“Mosha e tretë në kufijtë e varfërisë”, rritet numri i të moshuarve që nuk marrin pension të plotë

Numri i të moshuarve që marrin pension të pjesshëm u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2022. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se rreth 48% e pensionistëve në qytet dhe rreth 40% e pensionistëve në fshat nuk marrin pension të plotë.

Ky numër u rrit me 22,644 individë krahasuar me një vit më parë.

Pension të pjesshëm mund të përfitojnë ata persona, të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sikurse e përcakton ligji, mirëpo sipas skemës së sigurimeve shoqërore ata mund të marrin pension për aq vite sa kanë punuar dhe kontribuuar në skemën e pensioneve, por jo më pak se 15 vite gjithsej.

Sipas ligjit burrat kanë të drejtën e përfitimit të pensionit në moshën 65 vjeç, ndërsa gratë në moshën 60 vjeçare.

Rritja e personave që përfitojnë pension të pjesshëm tregon për qëndrueshmëri të ulët financiare të moshës së tretë, duke theksuar kësisoj varfërinë për këtë kategori qytetarësh.

Të ardhurat e të moshuarve janë sa pragu i minimumit jetik

Sipas Avokatit të Popullit minimumi jetik që i nevojitet një personi për të jetuar me ushqime bazike është 18,500 lek. Pensionet e reduktuara që përfitojnë qytetarët shqiptarë janë më të ulëta se sa minimumi jetik duke thelluar kësisoj varfërinë e kësaj kategorie qytetarësh.

I njëjti raport ka pasqyruar të ardhurat mesatare të pensionistëve, ku përfshihet e gjithë paketa e asistencës dhe subvencioneve qeveritare për të moshuarit. Ajo që vihet re është se mesatarja e të ardhurave të një pensionisti në fshat është 10,888 lekë në muaj, shumë më e ulët se sa minimumi jetik.

Ndërsa mesatarja e të ardhurave të pensionistëve në qytet e kalon kufirin e minimumit jetik me vetëm 115 lekë.

Shteti shqiptar nga ana tjetër nuk e ka miratuar ende një ligj që njeh minimumin jetik, pavarësisht thirrjeve nga Avokati i Popullit apo organizata jo qeveritare e subjekte politike.

Një pjesë e pensionistëve detyrohen të punojnë për të mbijetuar, pasi që pensioni që ata marrin nuk ju mjafton për të mbuluar shpenzimet e përditshme.