Organizatat ndërkombëtare të medias dënojnë urdhrin e Prokurorisë: “Cënon lirinë e medias”

Urdhri i Prokurorisë për të ndaluar gazetarët të publikojnë të dhënat e hakuara, është kritikuar nga tetë organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së medias dhe gazetarëve.

Organizatat kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes një letre, duke shtuar se “asnjë gazetar apo media nuk duhet të përballet me sanksione penale për publikimin e informacionit në interes të publikut”.

Ato e kanë cilësuar urdhrin si cenim të fjalës së lirë. Teksa dënojnë urdhrin e Prokurorisë, organizatat i bëjnë thirrje gazetarëve dhe mediave të “trajtojnë materialin në mënyrë rigoroze etike dhe të përgjegjshme”.

“Është jetike që autoritetet shqiptare të vazhdojnë me kujdes dhe konsideratë të plotë për liritë e gazetarisë të mbrojtura si nga ligjet vendase ashtu edhe ato ndërkombëtare”, thuhet në letër.

 #MFRR & @AlbJournalists express concern over the blanket publication ban issued by Albanian authorities regarding a trove of hacked data, and stress that no journalist should face criminal sanctions for publishing information in the public interest.https://t.co/0Ks26RyNDv

— Media Freedom Rapid Response (MFRR) (@MediaFreedomEU) September 23, 2022

Letra është koordinuar nga Qendra Evropiane për Lirinë ë Shtypit dhe Medias (ECPMF), si pjesë e mekanizmit të “Përgjigjes së Shpejtë mbi Lirinë e Medias” (MFRR) dhe firmosur nga gjashtë organizata të tjera ndërkombëtare “Artikulli 19”, “Federata Evropiane e Gazetarëve” (EFJ), “Free Press Unlimited” (FPU), “Instituti Ndërkombëtar i Shtypit” (IPI),  “Observatori i Ballkanit dhe Kaukazit Transeuropian” (OBCT), “Organizata e Mediave të Evropës Juglindore” (SEEMO), Rrjeti “Safe Journalists”.

Organizatat sugjerojnë që media të verifikojë dhe trajtojë me profesionalizëm raportimin e të dhënave.

“Gazetarët kanë përgjegjësinë të vlerësojnë vërtetësinë dhe natyrën e interesit publik të informacionit të rrjedhur, si dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar për çështje të rëndësishme”, thuhet më tej në letër.

Përgjigjen e Prokurorisë, organizatat e cilësojnë si të njëanshme duke cilësuar se “ngre shqetësime serioze për shkelje të pajustifikuara të lirisë së shtypit, e cila tashmë është në qendër të vëmendjes në Shqipëri”.

Urdhri i Prokurorisë, i komunikuar po ashtu dhe nga policia, njoftonte gazetarët se në rast moszbtimi do të kishte penalizime deri në ndjekje penale.

Për organizatat e lirisë së medias “kërcënimet për hetime penale dhe bllokimi i faqeve të internetit do të kenë ndërkohë një efekt censurues në raportim dhe mund të hapin derën për kriminalizimin e veprimtarisë legjitime gazetareske”.

Ato shtojnë se asnjë gazetar, redaktor apo botues në Shqipëri nuk duhet të ndiqet penalisht për publikimin e informacionit të saktë mbi një çështje me interes publik.

Së fundmi përmes letrës ato i bëjnë thirrje autoriteteve hetuese dhe qeveritare në Shqipëri të shmangin marrjen e çdo hapi të mëtejshëm që cenon ushtrimin e gazetarisë së përgjegjshme ose rrezikon lirinë e gazetarëve.

Çfarë është “Media Freedom Rapid Response”?

Organizata nënshkruese të deklaratës, “ARTICLE 19”, “European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)”, “European Federation of Journalists (EFJ), “Free Press Unlimited (FPU)”, “International Press Institute (IPI)”, “OBC Transeuropa (OBCT)”, janë pjesë e një nisem të quajtur “Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias”, një mekanizëm në mbarë Evropën i cili gjurmon, monitoron dhe u përgjigjet shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në Shtetet Anëtare të BE-së dhe Vendet Kandidate.

“Sulmet kibernetike dhe të dhënat”

Të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë janë sulmuar 6 herë përgjatë 14 muajve të fundit. Databaza të ndryshme të dhënash u bënë të aksesueshne nga të gjithë. Të dhënat personale të mijëra qytetarëve si ID, numër telefoni, adresë, vend pune dhe rroga, u shpërndan përmes WhatsApp-it.

Më tej u sulmuan sisteme qeveritare si portali e-Albania e së fundmi TIMS. Por urdhri i Prokurorisë erdhi pas publikimit të email-eve të ish drejtorit të Policisë Gledis Nano.

Në një artikull të mëparshëm, Citizens Channel komunikoi me gazetarë, të cilët e konsideruan urdhrin jo të drejtë dhe të paqartë. Sipas tyre urdhri nuk specifikonte se për cilat të dhëna bëhej fjalë.

Sakaq, gazetarët mendojnë se të dhënat me interes publik duhen publikuar duke ruajtur palët e treta të përfshira.

Sulmet kibernetike sipas një hulumtimi të Microsoft kanë ardhur nga Irani dhe sipas të dhënave hallka më e dobët që ata kanë gjetur ishte administrata.al.