- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Ndryshimi i rregullores së Kuvendit po cënon raportimin e gazetarëve
Ndryshimi i rregullores së Kuvendit po cënon raportimin e gazetarëve
Parlamenti dhe kryesia e Kuvendit kanë mbyllur dyert ndaj medias, nëpërmjet ndryshimeve në rregullore të miratuara tre vite më parë. Si pasojë gazetarët po përballen me akses të kufizuar mbi jetën parlamentare, mungesë transparence dhe vështirësi për tu kërkuar llogari ligjvënësve.
Gazetare: Oliverda Allmuça | Citizens.al
Në qershor 2021, byroja e Kuvendit ndryshoi rregulloren mbi masmedian, duke kufizuar aksesin e gazetarëve në parlament dhe kryesinë e Kuvendit. Sipas ndryshimeve të reja, gazetari e ka të pamundur të marrë në intervistë një deputet në mjediset e kuvendit, nëse më parë nuk ka dërguar një kërkesë për informacion dhe të ketë marrë miratimin e zyrës së shtypit.
Paketa e ndryshimeve vendos kufizime edhe mbi lëvizjen e lirë të gazetarëve në mjediset e kuvendit dhe po ashtu ‘sanksionon’ që komisionet parlamentare mund të ndiqen me kamera nga gazetarët vetëm në pesë minutat e para.
Tre vjet më pas, këto ndryshime, të cilat u kundërshtuan që në fillim nga gazetarët, kanë cenuar lirinë e medias dhe kanë centralizuar informacionin. Situata ka ndikuar drejtpërdrejt në mjedisin mediatik, madje renditet si një ndër arsyet që Shqipëria humbi 3 vende në indeksin botëror të lirisë së medias. Sipas raportit të publikuar nga Reporterë pa Kufij për vitin 2023, Shqipëria ra nga vendi i 96-të në atë 99-ë, duke specifikuar se gazetarët përballen me presion politik dhe kufizime të aksesit.
Gazetarja Esiona Konomi thotë se ngërçi nis që pa hyrë ende në perimetrin që rrethon Kuvendin. Ajo i referohet sjelljes së gardës së Republikës. Sipas saj, në tejkalim të rregullores, Garda zbaton urdhrat verbalë të shefave, duke vendosur një tjetër perimetër kufizues.
“Vendosja e një perimetri subjektiv për median edhe në pjesën e jashtme të godinës, cenon punën tonë dhe mundësinë tonë për t’u kërkuar llogari pushtetarëve.”, – thotë Konomi.
Në një përgjigje me shkrim për Citizens.al, zyra e shtypit e Kryesisë së Kuvendit, thotë se punonjësit e Gardës janë në varësi të Ministrisë së Brendshme, por kujtojnë “që është detyra e punonjësve të Gardës, të caktuar pranë godinave të Kryesisë së Kuvendit dhe Sallës së Seancave Plenare, që të mbrojnë jetën dhe sigurinë e ҫdo deputeti”.
Kufizimi i lëvizjes së shoqëruar në ambientet e Kryesisë dhe godinës së Parlamentit, vështirësojnë punën e gazetarëve për të qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me deputetët dhe kryetarët e Komisioneve. Përpjekjet për llogaridhënie ndaj politikanëve, për shkak të këtyre kufizimeve, shpesh rezultojnë të pasuksesshme. Kjo bën që në shumë raste gazetarët të përdorin si burim deklaratat e deputetëve në platformat sociale.
“Shumica e deputetëve i shmangen ‘pritës’ së gazetarëve, futen bashkë me automjetet e tyre në oborrin e Kryesisë. Edhe ato që kalojnë në këmbë, shpesh na shmangin”, – konfirmon Andon Kello, gazetar në MCN TV.
Ndërsa për gazetarin Mariglen Kume, problematikat janë shtuar me vendosjen e sistemit të ri të kamerave në sallat e komisioneve, që nuk argumentohet as në rregullore.
“Është krijuar një mur në marrëdhënien e gazetarëve me Kuvendin. Nuk mundemi të faktojmë vizualisht ҫfarë ndodh në Komisionet Parlamentare. Në videot e publikuara në rrjetin social Facebook nuk duken të gjitha detajet ndaj aksesi fizik është kyç për punën tonë”, – thotë gazetari Kume.
Por sipas parlamentit, sistemi i ri audio-video, është bërë “upgrade” vitin e fundit duke rritur cilësinë e transmetimit.
“Ky sistem nuk implikon aspak punën e gazetarëve, veçse ju mundëson gjithë mediave, që të marrin sinjalin e transmetimit direkt (me fisha) nga ambientet e përcaktuara apo sikurse ndodh shpesh, edhe të marrin transmetimin direkt nga kanali jonë në Youtube, Facebook apo faqja zyrtare e internetit (rrugë këto të transmetimit të mbledhjeve online)“, – thotë zyra e shtypit e Kryesisë së Kuvendit
“Ka pasur raste që nuk e kemi kuptuar nëse kuorumi fillestar është plotësuar apo jo, pasi përgjegjësja e Kuvendit për median, ka ardhur me vonesë dhe ne ndërkohë nuk jemi lejuar të hyjmë, pavarësisht se mbledhja ka nisur, pikë që nuk parashikohet askund në Rregullore”, – sqaron më tej Mariglen Kume.
