- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Memet” e rrjeteve sociale zbresin në rrugë gjatë protestave studentore
“Memet” e rrjeteve sociale zbresin në rrugë gjatë protestave studentore
Studentët kanë hyrë sot në ditën e katërt të protestës. Edhe sot ata marshuan nga ambientet Universitare për tu mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit.
Prej tre ditësh protestës i janë bashkuar edhe studentë nga Universitetet publike në Shkodër, Korçë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë. Në secilin nga këto qytete është bojkotuar procesi mësimor dhe studentët janë organizuar në marshime me kërkesat për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe përmirësim të kushteve në universitet dhe konvikte.
“Memet” zbresin në rrugë
Në turmën e studentëve bien në sy pankarta nga më të ndryshmet ku nuk mungon ironia dhe thumbimet për qeverinë. Shumë nga ato kanë formën e “memes” të cilat janë koncepte dhe ide që shpesh përmbajnë nota humori dhe shpërndahen virtualisht përmes rrjeteve sociale në formën e fotografive ose videove.
Video më poshtë tregon disa nga “memet” e përdorura gjatë protestës:
Fuqia e “memeve” është tashmë e njohur në botë, shumë shpejt ato kanë evoluar nga një funksion thjesht argëtues tek përfaqësimi i ideologjive dhe mesazheve politike. Ka shumë shembuj nga vende të mëdha si SHBA dhe Franca ku “memet” kanë qenë përgjegjëse për ndryshime në rezultatin e zgjedhjeve apo shkatërrim të reputacionit të politikanëve.
Është tashmë e provuar se në botën e zhurmshme të komunikimit memet kanë një aftësi të çuditshme për të artikuluar mesazhe efektive për audiencën e gjerë dhe duket se studentët e kanë kuptuar këtë.
*Citizens Channel
The post “Memet” e rrjeteve sociale zbresin në rrugë gjatë protestave studentore appeared first on Citizens.al.