Një nismë për restaurimin e pyjeve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut

Një grup ambientalistësh, ekspertësh dhe organizatash mjedisore u mblodhën të mërkurën për të folur mbi restaurimin e pyjeve në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Nisur nga situata aktuale e pyjeve në rajon ata e cilësuan si nevojë urgjente ndërhyrjen në zonat pyjore.

Sipas Global Forest Watch, Shqipëria ka humbur 6,5% të totalit të pyjeve në 20 vitet e fundit, ndërsa Maqedonia e Veriut humbi 5,5%. Analizat e fundit lokale konfirmuan këtë prirje duke treguar një humbje shqetësuese të pyjeve të padegraduara prej respektivisht 4.88% dhe 6,78% dhe 4,88% gjatë 12 viteve të fundit.

PPNEA, IUCN dhe Shoqata Ekologjike e Maqedonisë do të bashkëpunojnë për 2 vite me qëllim restaurimin e disa peizazheve të prekura.

Gjatë prezantimit të iniciativës, ekspertët shprehën shqetësimin se tendenca të ngjashme negative janë të njohura në rajone me vlerë të lartë të biodiversitetit, si habitatet kryesore të Rrëqebullit të Ballkanit, specie e rrezikuar në mënyrë kritike sipas Listës së Kuqe të Llojeve të Kërcënuara të IUCN, dhe specieve të tjera endemike.

Foto: Parku Kombëtar Mavrovë

Sipas ekspertëve, një nga nxitësit e degradimit mbetet menaxhimi i dobët i peizazheve kryesore të biodiversitetit në zonat e mbrojtura, që nuk parandalon mjaftueshëm humbjet e pyjeve. 

Për më tepër, prerja e paligjshme ka qenë një problem afatgjatë në Ballkan, i shoqëruar me urbanizimin e shpejtë, ndryshimet e përdorimit të tokës dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.

Kaja Shukova,inistrja e Mjedisit dhe Planifikimit Fizik ne Maqedonine e Veriut

“Rivitalizimi i pyjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është i rëndësishëm për vendet tona, por edhe për përmbushjen e synimeve evropiane nga Strategjia BE-së për Pyjet deri në vitin 2030, sepse ekosistemet natyrore nuk njohin kufij dhe kërkojnë menaxhim të harmonizuar dhe të qëndrueshëm”, u shpreh gjatë prezantimit të nismës Ministrja e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, Kaja Shukova.

Dy zona e përzgjedhura për ndërhyrje janë “Pashtrik-Morinë” në Shqipëri dhe Bukoviq në Maqedoninë e Veriut.

Aleksandër Trajçe, drejtor i PPNEA

“Ne duam të rivendosim dhe ruajmë habitatet pyjore vitale në peizazhet kyçe të biodiversitetit përtej zonave të mbrojtura. Duke zbatuar Zgjidhjet e bazuara në Natyrë (NbS), ne po ndërmarrim hapa konkretë drejt sigurimit të një të ardhmeje më të ndritshme për natyrën dhe njerëzit”, u shpreh drejtori i PPNEA Aleksandër Trajçe.

Sa i përket rëndësisë së kësaj nisme, ekspertët renditën disa arsye, duke nisur nga zbutja e ndryshimeve klimatike, pasi sipas tyre restaurimi i pyjeve kontribuon në luftimin e këtyre ndryshimeve. Këto zona janë shtëpi e Rrëqebullit të Ballkanit dhe ruajtja e biodiversitetit shihet me rëndësi të lartë nga mjedisorët.

Po ashtu ekspertët vendosën një theks të veçantë tek angazhimi i komunitetit.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me komunitetet lokale për t’u siguruar që ato janë thelbësore në procesin e ruajtjes, duke nxitur bashkëjetesën e qëndrueshme”, tha PPNEA në deklaratën për media.