Organizatat kërkojnë hetim dhe zbardhje të vrasjes së kenianes Joyce Aoko

Një grup organizatash i kërkuan institucioneve të hetojnë dhe të zbardhin vdekjen e shtetases keniane Joyce Aoko Achieng.

Kërkojmë që pyetja e nënës së Xhoit: “Kush janë përgjegjësit që dhunuan në mënyrë ekstreme vajzën e saj” të marrë një përgjigje sa më parë”, – shkruhet në deklaratën e përbashkët të organizatave.

Letra i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Komisionerit për mbrojtjen nga Diskriminimi që të marrin masa efektive, të hetohet çështja dhe të informohet publiku si dhe familjarët e të ndjerës mbi veprimet procedurialo-penale të ndërmarra në të gjitha fazat e hetimit mbi vrasjen e Joyce Aoko Achieng.

Çdo vonesë në hetimin e rastit do të thotë dhunues të lirë që i shmangen drejtësisë përpara ligjit”, – mbyllet deklarata publike e organizatave të shoqërisë civile.

22-vjeçarja keniane u gjet e dhunuar poshtë pallatit ku ajo banonte dhe më pas qëndroi e shtruar për disa muaj në spitalin e traumës në Tiranë, në gjendje kome. Në 25 janar Joyce Aoko Achieng u largua për t’u trajtuar në Kenia dhe në 13 shkurt vdiq.

Policia e Tiranës reagoi tre muaj me vonesë për ngjarjen, vetëm pasi ajo u bë publike në televizionet kombëtare.

Pak ditë më parë Kolektivi Feminist protestoi para Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mungesën e hetimeve ndaj vdekjes së 22-vjeçares keniane Joyce Ayoko Abongo. Aktivistet denoncuan mos raportimin e ngjarjes dhe indiferencën e organeve hetimore.