“Një mur midis administratës dhe gazetarëve”
“Burokracia institucionale bën që deputetët të mos i përgjigjen gazetarëve, por kërkojnë që komunikimit të orientohet përmes zyrës së shtypit”, – thotë Ervin Koçi, gazetar i A2 CNN që mbulon prej 14 vitesh Kuvendin.
Parlamenti mohon që të ketë ndryshuar marrëdhënia me gazetarët, por thotë se “ata lejohen të hyjnë në ҫdo mbledhje të hapur komisioni dhe operatorët lejohen të hyjnë në mbledhje komisionesh për të marrë planet, sipas kushteve të përcaktuara në Rregulloren e Akreditimit të Masmedias”.
As stafet e zgjeruara të grupeve parlamentare dhe të komisioneve nuk kanë pasur efekt në rritjen e transparencës dhe nivelit të informimit. Përkundrazi.
“Këshilltarët e Komisioneve Parlamentare shmangin edhe kontaktet personale me gazetarët dhe nuk janë një resurs që media mund t’i përdorë. Ata do të ishin shumë të dobishëm në punën tonë, duke ofruar shpjegime teknike legjislative”, – thotë Esiona Konomi, duke sugjeruar që kuvendi të ndërtojë një ure komunikimi të standardizuar mes tyre.
Për shkak të këtyre shkeljeve, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Ҫupi thotë se ka kërkuar zhvillimin e një seance të posaçme në Këshillin e Integrimit në Kuvend, ku të dëgjohen gazetarët dhe organizatat e medias.
“Të diskutojmë të gjithë bashkë për lehtësimin e raportimit të tyre. Të jenë të lirë, të ndjehen të lire dhe mos të pengohen në investigimet e tyre kundër korrupsionit të mundshëm apo aferave qeveritare”, thotë për Citizens deputetja Ҫupi.
“Kam kërkuar ndryshimin e rregullores sa i takon akreditimit të mediave dhe gazetareve në çdo aktivitet parlamentar. Përfshirë lejimin në kryesinë e Kuvendit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, qofte në seancat plenare”, – përfundon ajo.
Faqja zyrtare pa transparencë
Kuvendi paralajmëroi standarde të larta informimi dhe transparence kur vendosi të investojë në ngritjen e faqes së re online të institucionit. Dy vjet më vonë, të dhënat monitoruese nga gazetarët dhe grupet e shoqërisë civile tregojnë, se megjithëse faqja e re u ka kushtuar taksapaguesve 17 mijë euro, ende nuk funksionon plotësisht. Informacionet online janë të paplota dhe shpesh të publikuara me vonesë.
Mospublikimi në kohë reale i vendimeve të marra në mbledhjet e mbyllura të Konferencave të Kryetarëve, shihet me shqetësim nga gazetarët.
“Zbardhja e mbledhjeve me dyer të mbyllura si konferenca e kryetarëve bëhet me shumë vonesë. Ndonjëherë bëhet pas disa javësh, kohë kur informacioni nuk është më aspak relevant”, – thotë Kume.
Edhe vendimet e marra në Komisione postohen në faqe me vonesë dhe në mënyrë telegrafike, ndërsa njoftimet për agjendën javore të punës së Kuvendit, shpeshherë nuk janë të plota apo korrekte. Madje mund edhe të fshihen apo ndryshohen në minutat e fundit, duke shkaktuar kakofoni dhe shqetësim për burimin referues nga media.
“Projektligje, projektvendime apo projektrezoluta, këto dokumente publikohen në faqen e Kuvendit, vetëm pasi ato njoftohen në seancë plenare. Edhe procesverbali i votimit në sallën e Kuvendit, nuk publikohet asnjëherë në kohë reale, madje as të nesërmen e seancës”, – rendit disa problematika Ervin Koҫi.
“Mungesa e këtyre dokumenteve e komplikon punën për informimin e publikut”,- thekson ai.
Neni 105, pika dy e rregullores së Kuvendit parashikon që në faqen zyrtare ka një sërë raportesh që duhen ngarkuar, duke u bërë kështu publike për median, por institucioni zgjedh një tjetër rrugë.
Nga vëzhgimet e Citizens.al, del në pah se në shumë raste, raportet janë publikuar vetëm pak orë përpara kalimit të projekt−aktit për shqyrtim në seancë plenare duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e reagimit të ekspertëve dhe grupeve të interesit.
