- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Një muze i harresës”, banesa e Musine Kokalarit jashtë planeve për rikonstruksion
“Një muze i harresës”, banesa e Musine Kokalarit jashtë planeve për rikonstruksion
“Bëra një projekt ide dhe me të trokita në institucione të ndryshme, vendore, qëndrore, mirëpo nuk pata asnjë vëmendje. Mu duk sikur as s’po më dëgjonin çfarë ju thoja!”, rrëfen për Citizens Channel Arjeta Kokalari.
Ajo ka investuar dhjetë vite mund dhe energji për të jetëzuar banesën e Musine Kokalarit në Gjirokastër, Monument Kulture i kategorisë së parë.

Arjeta Kokalari
“E konsideroj atë si udhëheqësen time shpirtërore, morale dhe me ndikim në qenien e saj si grua në një shoqëri që pavarësisht zhvillimit, mbetej patriarkale”, vijon Arjeta.
Nga viti 2004 deri në 2014 Arjeta së bashku me bashkëshortin e saj i dhanë një pamje dinjitoze godinës, mirëmbajtën elementët autentikë dhe liruan hyrjen e banesës nga zënia.
“E bëmë me thënë të drejtën dhe me një farë inati, për të thënë që ju keni gjithë këto mundësira dhe nuk e bëni dot. Po e bëjmë ne, që ne në fund të fundit kishim vetëm mundësitë që ka çdo individ, d.m.th. shumë të pakta”, pohon ajo.
Më 21 nëntor 2014 një zjarr aksidental dogji banesën në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës, duke shuar edhe të gjithë sakrificën e Arjetës.
“Ne vërtet nuk e arritëm atë që donim por pamë që kishim një mbështetje morale, njerëzit në një farë mënyre, dashamirësit e kishin vlerësuar atë punë që ne kishim bërë”, thekson ajo.





Banesa Kokalari e harruar nga institucionet

Skica te baneses perpara zjarrit, nga Andi Papastefani

Premtimet për ta shndërruar këtë banesë në një muze pas djegies në 2014 janë të përsëritura nga institucionet.
“Ne jemi duke mbyllur projektin e restaurimit për të dal shpejt me lajme të mira, besoj dhe shpresoj për shtëpinë e Musine Kokalarit”, shprehej Ministria e Kulturës së asaj kohe Mirela Kumbaro në vitin 2017, gjatë ceremonisë për 100 vjetorin e lindjes së Musine Kokalarit.
Pesë vite më vonë, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës përsëriti zotimin për të krijuar një muze për Kokalarin.
“Absolutisht do të ishim të nderuar nëse do të gjenim gjuhën e përbashkët si pushtet vendor, por edhe si pushtet qendror për ta kthyer shtëpinë Kokalari në Muze Kokalari”, tha Flamur Golemi.
Citizens Channel kontaktoi Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër e cila konfirmon se aktualisht nuk ka asnjë projekt për restaurimin e banesës.
“Në lidhje me objektin e djegur për kthimin në muze është përgjegjësi e pushtetit lokal sepse është objekt që ka pronarë”, thekson Ardis Duka.
Historia e banesës Kokalari
Sipas Arjeta Kokalarit stërgjyshi i Musinesë pasi krijoi një mirëqenie ekonomike bleu atë shtëpi që njihet si shtëpia e Musine Kokalarit, e cila dikur ka qenë kullë mbrojtëse e Sarajeve të Kapllan Pashës. Ajo pohon se bëhet fjalë për shekullin e 18, ku fiset më të fuqishme kishin aleancë por shpesh herë dhe armiqësi me njëra tjetrën. Kapllan Pasha kishte armiqësi me shtëpinë e madhe që sot është e Zekatëve, që njihej në atë kohë si shtëpia e Bilal Beut.
“Gjithmonë kishte konflikte dhe për të mbrojtur krahët ngritën atë kullë mbrojtëse, që shërbente për të strehuar ushtarë mbrojtës”, tregon Arjeta.
Musineja është kthyer në Shqipëri në moshën 2 vjeçare, fillimisht shtëpinë e gjetën të zënë nga garnizonet ushtarake, e pas një tërmeti të madh që ndodhi në ato vite në Tepelenë, por me tronditje edhe në Gjirokastër, një shkëmbi i madh u rrokullis përpara shtëpisë, ushtarët u trembën dhe e braktisën shtëpinë . Kështu familja Kokalari rihyri në shtëpi.
“Musineja ka ardhur për herë të fundit në Gjirokastër në 1934, sipas shënimeve të saj”, vijon Arjeta.
Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, pushtetin e morën komunistët, vëllezërit e Musinesë u pushkatuan, Musineja hyri në burg dhe pronat e familjes u sekuestruan si ato që kishin në Tiranë , edhe shtëpia që kishin në Gjirokastër. Shteti në atë kohë kishte një përkujdesje për shtëpitë monument kulture dhe atëherë ndërhyri për herë të parë , në fund të viteve 60, ku e modifikuan dhe aty jetuan tre familje.
“Nuk është ruajtur interiori dhe ndërmarrjet e kohës e modifikuan brendësinë e saj duke krijuar ambiente për shumë familje, për të strehuar sa më shumë duke prishur pjesët tradicionale. Megjithatë e ruajti statusin e mbrojtjes sepse kishte karakteristikën e veçantë të tipit Kullë”, përfundon ajo.
Pas viteve 90 prona ju kthye trashëgimtarëve të ligjshëm.
The post “Një muze i harresës”, banesa e Musine Kokalarit jashtë planeve për rikonstruksion appeared first on Citizens.al.