Nëndeklarimi i pagave, skemë si fshihen të ardhurat apo kosto të papërballueshme?

Autore: Klaudja Karabolli | Citizens Channel

Informaliteti zë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë shqiptare, madje sipas ekspertëve, konkurron edhe ekonominë formale. Në një studim të fundit, të Organizatës Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD), rreth reduktimit të ekonomisë informale në Shqipëri, evidentohet se në sektorin privat informaliteti është 40% më i lartë sesa aktiviteti formal.

Ekspertët e ekonomisë thonë se kjo shifër është edhe më e lartë, pasi studimi i OECD, nuk merr parasysh aktivitetet kriminale, kontrabandën, trafikimin, prostitucionin dhe aktivitetet e pataksueshme, si ato bujqësore apo familjare në Shqipëri.Ekonomia informale ndikon negativisht treguesit fiskal, duke shkaktuar evazion, por edhe duke deformuar konkurrencën e lirë në treg.

Nëndeklarimi i pagave për të fshehur të ardhurat reale të biznesit

Nëndeklarimi i pagave të punonjësve është një nga format më të përhapura të evazionit fiskal prej bizneseve të mesme dhe të mëdha. Evazioni fiskal ka një efekt shkatërrues ndaj politikës fiskale të qeverisë duke i shkaktuar shtetit një humbje jo të vogël nga të ardhurat fiskale të tij.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në një raport të fillimvitit, evidentonte faktin që në Shqipëri informaliteti në punësim arrin në 57% të totalit. Pra ne kemi më shumë punë që nuk deklarohet sesa ajo që deklarohet.

Eksperti i ekonomisë Agim Binaj, thotë se duke mos deklaruar apo duke nëndeklaruar pagën, një biznes ul vlerën reale të kostove, dhe rrjedhimisht fsheh edhe të ardhurat reale.

“Në kushte normale dhe ekonomi formale, një biznes nuk ka interes të mos deklarojë pagat reale, sepse nuk llogarit shpenzimet reale të kompanisë. Në Shqipëri përdoret ky mekanizëm për të shmangur deklarimin e të ardhurave reale”- thotë eksperti i ekonomisë Binaj.

Ndryshe mendon eksperti Pano Soko, i cili thotë se barra e lartë fiskale i detyron bizneset të shmangen nga taksat.

“Në thelb askush nuk dëshiron të punojë në informalitet. Të jeni të sigurt që, që të gjithë ata që merren me biznes duan të jenë formalë, të punojnë të qetë dhe të flenë gjumë rehat në darkë. Por është barra e lartë fiskale dhe masa e vogël e qarkullimit ajo që i detyron të informalizohen.”– shprehet Soko.

Punëmarrësit përballë punëdhënësve

Punëmarrësit e pyetur nga Citizen Channel, nuk duan të identifikohen për të ruajtur vendin e punës, por pranojnë se paga e tyre nën deklarohet në një masë 45 %.

Punëmarrës të kontaktuar për realizimin e këtij shkrimi tregojnë se punëdhënësit i njoftojnë përpara firmosjes së kontratës se paga do të deklarohet në masën 22 mijë lekë në bankë dhe pjesa tjetër (për një pagë më e lartë sesa 22 mijë lekë), do të merret kesh.

N.P 25- vjeçare i përgjigjet me buzëqeshje pyetjes tonë se pse pranon të punojnë me një pagë të padeklaruar.

“Prej 1 viti punoj si fizeoterapiste në një klinikë private në Tiranë. Kur më morën në intervistë për punë, më lajmëruan që paga 40 mijë lekë nuk do të deklarohej. Unë pranova sigurisht, duke kujtuar se edhe në punën paraardhëse në një klinikë të ngjashme, ndiqej e njëjta procedurë”- tregon 25- vjeçarja.

