- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Nxënësit e Rrajcës në bojkot prej 2 javësh; Bashkia:”Shkolla do të financohet në 2024′′
Nxënësit e Rrajcës në bojkot prej 2 javësh; Bashkia:”Shkolla do të financohet në 2024′′
Nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Sali Halili” në fshatin Rrajcë të Përrenjasit kanë nisur javën e dytë të bojkotit.
Ata u mblodhën bashkë me prindërit në ish-godinën e shkollës dhe u shprehën se do ta vijojnë bojkotin derisa të marrin një zgjidhje.
“Jemi 800 fëmijë. Dhe 800 fëmijë pasi të mbarojnë shkollën në Sutaj apo në Rrajcë Fushë i kanë sytë te shkolla e mesme, e cila duhet të mbyllet. Nuk duhet ta lejojmë ne si prindër këtë”,- u shpreh një nga prindërit e pranishëm.
Ndërsa kanë hedhur në diskutim edhe organizimin e protestave pranë godinës së bashkisë Përrenjas.
Godina e shkollës së mesme u shpall e pabanueshme në shkurt të vitit 2023 dhe prej këtij vendimi nxënësit zhvillojnë mësim në ambientet e përshtatura pranë ish-godinës së shkollës.
Prindërit kërkojnë një shkollë të re sa më shpejt, ndërsa shprehen se deri sa të shohin projektin e miratuar nuk kanë asnjë besim për financimin e projektit.
Bashkia Përrenjas: Projekti do të marrë financim në 2024
Pas protestave dhe bojkotit nga nxënësit e shkollës, bashkia Përrenjas kërkoi mos privimin e fëmijëve nga procesi mësimor, duke e konsideruar mëse të drejtë shqetësimin e tyre.
“Që ditën e parë kam qenë përkrah tyre në këtë kërkesë mëse të domosdoshme, por dua edhe një herë të sqaroj: Shkolla “Sali Halili” e ndërtuar para viteve 1990, vitet e fundit kishte shfaqur probleme në strukture dhe dëmtime te tjera të ndërtesës si pasoje e amortizimit të përvitshëm të sajë dhe lëkundjeve të tërmetit ,specialistët e vlerësuan godinën ne muajin dhjetor 2022 dhe e nxorën të pabanueshme. Që prej asaj kohe, kemi përshtatur disa ambiente për zhvillimin e mësimit (të vetmet ambiente që kemi mundur të gjejmë në Rrajcë) dhe ndërkohë kemi punuar në një projekt shumë të mirë për ndërtimin e shkollës së re”,-deklaroi kreu i bashkisë Nuri Belba.
Sipas tij projekti i është dorëzuar Ministrisë së Arsimit, e cila ka siguruar se do të marrë financim në vitin 2024.
“Shkolla e re do të ketë të gjitha standardet, duke përfshirë sistemin e ngrohjes, laboratorë dhe ambiente moderne sportive”,- u shpreh kreu i bashkisë.
The post Nxënësit e Rrajcës në bojkot prej 2 javësh; Bashkia:”Shkolla do të financohet në 2024″ appeared first on Citizens.al.