- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Në 13 bashki mungojnë çerdhet; Barra kryesore ju bie grave në zonat rurale
Në 13 bashki mungojnë çerdhet; Barra kryesore ju bie grave në zonat rurale
Në pjesën dërrmuese të fshatrave të 13 bashkive në vend mungojnë çerdhet, por mungesa vihen re në disa raste edhe në zona urbane. Kësisoj nuk kryhet mbulimi i plotë i popullsisë me çerdhe dhe kopshte. Ky është rezultati i një auditi të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitet 2019-2023.
“Nga 13 bashki të audituara, kemi venë re se vetëm 18 njësi administrative kanë çerdhe. Vetëm 108 njësi administrative kanë kopshte”, – u shpreh Erisa Çela, menaxhere programi pranë UN Women në Shqipëri gjatë prezantimit të gjetjeve në një takim me gazetarë.
Në bashkinë Shkodër ku ka një njësi administrative urbane dhe 10 njësi administrative rurale, nga auditimi rezulton se çerdhe ka vetëm në qytetin e Shkodrës, ndërsa asnjë prej njësive administrative rurale nuk ofron këtë shërbim, përgjatë viteve 2019-2023. Ndërsa kopshte ka vetëm në 8 njësi administrative nga 11 në total.
“Popullsia për çdo njësi administrative ka ndryshuar, ajo është rritur në qytet, ka ndryshuar në zonat rurale, por numri i çerdheve dhe kopshteve, nuk ka ndryshuar në raport me numrin e banorëve për çdo njësi administrative të bashkisë Shkodër”, -sqaron raporti përmbledhës.
“Barra kryesore e kësaj mungese në investime i bie grave”, – u shpreh më tej Erisa Çela.
Në bashkinë Kukës, e cila ka një njësi administrative urbane dhe 14 njësi administrative rurale, nuk ka çerdhe në ato ruralet, por vetëm kopshte.
Në bashkinë Lezhë,e cila ka 9 njësi administrative rurale dhe një urbane, ka vetëm një cerdhe në atë urbane.
“Kopshte ka në 10 njësi administrative në total që ka qyteti i Lezhës, nga të cilat 1 urbane dhe 9 rurale”,-nënvizon raporti.
Në bashkinë Krujë, ku ka 6 njësi administrative, dy rurale dhe katër urbane, ka dy çerdhe vetëm në njësitë urbane, ndërsa kopshte ka në të gjitha njësitë administrative.
Në 12 njësitë administrative të bashkisë Elbasan ka 87 kopshte, ndërsa çerdhe ka vetëm në dy njësi administrative, ku janë tre të tilla.
Bashkia Kavajë me pesë njësi administrative nuk ka asnjë çerdhe, ndërsa kopshte ka vetëm një në njësinë administrative urbane. Bashkia Divjakë me pesë njësi administrative, nuk ka çerdhe në katër njësitë rurale, ndërsa kopshti funksionon në të pesta prej tyre.
Bashkia Lushnjë, me 12 njësi administrative, në 11 prej tyre rurale nuk ka çerdhe, ndërsa kopsht ka në të gjitha njësitë. E njëjtë është situata edhe në bashkinë Pogradec, ku nga 8 njësi administrative gjithsej, në 7 prej tyre rurale mungojnë çerdhet. Ndërsa kopshti është i pranishëm në të teta njësitë.
Në Gjirokastër, në gjashtë njësitë administrative rurale nuk ka çerdhe, vetëm në atë urbane. Në bashkinë Vlorë, ka çerdhe vetëm në një njësi nga pesë që ka gjithsej kjo bashki, që është ajo urbanae.
Në bashkinë Dibër, në 12 njësi administrative rurale nuk ka çerdhe, ndërsa kopshte nuk ka në tre njësi administrative rurale.
Në bashkinë Berat çerdhe ka vetëm në njësinë administrative qendër, ndërsa në katër të tjerat ruyrale mungojnë.
Mungesa e transportit publik
Përpos mungesës së çerdheve dhe kopshteve, ajo ç’ka vihet re nga auditimi është edhe mungesa e transportit publik.
“Nga auditimi i të dhënave të grumbulluara nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore objekt auditimi, u konstatua se në disa njësi të qeverisjes vendore nuk sigurohet transport publik, përveç se në nëjsitë administrative urbane”, –thuhet në raportin përmbledhës.
Kësisoj nuk sigurohen kushte lehtësimi për të ofruar gratë dhe vajzat sa më afër tregut të punës.
“Mangësitë në mbulimin me trasnport dhe insfrastrukturë logjistike, sidomos në njësitë administrative rurale, pengojnë forcimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe qasjen e saj drejt tregut të punës”, –nxjerr në pah raporti.
Në bashkinë Shkodër transporti sigurohet vetëm në nëntë njësi adminsitrative, nga 11 në total. Në Njësinë Administrative Pult dhe Shosh nuk ka transport publik.
Në bashkinë Kukës ka transport publik vetëm në tre njësi administrativ nga 15 në total.
Në bashkinë Krujë ka tranpsport publik në vetëm tre njësi administrative nga gjashtë gjithsej. Në bashkinë Kavajë nuk ka transport publik në asnjë prej njësive administrative.
Në bashkinë Divjakë, trasnporti publik mundësohet në katër njësi nga pesë të tilla. Bashkia e Lushnjës siguron transport publik në vetëm katër njësi nga 12 në total. Në bashkitë Gjirokastër, Pogradec, Elbasan dhe Berat sigurohet transport publik në të gjitha njësitë. Ndërsa bashkia e Dibrës ka transport publik në 14 njësi administrative nga 15 në total.
Politikat kombëtare nuk përfshijnë punësimin e grave në zonat rurale
Sipas raportit auditues, megjithëse gratë dhe vajzat përbëjnë rreth 55% të forcave të punës, ato drejtojnë vetëm 7% të fermave bujqësore dhe blegtorale të vendit.
“Faktorë të tjerë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në punësimin e grave nga zonat rurale, janë edhe problematika që dalin nga infrastruktura, zona ku jetojnë, mungesa e transportit, ujit të pijshëm, mungesa e qendrave shëndetësore 24 orë, si dhe e çerdheve dhe kopshteve me drekë”,-thekson raporti.
Sipas raportit programet e nxitjes së punësimit janë të përgjithshme, nuk kanë në fokus gratë dhe në veçanti gratë në zonat rurale.
“Këto programe parashikohen të zbatohen në të gjithë vendin, por nuk evidentohet se sa janë të zbatueshme në zonat rurale”,-thuhet në raportin auditues.
Po ashtu nga auditimi vihet re se nuk janë zhvilluar kurse të trajnimit profesional në zonat rurale.
“Është shumë e rëndësishme që, mundësi të barabarta, u duhen ofruar të gjitha të rejave dhe grave nga të gjitha grupet në shoqëri, duke përfshirë ato që jetojnë në zona rurale apo dhe më larg..”.
The post Në 13 bashki mungojnë çerdhet; Barra kryesore ju bie grave në zonat rurale appeared first on Citizens.al.