• Buletini informativ i Citizens.al
  • Posts
  • Aktivistja Liri Kuçi: “Barazia na do në vijë të parë dhe krahpërkrah, përndryshe, luftojmë me mullinjtë e erës”

Aktivistja Liri Kuçi: “Barazia na do në vijë të parë dhe krahpërkrah, përndryshe, luftojmë me mullinjtë e erës”

A ndjeni që në mjedise të caktuara, ka një lloj talljeje apo nënqeshje pikërisht pse ju ndani qëndrime feministe lidhur me pozitën e gruas në shoqëri? Pse mendon se vijnë këto komente?

Për shkak të angazhimit të hershëm me çështjet gjinore dhe duke marrë parasysh mjedisin tonë shoqëror –  ku veçse ka munguar diskursi feminist, ka pasur majft boshllëk edhe në nismat shtetërore, duke filluar që nga edukimi, e deri te siguria  – nuk është dhe aq e vështirë që përpjekjet për të nisur së paku me artikulimin e çështjes së të drejtave të grave, të tentojnë të t’i atribuojnë si pikë të dobët.  Është sfiduese të jesh aktiviste për emancipim e barazi gjinore në një shoqëri si e jona – ku as nuk mësohet nëpër shkolla për lëvizjet feministe dhe përpjekjet historike të grave për të drejta politike, ekonomike dhe shoqërore, apo ku dhuna ndaj grave përmendet shkujdesur nëpër ndonjë kronikë mediatike, që me anë të ndonjë titulli skandaloz, lajmëron se një grup inicialesh femërore iu shtuan së fundmi listës së viktimave të dhunës në familje. Kështu, kur nga një situatë rehatie e status-quosë mashkullore ku edhe batutat që qeshen fort janë seksiste dhe të dhunshme, duke tentuar të ngresh ligjërim dhe madje “të pretendosh” se gratë sot janë të pambrojtura nga shteti dhe të dhunuara nga shoqëria – minimalisht do të marrësh në këmbim romuze ( në rastin më të mirë) dhe tallje dhe intimidim për shumë gjatë (sa kohë një shoqëri e barabartë ngelet larg).

Megjithatë, pasiv-agresivët apo bulluesit mund të përballohen lehtë. Zakonisht, nuk kanë argumente që u shkojnë më larg se bejtja neoliberale “gratë sot kanë të drejtë që me anë të konkurrencës në punë, të hahen dhëmbë për dhëmbë me burrat, si dhe të fitojnë barabar për punën që bëjnë”. Gjepura, hëh? Një grua, që në intervistën e parë të punës, pyetet për gjendjen civile, nëse ka fëmijë a do e bëjë tjetrin dhe kur do ta nisë, a e ka fëmijën në shkollë, a jeton me vjehrrit që të kujdesen për ta, e  për t’i thënë ndoshta më në fund se nuk është pranuar për pozicionin, pasi kompania e tyre është duke kërkuar dikë që në mos qoftë beqar, jeta familjare të mos bëhet pengesë – një burrë.

Pse gratë dhe vajzat shqiptare përjetojnë dhunë më bazë gjinore?

Dhuna në familje? Vrasjet? Përdhunimet? Pse kaq shumë gra të flijuara?

 Nuk ka shoqëri perfekte, kudo në botë dëgjon për dhunë episodike. E vrau nga dashuria, ishte xheloz, iu errën sytë. Motive të dobëta. Ajo e provokoi. Epo ç’do aq vonë rrugëve. Është i shoqi, di ç’bën me të.” – Ky model ushqehet nëpërmjet mediave, familjeve dhe rretheve shoqërore. Përgjigjje të tilla që i dëgjojmë rëndom, gëzojnë premisat për t’u kthyer në alibinë e secilit që jep mendim, e dikur i duhet të pozicionohet. Kur shteti, institucionet edukuese dhe/ apo organizatat dështojnë që të sigurojnë funksionalitetin e strukturave nëpërmjet punës praktike, atëherë sigurisht që modelet e mësipërme – të dhunshme dhe justifikuese të dhunës – jo vetëm që do të normalizohen, por edhe do të qesharakëzohen. Tallja dhe batutat që bëhen, kur ka diskutime për fenomene sociale si dhuna e shumanshme që provojnë gratë në shoqërinë tone, janë vetëm një hallkë e shtuar dhunës që marrin vajzat dhe gratë aktiviste teksa tentojnë të hapin dritare të reja diskursive mbi emancipimin gjinor dhe shoqëror. Kjo do të marrë kohë, sigurisht, por deri atëherë nuk do të durojmë kokëulura dhe të turpëruara përballë batutave seksiste dhe intimidimit për shkak se jemi gra, luftojmë për të drejtat e grave dhe guxuakemi të artikuohemi për këto. Pikërisht se në këtë zinxhir dhune jemi të vetëdijshme, i provojmë mbi shpinë në të gjitha format – do t’ i emërtojmë dhe emërzojmë deri në një shoqëri të barabartë. Leximi, aktivizmi dhe organizimi janë forcë – përçmimi, tallja, snobimi dhe mossolidarizimi janë dobësi dhe dobësia çon drejt dhunës.

Barazia na do në vijë të parë dhe krahpërkrah, përndryshe, luftojmë me mullinjtë e erës.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj