- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Mozaiku në bodrumin e pallatit çlirohet sërish nga ujërat e zeza; Bashkia propozon zhvendosjen
Mozaiku në bodrumin e pallatit çlirohet sërish nga ujërat e zeza; Bashkia propozon zhvendosjen
“A mund ta heqësh zemrën e njeriut, njësoj ta shkulësh edhe këtë nga rrënjët! ”, shprehet punonjësi i pallatit 13 katësh në lagjen 11 në Durrës, ndërsa na shoqëron në bodrumin e nëndheshëm ku është i vendosur Mozaiku i Meandrit, monument kulture i kategorisë së parë.
Ky mozaik u pastrua së fundmi nga firma që po riforcon pallatin e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.
“Këtu i fshehin gjërat! Pallati u ndërtua edhe pse u zbulua mozaiku“– vijon të rrëfejë punëtori teksa hap një mbulesë e mozaikut.
Mozaiku Meandrit u zbulua në vitin 2005 kur u nisi puna për themelet e pallatit, i cili u ndërtua mbi një banesë antike të stilit romak. Pas një përpjekje për ta bërë të vizitueshëm dhe shpalljen Monument Kulture në vitin 2015, mozaiku u rikthye në gjendjen e mëparshme, i pa aksesueshëm dhe i mbuluar nga ujërat e zeza.
“Para disa vitesh, ka pasur angazhime të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Durrës, për të menaxhuar situatën problematike me grumbullimin e ujrave në vendgjetjen e mozaikut. Por ripërseritja e problematikës dëshmon pamundesinë reale të zgjidhjes së këtij problemi“- shpjegon arkeologia Brikena Shkodra.
Inxhinjeri Rudi Lula gjatë ndërhyrjes së pastrimit para pak ditëve theksoi se monumenti ishte në gjëndje goxha të rrënuar dhe u shpreh për mediat se zgjidhja më e mirë për ruajtjen është që të zhvendoset nga dyshemeja e nëndheshme.
“Ne kemi gati 2 muaj që po punojmë këtu dhe kur kemi ardhur, në gjendjen fillestare, këtu ka qenë 60 cm ujë dhe këtu ka qenë gjithë fekale. Për 2 javë rresht kemi punuar pa ndërprerë, me 2 turne, për ta çuar në këtë gjendje që është sot”, tha Leonard Kalia, drejtues i punimeve.
Ky propozim u bë publik edhe nga kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, e cila në një njoftim në Facebook u shpreh se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është kërkuar zhvendosja e mozaikut në Muzeun Arkeologjik.
Citizens Channel kontaktoi Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Durrës, për të mësuar më shumë nëse ka një plan konkret për fillimin e punimeve. Institucioni pohoi se ky projekt është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe vendimet varen vetëm nga ai institucion.
“Strukturat monumentale kanë vlerë në vendin e tyre të gjetjes, zhvendosja tjetërson kuptimin e tyre! Mozaiku paretal i kapelës së amfiteatrit vuan gjithashtu pasojat e kushteve të tilla të disfavorshme të ruajtjes. Edhe pse, situata të jashtëzakonshme, si rasti në fjalë, mund të justifikojnë nevojën e zhvendosjes, kjo nuk mund të jetë zgjidhja e duhur në secilin rast“- analizon arkeologia Brikena Shkodra.
Mozaiku i Meandrit i përket shekulli të parë të Erës Sonë. Monumenti i kategorisë së parë ka në brendësi simbolin e diellit në lëvizje, ka formën e kryqit të thyer dhe pjesë e këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve. Mozaiku i dizajnuar me tesera dyngjyrëshe, të bardha e të zeza me ornamenturën e meandrit, është një element dekorues i një ambienti, pjesë përbërëse e një kompleksi rezidencial të periudhës romake të Dyrrachiumit, e cila sot gjendet e varrosur nën themelet e pallateve.
“Strukturat përbërëse të këtij kompleksi janë gjurmë të mënyrës se si ishte organizuar dhe funksiononte urbanistika e qytetit, si ishte transformuar dhe ripërdorur hapësira e banuar më herët gjatë periudhës romake, cila ishte arkitektura e aplikuar, aspektet inxhinierike dhe dekorative të hapësirës rezidenciale“- përfundon Shkodra.
The post Mozaiku në bodrumin e pallatit çlirohet sërish nga ujërat e zeza; Bashkia propozon zhvendosjen appeared first on Citizens.al.