“Një offside për qytetin e sportit” Tirana shkel kriteret për titullin e vitit 2023

Tirana mori sot në Bruksel zyrtarisht titullin “Qyteti Evropian i Sportit 2023”. Lajm ky i bërë publik një muaj më parë me një ceremoni të posaçme para bashkisë Tiranë, me festime me fishekzjarrë.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj e përcolli lajmin më shtatë nëntor, duke falenderuar të gjithë sportistët dhe duke përmendur gjithë vështirësitë që i është dashur kryeqytetit për t’ia arritur kësaj dite.

“Kemi punuar shumë, shumë, shumë për t’ia mbërritur kësaj dite. Kemi punuar shumë, kemi bërë shumë beteja që në fakt në një vend normal nuk duhet të bëhen….Sot për komunitetin e sportit unë kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, një nder të madh dhe një privilegj të papërshkrueshëm sepse sapo jemi informuar që Tirana do të jetë qyteti evropian i sportit për vitin 2023”

Ky çmim i është dhënë nga “ACES Europe”, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Bruksel, e cila shpall çdo vit dhjetëra çmime për Kryeqytetin Botëror, Evropian, Rajonin, Qytetin, Ishullin dhe Komunitetin e sportit.

Mirëpo ndryshe nga viti 2022 ku Tirana gëzoi si Kryeqyteti i Rinisë, për sportin radhitet si një shumë qytetet që i jepet ky çmim.

Për të qenë pjesë e konkurrimit duhet që secili qytet, kryeqytet apo rajon të aplikojë përmes një procedure standarde të bërë publike edhe në faqen zyrtare të “ACES Europe”.

“Një parregullsi në aplikim”

Pjesë e përzgjedhjes mes të tjerash është edhe numri i popullsisë së kryeqyteteve, qyteteve dhe rajoneve. Mirëpo, ajo çka vihet re është se Tirana edhe pse me statusin e një kryeqyteti ka kandiduar në linjën e qyteteve, duke u barazuar kështu me qytetet që ishin fituese për vitin 2022 sikurse Kartagjena dhe Getafe e Spanjës, L’Aquila, Macerata dhe Sesto San Giovani të Italisë, Rijeka e Kroacisë, Leiria e Portugalisë dhe Panagyurishte e Bullgarisë.

Rregullorja e publikuar në faqen zyrtare saktëson se për t’u kualifikuar si kandidat për qytetin evropian të sporteve, qytetet duhet të kenë një popullsi nga 25.000 deri në afër 500.000 banorë.

Numër të cilin Tirana në statusin e kryeqytetit e tejkalon, pasi sipas INSTAT numëron një popullsi prej 919.511 banorë në 1 janar 2022, duke përbërë kësisoj 32.9% të të gjithë popullsisë në vend.

Duke ndjekur kriteret e vendosura nga ACES, Tirana duhet të kishte kandiduar në kategorinë e kryeqyteteve dhe jo të qyteteve.

Citizens Channel iu drejtua “ACES Europe” me një kërkesë për informacion ku kërkoi informacion për qytetet, të cilat kanë aplikuar për kategorinë ‘Qyteti Evropian i Sportit 2023”, cilat prej tyre kanë fituar dhe se si u kualifikua Tirana në katergorinë “qytet”, kur popullsia e saj e klasifikon si kryeqytet.

Deri më tani “ACES Europe” nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion.

Kandidimi po ashtu përfshin edhe një pagesë nisur nga renditja. Për kategorinë “Kryeqyteti Evropian i Sportit” tarifa shkon në 12.000 euro, ndërsa për “Qytetet Evropiane të Sportit” 2.350 euro.