Ndërkohë 27- vjeçarja A.H punon në një zyrë private në zonën e ish- bllokut si recepsioniste prej 4 vitesh, ajo tregon se në llogarinë e saj bankare, çdo muaj akreditohen vetëm 22 mijë lekë, ndërkaq 28 mijë lekë (pjesa tjetër e pagës) i merr në dorë nga financierja e kompanisë. 27- vjeçarja tregon se kjo ndarje e rrogës bëhet për të gjithë stafin me 12 punonjës.

Me një  pagë 30 mijë lekë të deklaruar punon edhe A.P 30 vjeç, inxhinier teknik në një televizion në Tiranë.

“I kërkova financieres të më deklarohej paga e plotë, në një vlerë 60 mijë lekë. Por menaxherja e kompanisë më tha se për të mbajtur vendin e punës, duhet të pranoja edhe kushtet e vendosura nga punëdhënësi.”- tregon 30- vjeçari.

Ndonëse punonjësit sot pranojnë të punojnë me pagë të nëndeklaruar, rezultati negativ do të ndihet në të ardhmen, pasi mbështetja për barrëlindjet, shëndetësinë e më pas pensionet do të jenë minimale.Eksperti Agim Binaj thotë se punëdhënësit në biznese private e kanë kthyer nëndeklarimin e pagës në një rregull të pashkruar, që njihet dhe pranohet nga të gjithë punëmarrësit.

“Punëmarrësit nuk e kuptojnë efektin e nëndeklarimit të pagës. Duke mos u paraqitur kontributet reale, rezultati janë pensionet mjaft të ulëta, minimale dhe rrjedhimisht krijon varfëri ekstreme, dhe mbijetesë me 2-3 dollarë në ditë”- shpjegon eksperti Binaj.

Nga ana tjetër, eksperti Pano Soko thotë se janë punëmarrësit ata që ju vështirësojnë punën tatimorëve duke fshehur evazionin fiskal të punëdhënësit. Ndërkaq sipas tij më të prekurit nga nëndeklarimi i pagës janë punëmarrësit në prag pensioni, jo të rinjtë.

“Për një person që është i ri dhe është larg moshës së pensionit, deklarimi i një page më të ulët ka efekt negativ të papërfillshëm, ndërsa për dikë që është në prag pensioni efekti është i madh, pasi siç dihet pagat e fundit janë faktor kyç në përcaktimin e masës së pensionit.”- thotë eksperti.

Forcimi ligjor për shmangien e evazionit me pagat

Një pjesë e kapitalit që qarkullon në ekonominë ilegale, i përket parave që i janë fshehur tatimeve, prandaj politikat fiskale edhe në Shqipëri, kanë në fokus shmangien e informalitetit, për të zvogëluar sa më shumë efektin negativ për buxhetin e shtetit, por edhe për punëmarrësit që punojnë më paga të nëndeklaruara.

Me  qëllim forcimin e parashikimeve ligjore kundër informalitetit tatimor u ndërmorën disa Ndryshime të prezantuara në ligjin nr. 99/2015, datë 23.09.2015, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 187, datë 28.10.2015, të cilat hynë në fuqi në datën 12 nëntor 2015.

Këto ndryshime ligjore parashikojnë që për mos deklarimin e punonjësve dhe mos deklarimin e pagave reale, tatimpaguesit dënohen me gjobë në masën 500,000 Lekë nëse verifikohet nga ana e autoriteteve tatimore një nga shkeljet e mëposhtme:

  1. Mos deklarimi i një punonjësi të ri të paktën 1 ditë kalendarike përpara marrjes në punë

  2. Mos deklarimi i pagës reale dhe të plotë të punonjësve.

Ndërkohë pas dënimit monetar, ndryshimet ligjore parashikuan edhe dënimin penal për tatimpaguesit që konstatohet se përsërisin shkeljen. Pasi i është nënshtruar më parë një gjobe monetare, do të konsiderohet se tatimpaguesi kryen evazion fiskal. Në të tilla raste administrata tatimore ushtron të drejtën për të bërë kallëzim penal kundër tatimpaguesit.

