- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- OBSH: “Në Shqipëri funksionojnë pajisje shëndetësore që prej vitit 1918”
OBSH: “Në Shqipëri funksionojnë pajisje shëndetësore që prej vitit 1918”
“Një qendër shëndetësore kishte në funksion një makinë me rreze X nga viti 1918 që meriton një vend në muze. “
Ky është një nga konstatimet e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një raport të titulluar “Kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri: vlerësim i shpejtë”. Një grup ekspertësh të kujdesit shëndetësor, përfaqësues të OBSH-së, kanë vizituar vendin nga 15 deri në 18 janar 2018, ku perveç takimeve me përfaqësues e specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, kanë kryer dhe vëzhgime në terren në qendrat shëndetësore.
Sipas raportit, qendrat shëndetësore kanë një mungesë të konsiderueshme të pajisjeve diagnostikuese dhe trajtuese dhe asnjë listë standarde të pajisjeve. Raporti vë ne dukje se në qendrat shëndetësore të vizituara gjatë misionit nuk ishin të pranishme asnjë elektrokardiograf, otoskop ose okuloskop. Raporti i OBSH-së, thekson se në vitin 2018 koha e pritjes për një takim me një mjek është e gjatë, duke u shoqëruar edhe me radhe të gjata para zyrës së mjekut.
“Shërbimet shëndetësore janë të disponueshme vetëm gjatë orarit të zyrës, të cilat ndryshojnë nga qendra në qendër në varësi të numrit të mjekëve të përgjithshëm. Distanca midis qendrave shëndetësore varion nga 10-25 km. Kjo mund të përbëjë një pengesë që popullata të shkojë në qendrat shëndetësore, por edhe për mjekët e përgjithshëm për të bërë vizita në shtëpi ose për t’u konsultuar me pacientët në ambulatoret më të largëta shëndetësore. “
Gjatë vizitave në objektet e shërbimit mjekësor, grupi i vlerësimit zbuloi se mjetet e përmirësimit të cilësisë janë zbatuar në një masë të kufizuar. Gjatë intervistave, personeli theksoi nevojën për t’u trajnuar në menaxhimin e kujdesit shëndetësor parësor. Mjekët ndajnë të njëjtën zyrë me infermierët dhe kjo sipas specialistëve krijon kufizime në veprimtarinë e të dyve dhe nuk lejon konfidencialitetin dhe rehatinë e dëshiruar për pacientët gjatë këshillimit. Raporti shton se infermierët nuk janë të përfshirë në aktivitete të pavarura.
Qendrat e vizituara nga specialistët e OBSh-së nuk kishin automjete. “Gjendja e rrugëve dhe disponueshmëria e transportit publik brenda zonave me qendrat shëndetësore ndikojnë në mundësinë e përdorimit të shërbimeve mjekësore , veçanërisht në dimër.”
Gjatë vizitave, u vërejt se ndërtesat janë kryesisht të vjetra edhe pse të mirëmbajtura. Disa ambiente janë rinovuar kohët e fundit. Disa ndërtesa tregojnë zyra të dëmtuara, me tavanin e mbuluar me myk, pa një sistem ngrohjeje dhe ventilimi.
“Zyrat ishin të vogla dhe të pakëndshme. Disa zyra strehojnë tre deri në pesë njerëz, përfshirë pacientin, mjekun dhe një ose dy infermierë. Të dhënat mjekësore mbahen në të njëjtën zyrë. Tavolinat e pritjes, madje edhe në qendrat më të mëdha shëndetësore, janë mjaft të vogla, pa salla ose me salla të vogla pritjeje. Disa qendra në zonat rurale nuk kanë salla pritjeje.Për shumicën e ndërtesave, një buxhet për riparime dhe mirëmbajtje nuk është vënë në dispozicion në dekadat e fundit. Disa lokale u ndërtuan për t’u bërë zyra konsultimi, por shumica u ndërtuan me një qëllim fillestar tjetër dhe më vonë u përshtatën për të akomoduar qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.”
Raporti i OBSH-së veçon se qëndrimet e popullatës ndaj kontrollit parandalues (check-up) kanë ndryshuar pozitivisht dhe përdorimi i kujdesit shëndetësor parësor për shërbimet parandaluese është rritur. “Sidoqoftë, nuk ka një qasje sistematike për të ndjekur dhe menaxhuar pacientët me sëmundje të zbuluara rishtazi. Popullsia nuk është e shtresuar nga faktorët e rrezikut dhe nivelet e sëmundshmërisë. Pacientët jashtë programit kombëtar të kontrollit parandalues (check-up) nuk kanë qasje në pajisjet e përparuara laboratorike dhe diagnostikuese të programit,”-thuhet ndër të tjera në raport.
Raporti i plotë i OBSH:
*Citizens Channel /E.K/
The post OBSH: “Në Shqipëri funksionojnë pajisje shëndetësore që prej vitit 1918” appeared first on Citizens.al.