“Miliona Lekë humbje”, rritja e çmimeve të biletave në muze i lë të pakënaqur operatorët turistikë

Rritja e çmimit të biletave për muze, monumente kulture dhe parqe kombëtare hyri në fuqi në janar të këtij viti pas miratimit të urdhrit 715, datë 10.12.2019 nga Ministria e Kulturës (MK). Kjo nuk u prit mirë nga operatorët turistikë shqiptarë. Këta të fundit humbasin shumë nga ky ndryshim, pasi 90% e kontratave për vitin 2020 janë mbyllur tashmë.

“Ne kemi me këtë vendim humbje të mëdha, me qindra mijëra euro humbje. Për çdo turist që do të bëjë në 2020 një tur 8 ditor në Shqipëri, minimumi duhet të paguajë 30-40 euro më shumë nga rritja e çmimit. Kjo është faturë për tur operatorët Shqiptarë pasi nuk mund t’i thuash gjermanëve dhe francezëve tani, që për 1 muaj ka ndryshuar çmimi. Është një diskreditim për ne dhe vendin tonë”, – Sokol Hoxha kryetar për tur operatorët dhe agjencitë turisatike, në Shoqatën Kombëtare të Turizmit (Albanian Tourism Association – ATA).

“Pas 2 tërmeteve të shtatorit dhe të nëntorit ka shumë anulime. Ne jemi në një situatë ku duhet të tregojmë që hotelet janë në rregull dhe të gatshëm të presin njerëz. Hotelet zbresin çmimet që mos t’i ikin rezervimet dhe në këtë kohë ne na miratohet vendimi famoz për rritjen e çmimeve të biletave. Në këtë vit normal është dashur të zbriten çmimet që të afrojnë turistë dhe asnjëherë të rriten çmimet”, shprehet ai.

Drejtoresha e politikave të MK, Kozeta Angjeliu është shprehur se ndryshimi i çmimit nuk është problem për turistët e huaj në një kronikë të Report TV, publikuar në YouTube më datë 8 janar 2020.

“Është fatal ky deklarim i Ministrisë dhe papërgjegjshmëri e tyre. Nuk mund të thuash se të huajtë e paguajnë pa problem. Vendimi nuk është serioz”, – shprehet Z. Hoxha

Për turistët vendas është problem edhe më i madh, pasi atyre do t’iu duhet të paguajnë më shtrenjtë pasi janë individualë dhe nuk përfitojnë nga zbritja e grupeve.

Ministra e Kulturës përpara se të merrte këtë vendim nuk është konsultuar me asnjë nga shoqatat e turizmit. Ata shprehen se janë dakord për rritjen e çmimit në vitin 2021 në mënyrë që të kenë mundësi të ndryshojnë kontratat dhe të njoftojnë partnerët në kohë. Ky problem i është adresuar edhe MK nëpërmjet një letre, por nga ta nuk ka ende një përgjigje.

Në përfundim të letrës ATA i rithekson Ministrisë së Kulturës se:

  1. Përpara se të sugjerohen dhe të miratohen masa që sjellin efekt financiar është e rëndësishme të pyeten dhe të konsultohen palët e interesit.

  2. Përpara se të merren masa për të mirën e industrisë le të përcaktojmë përparësitë e masave apo ndërhyrjeve në varësi të momentumit.

  3. Përpara se sugjerohen dhe të miratohen ndryshime me rritje të çmimeve të shërbimeve në qendra të vizitueshme, të kihet parasysh se këto rritje në turizëm shoqërohen nga një tolerancë kohore për zbatueshmërinë e tyre.

  4. Përpara se të sugjerohen dhe miratohen ndryshime me rritje të çmimeve këto ndryshime duhet të justifikohen me ndryshimin që do të sjellin në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimit në këto qendra.

Ministria e Kulturës është kontaktuar për reagimin e saj ndaj letrës së ATA, por nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

*Citizens Channel | Theodhora Mucollari