“Draftet, raportet vjetore apo shkresat nuk publikohen në momentin që depozitohen në Kuvend. Ato dalin në faqen e Kuvendit pasi njoftohen fillimisht nga kryetarja e Kuvendit. Është ajo që i shpërndan drejt grupeve parlamentare dhe komisioneve parlamentare dhe më pas bëhen publike, pra shumë vonë”, – sqaron situatën gazetari Ervin Koçi
Mungesën e raporteve në website, e konfirmon edhe Instituti i Studimeve Publike. Nga monitorimi i sesionit të fundit parlamentar (2023) raportoi se vështirësia kryesore qëndron në gjetjen e materialeve. Dokumente dhe të dhëna me rëndësi publike, sikurse procesverbalet e mbledhjeve të komisioneve, CV e kandidaturave që zgjidhen /emërohen nga Kuvendi, të dhëna statistikore etj., ndryshe sa detyron Rregullorja e Kuvendit dhe aktet e brendshme, nuk janë ende online në dispozicion të publikut.
Administrata e Kuvendit thotë se i kushton rëndësi zbardhjes, hartimit dhe publikimit të dokumentacionit në faqen zyrtare të internetit, por ajo bëhet sipas një procedure të përcaktuar në aktin rregullator në fuqi.
“Kërkohet një kohë e arsyeshme për zbardhjen, miratimin dhe më pas publikimin e ҫdo materiali nëse ky përbën dokumentacion parlamentar“, – theksohet në përgjigjen e kryesisë së Kuvendit.
Kuvendi ka shënuar regres edhe në drejtim të disa elementëve të transparencës, sidomos në aspektin statistikor. “Buletini statistikor 2021−2025” ofruar online nga Kuvendi ka mbetur i pa përditësuar prej më shumë se një viti.
Gjithashtu Buletini Informativ, periodik dy−mujor me aktivitetin e seancës plenare apo Newsletter me aktivitetin e çdo seance plenare, të cilat përbënin gjithashtu risi dhe kontribut pozitiv në drejtim të konceptit “parlament i hapur”, nuk janë më në dispozicion të publikut.
Kërcënime nga komisioni i dezinformimit
Në prill 2024, një propozim i deputetëve të Partisë Socialiste, i ҫeli rrugën krijimit të një komisioni të posaçëm parlamentar kundër dezinformimit. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Konferencës së Kryetarëve, ndërsa sipas njoftimit zyrtar, Komisioni synon të shqyrtojë dezinformimin e medias, financimin e huaj dhe ndikimet e dëmshme ekonomike, por edhe të luftojë aktivitetet e rreme online, megjithatë pa dhënë asnjë detaj mbi mënyrën e funksionimit.
Komisioni u ngrit zyrtarisht në 26 qershor nga 6 anëtarë të Partisë Socialiste dhe 2 nga grupet e vogla parlamentare, pasi opozita refuzoi të bëhet pjesë.
E gjithë procedura u krye brenda pak ditëve dhe pa zhvilluar konsultime me grupet e interesit. Për Këshillin e Medias, ky “komision është ngritur pa respektuar procedurën ligjore dhe rrezikon të cenojë lirinë e medias”.
Studiuesi Afrim Krasniqi thotë se nisma dhe përbërja e Komisionit ngre pikëpyetje për integritetin politik të vetë mekanizmit.
“Kemi një komision që mund të bëhet pikë kthese dhe mund të kalojë vijën e kuqe duke rrezikuar lirinë e medias. A ka garanci që ky komision do të jetë gjithëpërfshirës?”, -pyet politologu Krasniqi.
Deputeti Erion Braçe, i caktuar nga PS për të marrë drejtimin e këtij komisioni, nuk iu përgjigj interesit të Citizens për të zbuluar më shumë detaje mbi Komisionin.
Nisma e papritur e Komisionit për Dezinformimin, e cila nuk ishte paraparë, as në Matricën e ligjeve 2024 për qeverinë, as në programin e punës së Kuvendit në fillimet e legjislaturës apo të sesionit të fundit parlamentar, ngre shumë pikëpyetje. Është e paqartë sesi do të përzgjidhen ekspertët që do të jenë pjesë e strukturës, ka mbivendosje kompetencash me institucione të tjera në fushën e medias, apo cilat do të jenë standardet që do të ndiqen në raport me respektimin e parimit kushtetues të lirisë së shprehjes dhe garantimit të lirisë së informimit.
Gazetari Andon Kello tha se ka tentuar të kërkojë informacion më të thelluar, por pa mundur të shterojë paqartësitë.
“Të vetmit që i janë përgjigjur interesit të gazetarëve janë deputetët e opozitës, që frikësohen se Komisioni i Dezinformimit, do të rrisë autocensurën e gazetarëve, sidomos në periudhë zgjedhore, pasi do t’i frikësohen gjobave”, –sqaron Kello.
The post Ndryshimi i rregullores së Kuvendit po cënon raportimin e gazetarëve appeared first on Citizens.al.