Organizatat kërkojnë nga Parlamenti Britanik të mos rendisë Shqipërinë në listën e “vendeve të sigurta”

Dhjetëra organizata dhe grupe advokuese për të drejtat e njeriut në Mbretërinë e Bashkuar përmes një letre të hapur i kanë kërkuar Parlamentit Britanik të mos miratojë një ndryshim ligjor të propozuar nga qeveria britanike që tenton që zgjidhë problemin e azilkërkuesve shqiptarë.

Amendamenti 128A, i propozuar nga Baronesha Lister dhe Lordi Cashman është një projektligj, i cili synon ta klasifikojë Shqipërinë në listën e ‘vendeve të sigurta’, e si rrjedhojë qytetarët e këtij vendi mund të kthehen në shtëpi, duke përjashtuar mundësinë për klasifikimin e tyre për azil.

Sipas organizatave nënshkruese të letrës publike, përfshirja e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta është një gabim, pasi nuk i përmbush standardet.

“Përcaktimi i një shteti si një “vend i sigurt” kërkon konfirmimin se “në përgjithësi në shtet nuk ekziston asnjë rrezik serioz i persekutimit të shtetasve të atij shteti”. Fatkeqësisht, Shqipëria nuk e plotëson këtë kriter. Vendi përballet me çështje të rënda si korrupsioni, trafikimi i qenieve njerëzore, dhuna e lidhur me bandat dhe diskriminimi ndaj komuniteteve të ndryshme duke përfshirë komunitetet LGBTQIJ, rom dhe egjiptian. Dështimi i vazhdueshëm i qeverisë shqiptare për të trajtuar në mënyrë efektive këto çështje është shqetësues”,-thuhet në letrën e hapur të organizatave.

Po ashtu organizatat theksojnë se shkalla e pranimit të kërkesave për azil për shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar tregon që nuk përmbush standardin për t’u quajtur vend i sigurt.

“Në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar u dha statusin e mbrojtjes më shumë se 650 shtetasve shqiptarë, duke përfshirë mbi 60 fëmijë të pashoqëruar. Për më tepër, i njëjti vit dëshmoi një shkallë suksesi prej 57% për ankesat e bëra nga shqiptarët në gjykatën e nivelit të parë për kërkesat e tyre për azil”.

Sipas organizatave, nga puna që ato kryejnë me azilkërkuesit shqiptarë dhe viktimat e trafikimit duke ofruar shërbime mbështetëse profesionale, ekziston një frikë e komunitetit azilkërkues shqiptar.

“Këta individë, të cilët janë jashtëzakonisht të cenueshëm, shpesh mbeten të panjohur si të tillë nga shoqëria në përgjithësi. Kjo vetëm sa përkeqësohet nga tregimet mbizotëruese të kriminalitetit dhe abuzimit të sistemit të azilit që po nxisin një racizëm të fuqishëm”,-thuhet në letër.

Organizatat kanë kërkuar nga deputetët e Parlamentit Britanik ta marrin në konsideratë rëndësinë e kësaj çështjeje. Ndërsa theksojnë se përfshirja e Shqipërisë në vendet e sigurta, sipas organizatave, do ta rendiste vendin tonë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me Zvicrën, “duke rrezikuar detyrimet tona ligjore ndërkombëtare dhe të brendshme”.

“Vala e emigrimit”

Shqipëria është prekur së fundmi nga një valë e lartë emigracioni, e krahasuar nga ekspertët me me atë të viteve ’90. Kjo valë është shoqëruar si me emigrimin e paligjshëm, por edhe me atë që njihet si “ikja e trurit”, pra largimi i të rinjve që kane përfunduar studimet në Shqipëri.

Britania e Madhe është një nga destinacionet më të kërkuara nga emigrantët shqiptarë. Sipas të dhënave të Zyrës së Emigracionit në Britaninë e Madhe, numri i aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptar në 2022 ishte 15,925. Kjo është shifra më e lartë e azilkërkuesve sipas të dhënave që nga viti 2001.

Sipas BBC-së, në vitin 2022, 12 mijë shqiptarë kaluan kanalin e La Manshit. Nga këta 10 mijë ishin djem të rinj, shifër kjo e cila sipas Instat përbën 1% të krahut të punës në Shqipëri.

Citizens Channel ka realizuar një cikël rrëfimesh që sjellin plagën e emigrimit përmes videove dhe podkasteve.

“Pezull” është një seri videosh dhe podkastesh e prodhuar nga Citizens Channel që hedh dritë mbi pasojat e fenomenit të emigrimit ilegal dhe masiv të shqiptarëve. Përmes tyre rrëfehen historitë e njerëzve që ndërmarrin udhëtime të rrezikshme të emigrimit të paligjshëm, të nxitur nga problemet e thella sociale dhe ekonomike që hasen veçanërisht në zonat periferike të vendit.

“I ngecur… mes rrugëve të emigrimit të paligjshëm”

Mungesa e perspektivës, kushtet ekonomike dhe dëshira për të qenë afër miqve dhe familjarëve e shtynë Gjergjin që të braktisë shkollën dhe të emigrojë. Ai është 23 vjeç, ka lindur në Dibër dhe aktualisht jeton në Kamëz. Në tre vitet e fundit, ai ka tentuar të gjitha mënyrat për të mbërritur ilegalisht në Angli.

“Tranzit, jeta përballë kufirit të ndaluar”

Florini ishte 16 vjeç kur braktisi shkollën dhe vendin e tij për të shkuar në Britaninë e Madhe. Edhe pse minoren, vështirësitë ekonomike të familjes përgjegjësia për t’i parë familjarët më mirë, mori një rrugë aspak të lehtë, duke kaluar nga Italia në Francë me qëllimin përfundimtar Anglinë.

“I rikthyeri… i huaj në vend të vet”

Fatlumi është një djalë i ri me origjinë nga Kukësi. Ai është kthyer nga Britania e Madhe me vullnetin e tij, por tashmë sërish është me sytë drejt migrimit. Fatlumi provoi të përshtatej me realitetin shqiptar, por sërish ndjehet i huaj në vendin e tij.