- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Manovër hileqare”, ndryshimet për Zonat e Mbrojtura i hapin rrugë investimeve strategjike
“Manovër hileqare”, ndryshimet për Zonat e Mbrojtura i hapin rrugë investimeve strategjike
Qeveria përmes ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura” i hap rrugë investimeve strategjike në këto zona. Përmes nenin 33 në draftin e ndryshuar të qeverisë, i jepet leje investitorëve strategjikë për të shfrytëzuar zonat e mbrojtura.
Neni 33 thotë: “Veprimtaritë e lejuara në zonat e mbrojtura” përcakton se janë të lejuara investimet strategjike dhe veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në vendimin e KKT-së për shpalljen e zonës së mbrojtur”.
Ndryshim tjetër i rëndësishëm dhe që sipas ekspertëve ka qenë qëllimi kryesor i tyre, është lënia e vendimmarrjes, në dorë të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Qeveria u tërhoq nga propozimi për administrimin e 20% të zonave të mbrojtura nga bashkitë, por lejon që të shfrytëzojnë kullotat dhe i hap rrugë investimeve strategjike në këto zona.
“Çështja e 20% ishin thjesht për të krijuar konfuzion, se sa një nevojë reale e bashkive”, thotë Alekandër Trajçe nga PPNEA.
Ai shprehet se qeveria ka bërë një manovër për t’u fokusuar në objektivin e tyre kryesor që është dhënia e një fuqie të plotë KKT-së për të marrë vendimet për zonat e mbrojtura.
KKT nuk ishte përmendur më herët në ndryshimet dhe diskutimet e bëra me organizatat, pas kundërshtive të tyre ndaj 20% të bashkive. Qeveria u premtoi se do të tërhiqej dhe në draftin e fundit është tërhequr nga kjo pikë, por i ka dhënë fuqi të plotë KKT-së.
Trajçe e cilëson një “hile” për të shmangur konsultimin publik.
“Në dëgjesën që bëmë me komisionin parlamentar e theksuam nevojën për t’u konsultuar pasi mendimi i qeverisë të shkonte në komision. Kjo u bë sepse ne kishim frikën që kjo manovër do të përdorej për të shmangur konsultimin publik”, – tha Trajçe, duke shtuar më pas se “kështu ndodhi”.
Taulant Bino nga AOS, thotë se kjo është një lojë procedurale, ndërsa shton se “Këshilli i Ministrave po përpiqet të ndryshojë ndjeshëm legjislacionin për Zonat e Mbrojtura, duke synuar lehtësimin e zhvillimit të projekteve strategjike brenda këtyre rajoneve”.
Ai nënvizon se ndryshimet e reja përbëjnë një kërcënim edhe më të madh në krahasim me versionin e paraqitur nga deputetët socialistë.
“KKT është rikthyer si autoriteti kryesor që qeveris këto rajone, duke sanksionuar rregulloret, strukturat e paligjshme, investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme”, thotë Bino. Ai shton se ka një perceptim se projektligji është autorizuar më herët nga Këshilli i Ministrave.
“Nëse arrihet rezultati i dëshiruar i qeverisë dhe miratohet ky projektligj, legjislacioni mund të quhet me vend “Ligji për Zonat e Pambrojtura”, thotë Bino.
Në të njëjtën kohë që këto ndryshime po miratohen, qeveria shtyu afatin për ligjin për investimet strategjike deri në 2027.
Drafti i qeverisë parashikon krijimin e një strukture paralele me Administratën e Zonave të Mbrojtura, që do të jetë Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare (ZAPK).
Ky institucion do të jetë në varësi të ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura, i organizuar në nivel qendror dhe rajonal.
Gjithashtu, ndryshimet parashikojnë që “AZHT-ja, në cilësinë e sekretariatit teknik të KKT-së, sugjeron që shpallja e zonave të mbrojtura sipas nenit 10 të ligjit aktual të miratohet vetëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit”.
Shqetësuese për organizata mjedisore janë sugjerimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me nenin 18 të projektligjit.
Ata propozojnë zgjerimin e nenit 33 për të lejuar ndërtime ekskluzivisht për projekte të konsideruara nga shteti shqiptar me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit. Këto projekte strategjike do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
The post “Manovër hileqare”, ndryshimet për Zonat e Mbrojtura i hapin rrugë investimeve strategjike appeared first on Citizens.al.