- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Në fshatin Madhesh të gjithë burimet e ujit po kthehen në hidrocentrale
Në fshatin Madhesh të gjithë burimet e ujit po kthehen në hidrocentrale
Zona e Madheshit në Mat përshkohet nga dy përrenj që dikur shërbenin si burime të mjaftueshme për të furnizuar lagjen Gurrë e Madhe dhe Lunre me ujë për vaditje, bagëtinë dhe mullirin shumëvjeçar.
Prej vitit 2018, situata ka ndryshuar. Uji i përroit të lagjes Gurrës e Madhe tashmë shkon për prodhim energjie, pavarësisht kundërshtive të banorëve. Edhe burimi i fundit i mbetur në fshatin Madhesh, përroi i Lunresë, gjendet para rrezikut serioz për t’u futur në tuba për prodhim energjie.
Ashtu si dikur, edhe sot, dy lagjet e të njëjtit fshat i bashkon uji. Dikur, përroi i Gurrës së Madhe furnizonte Lunrenë me ujë për vaditje përmes kanalit, ndërsa sot, banorët e Gurrës së Madhe janë bashkuar me Lunrenë për të shpëtuar rrjedhën e fundit të lirë të mbetur në Madhesh.
“Me ma falë krejt Shqipninë nuk e du, du vetëm ujin dhe tokën sikur ka qenë”, – thotë për Citizens Channel Ladi Fufi, i lindur dhe rritur në fshatin Gurrë e Madhe. Ndonëse nuk jeton më aty, ai nuk i ka braktisur planet që një ditë t’i rikthehet vendlindjes e ta ndërtojë jetën aty ku vazhdimisht kujdeset për kullën e vjetër dhe tokën bujqësore që trashëguar.
“Unë në plan e kam pas me vu nja dy vaska peshku këtu, se kam tokën time, me gjithë axhat e mi. Edhe stalla. Se i ka pas ai axha dhitë, edhe unë kam dasht me i vu në tokë time”, – thotë ai, teksa shpjegon situatën aktuale. “Pa ujë s’kam ça me ba. Edhe vetëm s’mun jetoj me familjen time”.
Dikur, përroi i Gurrës së Madhe vinte në punë mullirin e vjetër që përdorej nga të dyja lagjet e fshatit Madhesh.
“15 vjet e këtej mulliri nuk ka funksionuar ma. Njerëzit u shpërngulën edhe fillun duke mbledh miell gruri, edhe nuk përdori kush misër ma, veç për bagëtitë. Tashi është prish krejt se ky ka qenë funksional deri tashi vonë fare”, – shpjegon Gjergj Gjegji. Ai beson se këto mullinj mund të kishin shërbyer si atraksion turistik nëse do të ishin mirëmbajtur.
“E kanë marrë këtë pasuni, fut në tuba dhe katër-pesë persona marrin të ardhura nga ky ujë me të cilin kanë pasë jetu mbi 50 shtëpi, 50 familje”, – vijon Gjegji duke iu kthyer hidrocentralit “Gurra” mbi përroin e Gurrës së Madhe.
Nga ana tjetër e fshatit vazhdohet e njëjta betejë. Edi Miza prej më shumë se dy vitesh është organizuar bashkë me komunitetin kundër hidrocentralit që do t’i sillte të njëjtin fat komunitetit dhe përroit të Lunresë.
“E morën këtë e futën në tuba”, – thotë ai duke iu referuar përroit të Gurrës së Madhe. “Ekziston mundësia që të merret dhe në krahun tjetër, të vetmen shpresë që të vadisim tokat tona”, – përfundon Edi Miza.
The post Në fshatin Madhesh të gjithë burimet e ujit po kthehen në hidrocentrale appeared first on Citizens.al.