- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Mamurras, jeta në rrugën e guroreve
Mamurras, jeta në rrugën e guroreve
Sot është dita e trembëdhjetë e protestës së banorëve të lagjes “Demokracia” në Mamurras për të mos lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Sipas tyre rruga nuk është e përshtatshme për kalimin e qindra trailerave në ditë, të cilët furnizohen me materiale inerte në guroret e vendosura pranë kësaj zone.
“Leje pluhurin që është njëlloj sikur të punosh në minierë, edhe më zi, plus që na zë makina fëmijët, nuk jemi të zotë me i çu as te dyqani, as tek shkolla, as kurrkund, vetëm roje, roje natë e ditë”, tregon për Citizens Channel një prej banoreve të zonës, Age Gjoka.
Përtej zhurmës dhe frikës, ajo na tregon edhe të çarat e shtëpisë, që janë krijuar nga tronditja që shkaktojnë këto shpërthimet. Çarja dhe krisja e mureve është një pasojë që e vuajnë pothuajse pjesa më e madhe e banorëve që kanë banesën në krah të rrugës.
“Kam një dyqan të vogël ushqimore dhe aty janë plasur shumë muret, jo nga tërmeti, se kur vinë trailerat 80 tonë tërmet kemi gjithmonë… ”, thotë Ndue Doda.
Banorët konfirmojnë se përtej infrastrukturës rrugore ku janë çarë shumë tubacione dhe puseta, në këto pesë vitet e fundit është dëmtuar rëndë edhe peizazhi pyjor.
“Hajde digj vendin, ve gurore. Kush e dogji pyllin? Nuk dihej, por ne e dinim kush e digjte se pas 15 ditësh u vu gurorja. Janë 14 administratorë atje”, shpjegon Pjetër Pula.
Bashkia Kurbin shkel afatet e marrëveshjes me banorët
Sipas një njoftimi të ngjitur banorët, ata shprehen se afati i marrëveshjes së përcaktuar me Bashkinë Kurbin dhe Policinë e Shtetit ka përfunduar. Sipas tyre, Bashkia Kurbin i ka kërkuar dy herë kohë që të zgjidhë situatën, por deri më tani asgjë e premtuar nuk është mbajtur.
“Na thanë edhe një muaj sa të bëjmë rrugën në Droj, na prunë projektin e Drojit, në lumin e Drojës, edhe mirë… Tani u mblodhëm ne si lagje, i thamë meqë kemi 20 vjet, kemi ndenj në pluhur dhe baltë, t’jua falim edhe një muaj e gjysmë. Kur vjen puna nuk u bë prap”, thotë Ndue Doda.
Prej 12 ditësh mjetet e tonazhit të rëndë nuk kanë kaluar më në rrugën e lagjes “Demokracia”. Banorët premtojnë se do ta vijojnë protestën deri në ndërtimin e një rruge alternative.
“Duke prit Bashkinë, sipas premtimit që na patë dhënë, që në krye të muajit unë do vej tabelat e kufizimit të mjeteve të tonazhit të lartë, si rrugë urbane që është, po ata akoma nuk e bëjnë atë punë, se janë në fushatë. Ne do vazhdojmë protestën derisa të gjejnë rrugë ata, ta flemë mendjen që nuk ka mjete të tonazhit të lartë këtu”, përfundon Pjetër Pula.
Deri në publikimin e këtij shkrimi Bashkia Kurbin ende nuk i është përgjigjur kërkesës për koment nga Citizens Channel mbi projektin e rrugës së re që pritet të ndërtohet.
The post Mamurras, jeta në rrugën e guroreve appeared first on Citizens.al.