Në Tiranë nis mbledhja e librave për bibliotekën e parë shqipe në Manastir

Emira Selimi, studente shqiptare nga Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë një nismë për të hapur bibliotekën e parë shqipe në qytetin e Manastirit.

Ajo po kërkon ndihmën e të gjithëve për t’u përballur me sfidat që i kanë dalë rrugës, nga vendi fqinj.

“Tek Bunkeri” organizoi dje një takim për të folur mbi nismën e Emirës si dhe për të mbledhur libra për bibliotekën e saj. Në këtë takim, gazetari Marin Mema foli për historikun e qytetit të Manastirit i dyti më i madh në Maqedoninë e Veriut, i ndodhur në pjesën jugore të vendit. Qyteti i Manastirit është vendi ku u krijua alfabeti shqip.

Emira ndau me të ftuarit përjetimet e saj, si dhe gjithë sfidat me të cilat ajo është duke u përballur. Studentja shqiptare ka grumbulluar deri më tani rreth 30.000 tituj në gjuhën shqipe.

“Manastiri është një qytet që mban një peshë shumë të madhe historike dhe sot të shkosh në Manastir e ti gjesh shqiptarët atje e t’i gjesh të frikësuar në shekullin e 21 është absurde”, tha Emira teksa foli mbi rëndësinë historike të qytetit.

Ajo foli për sfidat që është duke hasur në këtë nismë, dhe u shpreh se i mungon përkrahja e institucioneve maqedonase.

Emira Selimi dhe gazetari Marin Mema gjate diskutimit Tek Bunkeri

“Ministria e Kulturës, Drejtoria e Muzeut, asnjëra prej tyre, nga vetë institucionet atje unë nuk kam përkrahje. Por nga ana tjetër ata e dinë shumë mirë, edhe vet drejtori i muzeut e di, se kësaj nisme nëse dikush tenton ti dalë kundër, nuk do ketë vetëm Ermirën përballë se unë jam e dobët por do të ketë të gjithë shqiptarët”, tha studentja. Po ashtu ajo tha sfidë më vete do të jetë kalimi i librave në kufij.

Emira u shpreh se rruga e saj ka qenë e vështirë, por ajo e sheh këtë nismë me një rëndësi shumë të madhe për shqiptarët dhe prandaj e gjen forcën për të vazhduar.

“Kam ditë që ndihem e lodhur por nuk dorëzohem sepse kjo gjë më jep forcë, më japin forcë dhe njerëzit që më mbështesin. Nga Kosova kam marrë shumë mbështetje, por edhe nga Shqipëria, të gjithë bashkë mund t’ja dalim“, tha Emira teksa iu përgjigj një nga pyetjeve të publikut.

Gjatë diskutimit Emira vuri në dukje edhe mungesën e mbështetjes nga shteti shqiptar, teksa përmendi që në Kosovë nisma e saj është mirëpritur shumë mirë. Ajo ka patur dhe një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila i është bashkuar nismës duke dhuruar 1000 libra.

Sot ajo ndodhet në Durrës ku do të prezantoj nismën e saj dhe gjithashtu bashkë me ekipin e saj do të mbledhin librat e dhuruar nga qytetarët.

Në Tiranë librat po mblidhen në tre pika: 1.Maniakët e Ëmbëlsirave në Astir, 2.Fondacioni Ivanaj në Bllok dhe 3 Gomisteri Tirona pranë Mozaikut të Tiranës.

Po ashtu ka pika në të gjithë qytetet e Shqipërisë ku po mblidhen libra, të cilat Emira i ka bërë publike në profilin e saj në Facebook.