtore e fasonerive prej 33 vjetësh dhe jam shumë e pakënaqur nga rroga mujore që marrim. Jam nënë e katër fëmijëve dhe ato pushimet e ditëve të shtuna i duam si të gjithë punëtorët e tjerë nëpër botë. Gjithmonë na kërkohet normë, sforco dhe nuk diskutohet që atyre t’ju kërkosh rritje rroge, pasi të vështirësojnë punën”,- u shpreh për Citizens një nga zonjat e pranishme në protestë.
Pagesa e ulët shpesh edhe nën pagën minimale në sektorë sikurse fasoneria dhe pastrim-gjelbërimi është një nga shqetësimet kryesore të punëtorëve.
“Punojnë gjashtë ditë në javë, nuk e marrin pagën minimale. A ka mundësi që grave t’ju ofrohet paga e denjë dhe një javë leje nga puna që të pushojnë, të heqin mendjen nga stresi dhe nga dhuna psikologjike që e ke nga fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve gjashtë ditë të javës, 12 muaj të vitit. Keni gra që nuk ju paguhet leja e lindjes. Keni gra që nuk ju paguhen raportet mjekësore. Keni gra që janë sot në gjyq për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”,- u shpreh Esmeralda Hoxha nga “Gender Alliance Albania”.
Po ashtu, punonjëset e sektorit të pastrimit ngritën shqetësimin e punës gjatë ditës së shtunë dhe pagat e ulëta, në kufirin e varfërisë.
“Jam punëtore pastrimit, 320 mijë lek kemi rrogën. Çfarë do të bëjmë, do të lajmë dritat, do të lajmë ujin, do ushqejmë kalamajtë? Ku mund të ikim ne me atë pagë? Qeveria të na rrisë rrogat, kërkojmë që të drejtat tona mos të na shkelin”-tha për Citizens një tjetër zonjë nga sektori pastrimit në qytetin e Elbasanit.
Përfaqësues të sindikatave u shprehën se kushtet e padrejta në punë kanë sjellë emigrim të fuqisë punëtore, më e mprehtë kjo mes mjekëve dhe infermierëve.
“Duhet të kemi një lloj trajtimi ndryshe me idenë për të bërë të mundur uljen e hemorragjisë që po ndodh me bluzat e bardha. Kjo hemorragji patjetër që është komplekse dhe nuk është vetëm rroga, por do të duhet që të vlerësohen edhe elementët e tjerë. Sot ka një prodhim të infermierëve në sasi dhe të mjekëve që dalin nga universiteti. Por nuk është kjo e mjaftueshme sepse mendohet që në disa prej zonave të thella mundet të mos ketë infermierë”,- tha Genti Stroni nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor:
Ndërsa punonjësit e sektorit call-center sollën në vëmendje nevojën për të miratuar statusin, me qëllim që t’ju garantojë më shumë të drejta.
“Kushtet e punës na shqetësojnë më së tepërmi. Në disa raste oraret e gjata, mbingarkesa e punës bëjnë që puna jonë të jetë shumë e vështirë. Është thelbësore që ne të punojmë së bashku, për të përmirësuar këto kushte, për të siguruar që çdo punonjës të ndjehet i vlerësuar dhe i mbështetur”, – u shpreh Ilir Xhemalaj nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë.
Mungesa e statusit për profesione të tjera u përcoll përmes megafonit edhe nga Lëvizja Bashkë, e cila prej vitesh ka ngritur zërin për miratimin e statusit të minatorëve.
“Sot ne presim të na thonë që do të jemi brezi i demokracisë. Na kanë ngujuar nëpër call centera për 5-10-15 vjet prej të cilave dalim gjysmë njerëz dhe me sëmundje të ndryshme profesionale. Sot në Shqipëri kanë status profesional edhe punëtorët e shërbimit informativ, pra ata që në zhargon quhen spiunë. Ndërsa punëtorë të nëntokës, minatorë, naftëtarë, mësues, policë që rrinë këtu në diell nga 10 orë nuk ju njihet absolutisht as edhe një lloj e drejte”,- tha Klodi Leka, aktivist i Lëvizjes Bashkë.
Edhe ky 1 Maj i gjeti punëtorët me të drejta të munguara dhe ende në kërkim të kushteve të sigurisë në vendin e punës.
Vetëm përgjatë vitit 2023 u regjistruan 168 aksidente në punë, 30 raste të cilat ishin me humbje të jetës.
Sipas raportit të Inspektoriatit Shtetëror të Punës shkeljet kryesore janë puna në të zezë, mungesa e kontratave të punës, mospagesa për punën e kryer në ditët e festave zyrtare, ditët e pushimit javor si dhe puna e kryer me orare shtesë.
The post Paga në kufirin e varfërisë, punëtorët protestojnë në shesh appeared first on Citizens.al.