- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Misionet arkeologjike në jug nxjerrin në dritë zbulime të reja në Finiq, Antigone dhe Paleokastër
Misionet arkeologjike në jug nxjerrin në dritë zbulime të reja në Finiq, Antigone dhe Paleokastër
Autor: Raimond Kola | Citizens Channel | Gjirokastër
Misionet Arkeologjike u rikthyen në Shqipëri këtë vit në disa site të rëndësishme të trashëgimisë kulturore duke sjellë zbulime të reja arkeologjike në jug të vendit. Ekspeditat në zonat e Finiqit, Antigonesë dhe Paleokastrës nxorën në dritë detaje të reja rreth antikitetit, që nga muret romake, varret antike dhe godinat me funksion tregtar.
Në gjurmët e periudhës Romake të Finiqit antik
Në qytetin antik të Finiqit misioni shqiptaro italian i kërkimeve hyri në vitin e 21. Drejtuesja shqiptare e misionit Belisa Muka thotë se gjetjet e këtij viti janë mjaft mbresëlënëse.
“Gjetja më mbresëlënëse e këtij viti është një statujë e madhe mermeri që nga vlerësimet paraprake duket se i përket një perëndie. Kemi gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike objekte të ndryshme bronzi, monedha, fragmente afresku dhe material mjaft të pasur qeramikë. Kjo është një zonë që është përdorur e ripërdorur në periudha të ndryshme, historike ku secila prej tyre ka lënë gjurmën e saj”, thotë arkeologia Muka.
Ndërsa profesori italian Xhiuzepe Lepore i Universitetit të Bolonjës thotë se më në fund ka dalë në dritë në Finiq periudha romake.
“Nga gërmimet më në fund po del në dritë në Finiq periudha romake nga Augusti tek Traiani e me tej në periudhën e antikitetit të vonë. Fragmente të shumta muresh të godinave janë zbuluar në sipërfaqen e pjerrët të kodrës ku shtrihet qyteti antik”, thotë zoti Lepore.
Qyteti antik i Foinikes u kthye në Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005 dhe përbën një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë. Lindur si qytet në fund të shekullit të V Para Krishtit, Foinike njihet si kryeqendra e Kaonëve dhe më pas kryeqyteti i lidhjes së tre fiseve më të rëndësishme Kaonëve, Thesprotëve dhe Molosëve. Qyteti jetoi pas pushtimit të Romës dhe njohu faza të rëndësishme zhvillimi edhe më pas në periudhën bizantine dhe të antikitetit të vonë duke e humbur rëndësinë me fillimin e sundimit Osman.
Gjirokastër: Një godinë tregtare zbulohet në Antigonenë e lashtë
Në qytetin antik të Antigonesë gërmimet arkeologjike u drejtuan këtë vit nga Roberto Perna i Universitetit të Maceratës dhe Sabina Veseli e Institutit të Arkeologjisë dhe u përqendruan këtë vit në zonën e Agorasë së qytetit.
“Këtë vit gërmimet kanë filluar në shkallë të gjerë dhe kjo është veçanësia e parë”, thotë Sabina Veseli.
Ajo tregon se është zbuluar një godinë që sipas vlerësimeve paraprake duhet të jetë përdorur për qëllime tregtare. Krahas monedhave, pitoseve, materialit qeramik ka pasur edhe objekte të tjera të gjetura si një reliev i punuar në qeramik apo objekte të tjera më të vogla. “Gërmimet janë shoqëruar me analiza gjeofizike dhe synimi është të shkohet në Antigone në identifikimin e zonës ku ndohet Teatri,” shton Veseli.
Antigoneja u ndërtua në vitin 295 para Krishtit, me urdhër të mbretit të Molosëve Pirro dhe qyteti u pagëzua me emrin e gruas së tij të parë, Antigonës. Qyteti që lindi nga dashuria u dogj gati 100 vjet më vonë nga romakët si hakmarrje ndaj përkrahësve të Aleksandrit të Madh.
Një varr antik në Kalanë e Paleokastrës
Ndërsa në Kalanë e Palokastrës gërmimet e këtij viti janë përqendruar në zbulimin e traktet e mureve të ndërtesave që kanë qenë brenda kësaj kështjelle, gjetjen e rrugën hyrëse të kalasë nga pjesa perëndimore e saj dhe vazhdimin e komunikimit të këtyre ndërtesave.
Arkeologu Melsi Labi thotë se me rëndësi këtë vit ishte zbulimi i një varri antik në Kalanë e Palokastrës që mendohet se i përket shekullit të V-VI pas Krishtit. Objekti, sipas vlerësimeve paraprake të arkeologëve lidhet me një kishë fragmentet e së cilës ishin gjetur dy vite më parë gjatë gërmimeve.
Arkeologu italian Rikardo Karmenati thotë: “Misioni i këtij viti ka konfirmuar të dhënat e siguruara nga analizat me gjeoradar dhe gjeomagnetike të kryera gjatë viteve të shkuara si për godinat brenda kështjellës edhe rrugë-kalimet”.
Kalaja e Palokastrës ndodhet rreth 13 km larg nga Gjirokastra dhe ishte një garnizon i një legjioni romak që kontrollonte komunikimin në Luginën e Drinos ne periudhen e antikitetit të vonë.
The post Misionet arkeologjike në jug nxjerrin në dritë zbulime të reja në Finiq, Antigone dhe Paleokastër appeared first on Citizens.al.