Miratohet fondi për ndërhyrje në Urën e Zogut

Qeveria ka miratuar ditën e sotme një shtesë fondi në buxhetin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2023, për ndërhyrje emergjente në rehabilitimin e Urës së Zogut.

Buxheti i shtuar do të përdoret për financimin e projektit teknik për një ndërhyrje emergjente në Urën e Zogut, një monument kulture i kategorisë së parë dhe ka një vlerë prej 57 milionë lekësh (57 515 644 lekë).

Pak ditë më parë, ekspertë nga organizata “Europa Nostra” dhe “Instituti i Bankës Evropiane për Investime” publikuan një raport ku kërkohej nevoja për ndërhyrje emergjente dhe konkrete për të shpëtuar Urën e Zogut.

Ura e Zogut, Monument Kulture i Kategorisë së parë, prej vitesh në gjendje të degraduar arriti të tërheqë vëmendjen e institucioneve, pas vitesh protesta dhe thirrje për ndërhyrje në trupin e saj, vetëm në janar të 2023. Kjo ndodhi pasi ura pësoi dëmtime të mëdha si pasojë e rreshjeve të shiut në dhjetor të vitit të kaluar.

Ura e Zogut u rendit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara nga Europa Nostra.

Sipas raportit të Europa Nostrës dhe Institutit të Bankës Evropianë për Investime, do të ketë tre faza ndërhyrje në objekt.

Faza e parë duhet të përqendrohet kryesisht te këmba e pestë e urës. Kostoja e përllogaritur për zëvendësimin e këmbës së urës është 600.000 euro, kosto që duhet të mbulohen nga qeveria shqiptare.

Faza e dytë lidhet me restaurimin e harqeve të urës, fazë e cila do të detajohet në varësi të implementimit të fazës së parë, ndërsa faza e tretë konsiderohet faza përfundimtare, që parashikohet të mbarojë brenda katër vitesh.

Europa Nostra sugjeron që pas vitit 2027, ura mund të rivendoset në përdorim të qytetarëve duke shërbyer si hapësirë për këmbësorët, çiklistet dhe si hapësirë e përshtatshme për evente sociale dhe kulturore.

Historiku i Urës së Zogut

Ura e Zogut u rendit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara nga Europa Nostra.

Ura e Zogut është një nga asetet e trashëgimisë kulturore të Kurbinit, e ndërtuar në vitin 1927. Ura me Harqe, është ndërtuar dhe projektuar nga Inxhinieri Italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga Italia.

Zbatimi i projektit të Urës së Zogut u bë nga inxhinieri i shquar shqiptar, Gjovalin Gjadri. Ura është ndërtuar brenda një viti dhe është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve të saj dhe detajet të tjera arkitekturore ishin një risi për kohën kur është ndërtuar dhe akoma sot në Universitetin e Inxhinierisë trajtohet dhe studiohet stili inovativ i kësaj Ure.

Citizens Channel ka raportuar më herët për protestat e mbajtura nga banorët e Kurbinit për mbrojtjen e urës. Në shtator të këtij viti, të rinjtë e Kurbinit organizuan një marshim në mbrojtje të “Urës së Zogut”.

Në janar të vitit 2021, për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të lumit Mat, një prej këmbeve mbajtëse të urës është zhvendosur rreth dy metra, gjë e cila ka bërë që një pjesë strukturës të zhytet edhe më shumë.

Organizata Sebastia dhe qytetarët firmosën një peticionin për Mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës dhe kërkuan nga Ministria e Kulturës, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, nga Bashkia Kurbin dhe Bashkia Lezhë, që të merren masa emergjente për ndaljen e rrënimit të urës si dhe të hartohet një projekt për mbrojtjen afatgjatë të saj.

Aktivistët paralajmëruan se hapi i radhës do të ishte kontaktimi i organizatave ndërkombëtare, që mbrojnë trashëgiminë kulturore.