- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Opinioni final i “Venecias” rrëzon paketën “Anti-Shpifje”
Opinioni final i “Venecias” rrëzon paketën “Anti-Shpifje”
Komisioni i Venecias ka rrëzuar “Paketën Anti-Shpifje”. Në dokumentin përfundimtar prej 19 faqesh, shtjellohet në bazë ligjore efekti negativ që do të ketë ky ligj në lirinë e medias në rast se kalohet në variantin aktual.
Në këtë raport theksohet se miratimi i pandryshuar i këtij ligji do të ketë efekt frikësues dhe do të krijojë censurë në debatin e lirë dhe atë politik në internet.
Pikat kryesore të cilat duhen rishikuar lidhen me fuqinë që i vesh ai AMA-s dhe komisionit të ankesave. Kompetencat nuk duhet t’u besohen derisa të garantohet liria e tyre nga partite politike, bizneset dhe koorporatat e tjera, thekson Komisioni i Venecias, duke pohuar se anëtarët e AMA-s kanë lidhje të qarta me politikën.
Një tjetër aspekt që duhet ndryshuar, sipas Venecias, janë gjobat dhe e drejta për të hequr materialin nga interneti. Duke kërkuar që të merret parasysh gjendja financiare e medias, Komisioni i Venecias thekson se këto gjoba janë joproporcionale.
Kryeministri Rama ka reaguar në Twitter. Me anë të një postimi, ai ka shprehur mirënjohjen për opinionin e bërë dhe është shprehur se sugjerimet do të reflektohen pa humbur kohë në Kuvend.
Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”!Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja,si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit.
— Edi Rama (@ediramaal) June 19, 2020
Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF) e ka konsideruar fitore të madhe opinionin përfundimtar të Venecias, ku theksohet se “Paketa Anti-Shpifje” nuk është gati të kalojë.
ECPMF i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama të implementojë rekomandimet dhe këtë proces ta kryejë në transparencë të plotë me gazetarët dhe shoqërinë civile, duke respektuar kështu standardet ndërkombëtare.
“Paketa anti-shpifje” dhe debatet që përfshinë median
Nisma e qeverisë shqiptare për ndryshime në ligjin për “Mediat Audiovizie” ka filluar më 17 dhjetor 2018, me prezantimin e dy projektligjeve të cilat synojnë të rregullojnë median në aspektin e regjistrimit dhe etikës e saj. Projektligjet kanë të bëjnë me “rregullimin” e medias online në dy aspekte: regjistrimi i çdo subjekti mediatik që funksionon online pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit nga AKEP si dhe monitorimi i përmbajtjes që shfaqet në median online nëpërmjet një organi të posaçëm të quajtur “Këshilli i Etikës” pranë Autoritetit të Medias Audiovizive.
Projektligjet për median janë shoqëruar me debate në opinionin publik shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar, ku organizatat e medias vendase dhe të huaja janë shprehur kundër, duke i konsideruar projektligjetsi cënuese të fjalës së lirë dhe larg standardeve ndërkombëtare.
Paketa “Antishpifje” u dërgua pranë Komisionit të Venecias nga Këshilli i Evropës, pas vendimit të parlamentit për t’i kthyer Presidentit Meta dekretin e tij pa rishikuar ndryshimet e propozuara.
Në 30 janar, maxhoranca vendosi në seancën e kuvendit të shtyjë votimin e kësaj pakete, me qëllim pritjen e reagimit dhe opinionit nga Komisioni i Venecias.
The post Opinioni final i “Venecias” rrëzon paketën “Anti-Shpifje” appeared first on Citizens.al.