“Ndaloni Aeroportin...”

*Nga Artan Rama

Në të njëjtën ditë, kur për herë të parë në Tiranë u mbajt Samiti i zgjeruar, mes Bashkimit Europian dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor (6 dhjetor, 2022), përfaqësuesit e tyre në Strasburg të mbledhur në Konventën e Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), i kërkuan qeverisë shqiptare Ndalimin e ndërtimit të Aeroportit në afërsi të Lagunës së Nartës dhe të Grykëderdhjes së Vjosës.

Ndalimi i punimeve u propozua nga Kryetari i Komitetit Drejtues së Konventës së Bernës, Znj. Merike Linnamägi, pasi shumica e anëtarëve të kësaj Konvente kishin kërkuar më herët “mbajtjen e një qëndrimi të fortë” për shkak të situatës urgjente në terren.

Reagimi u mbështet në konkluzionet e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët, me nxitjen e Byrosë së Bernës, së bashku edhe me dy konventa të tjera ndërkombëtare për mbrojtjen e shpendëve dhe të habitateve (AEWA dhe CMS), vizituan kantierin në fund të gushtit.

Misioni shënoi një moment të paprecedentë brenda vetë Bernës, kur për herë të parë, tri konventa ndërkombëtare, organizuan një aksion të përbashkët në terren dhe bashkëpunuan së bashku për prezantimin e konkluzioneve.

Ky ishte vlerësimi i dytë në terren, pas të parit në qershor të 2018-s, kur Komiteti Drejtues i Bernës kishte rekomanduar ndalimin e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe të Poçemit.

Këtë radhë, krahas ndalimit të punimeve për ndërtimin e aeroportit, u propozua “Zhvillimi i një Programi të Thellë Monitorimi të Jetës së Egër” në Peizazhin Ligatinor të Nartës, si dhe “rishikimi i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis” të Aeroportit, i cili duhej që të mbështetej mbi të dhënat e siguruara nga kryerja e monitorimit në fjalë.

Qeveria Shqiptare, përfaqësuesja në Bernë e së cilës është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, solli në vëmendje faktin se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të konsultuar raportin, si dhe mendonte se çështja e Aeroportit të Nartës duhej të trajtohej e ndarë nga çështja e statusit të Lumit Vjosa.

“Është tejet befasuese”, – shprehet Aleksandër Trajçe, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), “që reagimi i qeverisë vjen tani e jo përpara një viti, kur Berna shprehu shqetësimin për ndërtimin e aeroportit, duke i kërkuar qeverisë shqiptare që ta rishikonte vendimin. Madje”, – vijon ai, “përfaqësuesit e qeverisë mirëpritën një vlerësim nga Berna në terren (on spot appraisal) dhe nuk kërkuan ndarjen e çështjeve! Reagimi për të ndarë Aeroportin nga Vjosa, tregon se autoritetet nuk synojnë integritetin ekologjik të zonës, sikurse do të duhej të bëhej për një mbrojtje të vërtetë të ekosistemit lumor dhe të peizazhit natyror, por kërkojnë që të garantojnë pazaret e koncensioneve në kurriz të zonave të mbrojtura”, – përfundon, eksperti.

Po në rrafshin kombëtar, disa organizata dhe ekspertë ligjorë, veprimtaria dhe puna e të cilëve prej vitesh i është dedikuar mjedisit, kanë shkuar akoma më tej…

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe pesë autoritete të tjera publike, u paditën pak ditë më parë nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) në Gjykatën Administrative Tiranë, një padi historike që synon pavlefshmërinë absolute të kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës si dhe shfuqizimin e akteve administrative shoqëruese.

“Ne kërkojmë ndalimin e ndërtimit të aeroportit brenda territorit ligatinor të Nartës”, – deklaron Dorjan Matlija, avokati dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ResPublica. “Kjo për shkak se dokumentacioni mjedisor i servirur është mbështetur mbi të dhëna të pasakta dhe të mangëta”, vijon ai. “Për më tepër, siç edhe Konventa e Bernës ka theksuar, …për shkak të mungesës së dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfundon avokati.

Përpara një viti, Kryemininistri Rama nxitoi të përuronte fillimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), përmes një iniciative personale, në shkelje flagrante të procedurave ligjore që kërkonte procesi delikat i trajtimit të burimeve natyrore të vendit, në kushtet e krizës globale mjedisore.

Po tani, në kushtet e një presioni në rritje, qeveria po merr masa për të legjitimuar një proces të shumë kritikuar publikisht, për paligjshmëri konstante. Ironikisht, ajo reduktoi hapësirën e mbrojtur përreth Ligatinës së Nartës, tamam në vendin ku kishin filluar punimet për aeroportin, duke riklasifikuar statusin mbrojtës dhe duke riemëruar zonën. Më tej, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), një organ planifikues ndërministror, në varësi të Kryeministrit, çeli, një vit pas fillimit të punimeve, procesin e dhënies së lejes së ndërtimit për shoqërinë që po ndërton aeroportin.

Por Berna tha: “Ndaloni ndërtimin e aeroportit…”.

Ende nuk ka një qëndrim publik nga autoritetet.

Në pritje për të parë se si do të reagojë qeveria me aeroportin në Lagunën e Nartës, do të kuptojmë edhe seriozitetin e saj për shpalljen e Vjosës park kombëtar; nëse e ka seriozisht, apo thjesht po përpiqet që të lyejë imazhin me bojë të gjelbër, në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të ardhshme vendore.

*Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai e fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016. Së fundi është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

The post “Ndaloni Aeroportin…” appeared first on Citizens.al.