Ministria e Financave nuk raporton për 162 kontrata koncesionare

Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë informacion për 162 kontrata koncesionare, në raportin vjetor.

Janë gjithsej 228 kontrata me Partneritet Publik Privat (PPP) që janë në zbatim, teksa ministria ka raportuar për 65 të tilla, duke pranuar se kanë pasur mangësi në kontrollin e tyre. Edhe për 65 kontratat e raportuara ka pasur mangësi. Pesë prej 228 kontratave janë pushuar, si rezultat numri aktual i kontratave të koncesionit/PPP është 223.

Numri më i madh i tyre ka si Autoritet Kontraktues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 206 kontrata koncesionare/PPP.

Mbledhja e informacionit ka hasur vazhdimisht vështirësi dhe për rrjedhojë ky raport do të përcjellë informacion për 65 kontrata koncesioni/PPP”, sqaroi Ministria e Financave.

Ministria e Financave duhet të raportojë çdo vit për kontratat koncesionare sipas ligjit “Për Koncesionet/PPP” të 2018. Raporti konsiston në ecurinë e këtyre kontratave si dhe kostot e tyre.

Ministria shfaqi mangësi në raportimin për kontratat koncesionare në sektorin e transportit si dhe inceneratorëve.

Projekti koncesionar për ndërtimin e rrugës së Arbrit me vlerë 26.5 miliardë lekë  nuk ka realizuar investimet e planifikuara, sipas raportimit. Ministira ka njoftuar për ndërprereje të kontratës koncesionare për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren me vlerë 17.7 miliardë lekë. Kjo si rezultat i mospërmbushjes së kushteve të kontratës.

Sipas Ministrisë së Financave, Autoritetet Kontraktuese kanë pasur një performancë jo të mirë në ofrimin e shërbimeve dhe punëve publike. Ministria u ka kërkuar një pëmirësim në këtë aspekt dhe sa i përket minimizimit të risqeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit.

“183 kontrata vetëm për HEC-e”

Fusha e energjitikës është ajo me numrin më të madh të koncesioneve. Janë gjithsej 183 kontrata në fushën e energjitikës me një vlerë 415.2 miliardë lekë. Sektori i dytë është ai i Transportit me 20 kontrata me vlerë 100,6 miliardë lekë.

Nga 183 kontrata koncesionare në fushën e hidroenergjisë, rreth 66% e tyre janë aktive, respektivisht 24 prej tyre janë në fazën e investimit, 99 kontrata koncesioni/PPP janë në fazën e prodhimit. 

Ministria e Financave ka raportuar vetëm për 35 kontrata koncesionare në fushën e energjitikës. “Është paraqitur informacion për kontratat për të cilat informacioni i raportuar është më i plotë nga Autoriteti Kontraktues”, njofton Ministria e Financave. 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ATRAKO, (2022)

Devoll Hydropower sh.a është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në sektorin privat, me 395,634 Mëh apo 11% të totalit të energjisë së prodhuar. Shoqëria Devoll Hydropower  operon hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës. Kontrata Koncesionare është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në 2008, po ka pësuar ndryshime dhe shtesa në vitet 2010,2013,2014. Vlera e investimit për këtë koncesion është 130 miliardë lekë sipas Ministrisë së Financave.

“Shumë koncesione në pak duar”

Një problematikë e shfaqur në lidhjen e kontratave koncesionare ndër vite, është përqëndrimi i tyre në duart e pak kompanive. 

Sipas të dhënave të Open Data Albania (ODA) 10 kompani kanë marrë 42.79% të fondit të prokurimeve, ndërsa 15 kompani kanë marrë 52% së bashku.

Gjatë vitit 2021 me konkurrim janë dhënë  17 961 Kontrata dhe janë angazhuar 2 148 biznese kontraktor, sipas ODA.

Dhjetë bizneset që kanë përfituar më shumë kontrata janë: 

Intekar Yapi LTD STI; 4 A-M ; Salillari ; 2 T ; Alb – Star ; G.P.G Company ; Agbes Construksion ; Euroteorema Peqin .

Kompania turke İNTEKAR YAPI LTD. ŞTİ është shoqëria që ka përfituar më shumë kontrata. 

Burimi: Open Data Albania

Kjo shoqëri ka fituar tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë në seksionin rrugor Orikum – Himarë pjesë e autostradës. Oferta Fituese pa TVSH në këtë tenderim është 17.03 miliardë lekë apo rreth 141.9 milion Euro. 

Ndërsa për sa i përket numrit të kontratave koncesionare në total, sipas një grafiku të ODA dy kompanitë që kanë përfituar më shumë tendera jane Fusha shpk dhe Salillari.

Përkatëisht, Fusha shpk ka fituar 61 tendera me vlerë 5.8 miliardë lekë. Ndërsa Salillari ka përfituar 31 tendera me vlerë 4.2 miliardë lekë.