- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Ligji i Ri për Asistencën Sociale: Personat me aftësi të kufizuar nuk humbasin pagesën pasi punësohen
Ligji i Ri për Asistencën Sociale: Personat me aftësi të kufizuar nuk humbasin pagesën pasi punësohen
Ligji i Ri për Asistencën Sociale i aprovuar në sesionin e fundit parlamentar, në javën që shkoi parashikon që personat me aftësi të kufizuar nuk do të humbasin pagesën që ata marrin për shkak të statusit të tyre edhe kur ata janë të punësuar. Fillimisht ligji parashikonte se 4 vite pasi personat me aftësi të kufizuar punësoheshin, ata nuk kishin më të drejtë për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar.
Por me këmbënguljen dhe negociatat e vazhdueshme të një grupi organizatash që merren me të drejtat e njeriut dhe organizatat në mbrojtje të personave më aftësi të kufizuar, u bë e mundur që në ligjin e aprovuar më datë 28 korrik 2019, të hiqej parashikimi që personave me aftësi të kufizuar ju mohohej pagesa pas periudhës 4 vjeçare të punësimit.
Në letrën e tyre drejtuar komisionit për Punën, Çeshtjet Sociale dhe Shëndetësinë, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizaura, MEDPAK, ANAD (Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk dëgjojnë), Dawn Syndrom Albania, Ndihmoni Jetën, Fondacioni “Së Bashku”, Shoqata Kombëtare e Para-tetraplegjike të Shqipërisë, Shoqata e Ivalidëve Para-tetraplegjikë Qarku Elbasan dhe “ACT Now” kanë renditur disa rekomandime për projekligjin i cili ishte në proces diskutimi.
Në rekomandimet e rënditura në letër thuhej se ndërprerja e pagesës pas 48 muajve punësimi, ul interesin e personave me aftësi të kufizuar për të punuar, dhe pagesa është një shifër shumë e vogël, prej rreth 10.000 lekë të reja.
Neni 13 pika 2, propozojmë heqjen nga ky projekt-ligj të pikës 2 me këtë përmbajtej “2.Përfituesve, të klasifikuar me vendim të komisionit në grupet e aftësisë së kufizuar, u ndërpritet pagesa pas 48 muajve punësimi. Procedurat në rastet e rikthimit në skemën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Konkretisht, heqja e pagesës së aftësisë së kufizuar pas 4 viteve nga punësimi. Demotivon dhe ul interesin e personave me aftësi të kufizuar për të punuar. Pagesa e aftësisë së kufizuar nuk është e lidhur me kushtet sociale ekonomike të individit (pra nuk jepte si ndihmë ekonomike dhe as nuk llogaritet si e ardhur e familjes gjatë vlerësimit që bëhet për përfitimin e asistencës sociale), por është e lidhur me gjendjen shëndetësore dhe me nivelin e funksionimit. Duhet theksuar që pagesa që jepet për shkak të aftësisë së kufizuar është rreth 10.000 lekë të reja në muaj, një shumë e vogël.
Ndërkohë punësimi i personave me aftësi të kufizuar sjell përfitime për shtetin dhe vetë individin në disa drejtime:
a.Të ndihmojnë personat me aftësi të kufizuara për të mbuluar shpenzimet që lidhen me aftësinë e kufizuar;
b.Të sigurojnë përfshirjen sociale
c. Të sigurojnë në mënyrë progressive mirëmbajten e cilësisë së jetës që është e krahasueshme me standardet e vendit.
Në sygjerimet e tyre, organizatat në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar kanë renditur edhe pika të tjera çeshtjet si:
Drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala, e pyetur nga Citizens Channel për aprovimin e Ligjit të Ri u shpreh se fakti se pagesa për statusin e personave me aftësi të kufizuar nuk do të hiqet është një gjë shumë pozitive, e cila është kërkuar nga të gjitha grupimet e personave me aftësi të kufizuar.
” Shumica dërrmuese e personave me aftësi të kufizuar punësohen me pagë minimale. Ata me të vërtetë marrin 260 mijë lek të vjetra nga punësimi, por ai 100 mijë lekësh të vjetra që u hiqet, ata i përdorin për mjekime, për gjëra që lidhen me aftësine e kufizuar, kështu që prishte goxha punë. Kjo është një gjë e mirë aq më tepër që numri i personave me aftësi të kufizuar të punësuar është i ulët.” -tregon më tej Lala.
Relatorja e Ligjit të Ri për Asistencën Sociale dhe njëkohësisht deputete, Ardiana Jaku, u shpreh se ligji i ri detyron njëkohësisht cdo kompani apo institucion që të ketë të paktën një të punësuar me aftësi të kufizuar.
”Edhe në rastet kur kompanitë nuk mund të punësojnë një person me aftësi të kufizuar për shkak të dinamikave të punës që kanë, ata duhet të paguajnë një kontribut që do të shkojë si kontribut për fondin për aftësinë e kufizuar që do t’ju rikthehet këtyre personave për të rritur kapacitetet e tyre dhe për t’I bërë të integruar në tregun e punës.”
Përveç cështjes së personave me aftësi të kufizuar ligji trajton edhe dy shtylla te tjera që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike dhe me mbështetjen e menjëhershme financiare për foshnjat e sapo lindura.
Ky ligj mbështetet në tre shtylla kryesore që kanë të bëjnë me mënyrën se si jepet ndihma ekonomike, procesin e dhënies së pagesave të personave me aftësi të kufizuar, dhe futet një program i ri social që është programi i mbështetjes së menjëhershme financiare për foshnjat e sapo lindura.
Për asistencën sociale hiqet tavani prej 80.000 lekësh si dhe hiqet zgjedhja e familjeve për ndihmë sociale nga Këshillat Bashkiakë.
Ndërsa për foshnjat e porsalindura, tashmë VKM-ja e kthyer në një ligj përcakton bonusin prej 40.000 lekësh për fëmijën e parë, 80.000 lekësh për fëmijën e dytë dhe 120.000 lekësh për fëmijën e tretë.
Në Shqipëri janë 43704 persona me aftësi të kufizuar. Ndërsa përfitojnë ndihmë ekonomike 51.834 familje, referuar shifrave të vitit 2018.
*Citizens Channel /E.K/
The post Ligji i Ri për Asistencën Sociale: Personat me aftësi të kufizuar nuk humbasin pagesën pasi punësohen appeared first on Citizens.al.