Eksperti Agim Binaj thotë se ligjet nuk mund të respektohen nëse nuk ka vullnet nga tatimorët. Ai propozon disa hapa për të shmangur informalitetin me nëndeklarimin e pagave.

“ Duhet krijuar një mjedis i besueshëm, sinqeriteti, transparencë, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi midis shtetit dhe taksapaguesve. Një tatimor mund ta pyesë një biznesmen, si mund të mbijetojë një punonjës me 22 mijë lekë? Ndërkaq një analizë e detajuar e pasqyrës financiare të biznesit nxjerr zbuluar nëndeklarimet e pagave. Kjo gjë duhet bërë”– thotë eksperti Binaj.

Ndërsa eksperti Pano Soko thotë se vetëm ulja e barrës fiskale do të çonte në ulje të informalitetit.

“Duhet kuptuar dhe duhet pranuar haptazi; i vetmi faktor që ndikon në madhësinë e informalitetit është barra e lartë fiskale. Asnjë masë ligjore thjesht juridike nuk do të ketë fuqi të ndikojë në prerogativat ekonomike, sepse informaliteti nuk buron nga fakti që individët duan/kanë dëshirë të jenë informal. Ata janë të detyruar nga matematika.”- shprehet eksperti Soko.

Tatimorët  në terren

Në vitin 2017, Tatimet e përqendruan vëmendjen dhe aksionet tek deklarimi i punonjësve dhe pagave reale të tyre.

Fillimisht, tatimet ftuan subjektet që të përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore si rritja e numrit të punonjësve të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe deklarimin real të pagave të punonjësve.

Ndërkohë në vitin 2018, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një aksioni për kontrollin e pagave reale të punonjësve dhe ju ka bërë thirrje punëdhënësve të marrin masa të menjëhershme për të shmangur gjobat.

Por eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se aksioni në terren sjell rritjen e korrupsionit të tatimorëve.

“Nëse do të angazhoheshin çdo muaj grupe të tëra inspektorësh që të kontrollojnë dhe krehin fizikisht territorin për biznese informale, do t’i kushtonte arkës së shtetit më tepër sesa prurjet që do të sillte në të. Në situata të tilla e vetmja gjë që rritet, do të ishte korrupsioni i inspektorëve dhe kjo është e provuar.”- thotë eksperti Soko.

Ekspertët skeptikë për të ardhmen

Drejtuesit e ekonomisë po përpiqen, që të ulin sa më shumë që të jetë e mundur evazionin dhe informalitetin e bizneseve shqiptare, ndërsa studiuesit e ekonomisë nuk e fshehin skepticizmin për masat e reja.

Eksperti Pano Soko e shikon të pamundur zgjidhjen me aksione kontrolli në terren për të zbuluar informalët.

“Aktualisht është e pamundur që të kontrollosh fizikisht çdo cep të territorit të vendit, për të parë nëse aty te cepi, aty pas pallatit, apo aty mbrapa kodrës është ndonjë biznes informal i paregjistruar dhe që rrjedhimisht nuk deklaron punonjësit. Dhe e gjykoj të pamundur.”- shprehet Soko.

Por si mund të minimalizohet informaliteti?

Eksperti Agim Binaj propozon vullnet dhe kontrolle të detajuara të pasqyrave financiare, nga ana tjetër eksperti Pano Soko thotë se informaliteti në të tilla përmasa siç është në Shqipëri nuk luftohet me forcë, por me alternativë.

“Nëse shteti e ka të pamundur për të kontrolluar gjithë territorin, atëherë le të ulë taksat, që ta kthejë të qënurin formal në atraktiv për biznesin dhe njëkohësisht të ruajë intensitetin e lartë të kontrolleve tatimore. Kështu është e sigurt që do të ulë në maksimum masën e informalitetit.”-thotë eksperti Soko.