- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Pushimi kolektiv nga puna në call center: Një prej punonjësve fiton dëmshpërblim në gjykatë
Pushimi kolektiv nga puna në call center: Një prej punonjësve fiton dëmshpërblim në gjykatë
Pushimi nga puna e 188 punonjësve të kompanisë së call centerit “Alba Call” në prill të vitit 2022, organizoi 12 prej tyre për t’ju drejtuar gjykatës.
Së fundmi, një prej punojësve fitoi të drejtën në gjykatë, duke përfituar shpërblimin prej gjashtë pagash.
Sipas drejtuesit të sindikatës SKOT, Ilir Xhemalaj, në vitin 2021, kompania Alba Call me pretekstin e falimentimit largoi një pjesë të konsiderueshme punonjësish me dorëheqje, duke shmangur kësisoj dhënien e vjetërsisë së punës për çdo punonjës, ndërsa 188 punonjës i largoi me pushim kolektiv.
“Nga këta 188 veta, 12 veta e çuan në gjyq kompaninë, për arsye se kompania gjatë pushimit kolektiv nuk respektoi procedurat që jep kodi i punës, për të thirrur sindikatën, duke qenë se ne ishim sindikatë prezente në kompani dhe përfaqësuesi i këtyre punonjësve, ata nuk na thirrën ne që të diskutonim së bashku kushtet e largimit kolektiv nga puna”,-shprehet Xhemalaj për Citizens Channel.
Ilir Xhemalaj, SKOT
Sipas tij, padia në gjykatë u dorëzua kolektive,e firmosur nga 12 punonjës të kompanisë, por gjykata e ndau në 12 çështje.
“Kompania ishte e paditur ndër të tjera për dy gjëra: njëra ishte mos respektimi i afatit të procedurave dhe tjetra ishte mos përfshirja e sindikatës si pjesë e procesit të pushimit kolektiv nga puna. Gjykata njohu pikërisht këtë pjesë si shkelje, pra mos përfshirjen e sindikatës në procesin e pushimit kolektiv nga puna dhe për këtë gjë na dha të drejtë dhe dëmshpërbleu punonjësin në fjalë me gjashtë paga. Kjo ishte vetëm ëështja e parë, ndërkohë që të tjerat i kemi në gjykatë dhe po ndjekim”,-argumenton Ilir Xhemalaj.
11 çështjet e tjera pritet të shqyrtohen duke nisur nga shtatori.
Sipas Xhemalaj, sindikata bashkë me asistencën ligjore ka edhe një tjetër padi kolektive me një tjetër kompani sikurse Bikonekti, e cila ka të bëjë me mos pagesën e ditëve festive për punonjësit.
“Jemi akoma në fazat fillestare dhe presim tani që të na thërrasin për shqyrtim. Te Biconekti kemi për mos pagesën e ditëve festive, nga viti 2016 deri në vitin 2019, për të gjithë punonjësit”, -u shpreh Xhemalaj.
The post Pushimi kolektiv nga puna në call center: Një prej punonjësve fiton dëmshpërblim në gjykatë appeared first on Citizens.al.