- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas ende larg realizimit
Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas ende larg realizimit
Pas dekadave degradimit dhe lënie në harresë, ka nisur puna në terren për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Edhe pse afati për përfundimin e projektit ishte shtatori 2023, në terren janë kryer vetëm 45% e totalit të punimeve.
Hekurudha Shqiptare në një përgjigje për Citizens Channel tha se afati për përfundimin e punimeve është shtyrë në mars 2024, pra me 8 muaj nga afati i përcaktuar në kontratë.
Pergjigje e HSH date 01.06.2023
Pergjigje e HSH date 17.06.2022
Ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë është pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës ekzistuese Tiranë–Durrës, dhe ndërtimit të një degëzimi të ri drejt Rinasit.
Tirana është kryeqyteti i vetëm në Europë pa tren. Ish-stacioni fundor i linjë Tiranë-Durrës, i cili ndodhej në qendër të kryeqytetit u hoq në vitin 2013, duke e zhvendosur atë në Kashar. Kështu hekurudha u largua nga banorët e Tiranës të cilët më herët e përdornin trenin si mjet transporti më të lirë.
Ky projekt ka nisur të diskutohet vite përpara, por në 2016 Ministria e Mjedisit lëshoi Deklaratën Mjedisore. Por që prej lëshimit të deklaratës, zbatimi i projektit ka ecur me hapa të ngadaltë duke shkelur afatet.
Eksperti i transporteve Sadedin Çeliku, shprehet se vonesa lidhet me lëvrimin e fondeve. Ai shprehet se hekurudha është lënë në degradim dhe nuk ka qenë në vëmendje të qeverive për të investuar.
“S’ka pasur interes asnjë qeveri, shkaqet janë të shumta por dhe korrupsioni është një nga arsyet. Sot rrjeti hekurudhor (450 km) është tërësisht i amortizuar kështu ka amortizim ,shinat, traversat, mjetet lëvizëse (lokomotivat, vagona mallrash e pasagjerësh) si dhe i gjithë pajisjet sinjalizuese”, tha për Citizens Channel Çeliku.
Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës parashikohet të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h, dhe ndonëse nuk është përcaktuar ende vlerësohet se çmimi i biletës do të jetë midis 1–1.2 euro.
Projekti parashikon rehabilitimin e 34.7 km linjë ekzistuese hekurudhore ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, si dhe do ndërtohet rreth 5 km linjë e re nga Tirana drejt Rinasit.
Kostot e projektit janë ndarë midis një granti nga Bashkimi Evropian dhe një kredie të dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Qeveria mbulon vetëm kosoton e TVSH-së në këtë projekt.
Në 19 tetor 2020, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli fituese kompaninë italiane INC S.P.A me një ofertë prej 69.69 mln euro. BERZH njoftoi se kohëzgjatja e kontratës do të ishte 30 muaj, pra punimet do të zgjasnin 2 vite e gjysmë. Edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar në datën 3 shkurt 2021, ku u nënshkrua zyrtarisht dhe kontrata mes palëve bëri të njejtën deklaratë.
“Punimet do përmbyllen brenda një afati 30 mujor, ose në verën e vitit 2023. Ne do të ndjekim me përpikmëri gjithë ecurinë e projektit. Kjo, për të facilituar procesin dhe arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme për të ofruar transparencë të plotë të procesit”, deklaroi Balluku.
Harresa e hekurudhës
Citizens Channel ka realizuar një cikël me tre dokumentarëve “Hekur, Pluhur dhe Frikë”, i cili trajton pikërisht boshllëkun që ka lënë harresa e publikes në transportin publik. Hekur është dokumentari i parë i këtij cikli. Hekuri i shinave që dikur lidhnin njerëzit sot është kthyer në ndryshk. Më shumë se gjysma e 447 kilometrave hekurudhë është tërësisht jashtë funksionit, e ajo që ka mbetur është thuajse e pa përdorshme. Dokumentari i parë i këtij cikli trajton “Rrugën e gjatë nga Tirana për në Durrës” duke sjellë histori nga sytë e ekspertëve, përdoruesve dhe ish-punonjësve të hekurudhës. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.
Pluhur është dokumentari i dytë, i këtij cikli. Pluhur është një rrugëtim në këtë infrastrukturë të harruar dhe një bisedë me njerëzit që e ndërtuan atë. Rrjeti hekurudhor shqiptar sot i ngjan vetëm një kujtimi të largët të asaj çka ishte gjatë viteve 1980. Me ndryshimin e regjimit, shinat u ndryshkën dhe trenat u shkatërruan, ndërsa qeveritë u përqendruan në ndërtimin e rrugëve dhe qytetarët iu drejtuan makinave private. Kjo përmbysje e prioriteteve i la në harresë të gjitha format e transportit publik duke izoluar veçanërisht shtresat më të disavantazhuara të shoqërisë.
The post Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas ende larg realizimit appeared first on Citizens.al.