“Ligj me porosi” për Kryetarin e Akademisë së Shkencave

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, e mori mandatin e dytë nëpërmjet një ligji të porositur. Ai u votua në një mbledhje të njëanshme dhe seancë që zgjati vetëm 4 minuta, në të njëjtën jave kur i skadonte mandati. Ekspertët e konsiderojnë procedurën një akt abuzimi parlamentar, që duhet hetuar për lobim dhe konflikt interesi.

Gazetare: Erisa Kryeziu

Në janar të vitit 2023, dy deputetë të Partisë Socialiste, Ismet Beqiraj dhe Petro Koçi propozuan disa ndryshime ligjore në ligjin nr. 53/2019 për Akademinë e Shkencave. Ndryshimet i hapën rrugë rizgjedhjes së Skënder Gjinushit për një tjetër mandat në krye të Akademisë së Shkencave. Në të vërtetë, dy deputetët u përdorën për të dërguar në parlament një ligj të porositur, pasi siç rezultoi më vonë ligji ishte shkruar nga vetë Skënder Gjinushi.

I pranishëm në Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, Gjinushi pranoi se qëndronte pas këtyre ndryshimeve ligjore.

“Flutura Açka (Kryetare e Komisionit): – Ju vetëm po e mbroni, sepse është iniciativa e zotit Beqiraj.

Skënder Gjinushi: – Jo, unë e mbroj, sepse e kemi bërë së bashku.”

Ndonëse asnjëri nga deputetët propozues nuk ishte ekspert i fushës, drafti i lobuar kaloi me urgjencë në Komisionin Parlamentar të Edukimit, nëpërmjet një procedurë të përshpejtuar dhe pa dëgjuar relatorët. Vetëm 24 orë më pas, duke ndryshuar rendin e ditës, u fut për votim në parlament. Me votat e 70 deputetëve ligji u miratua në seancën e fundit të sesionit parlamentar, pasi kandidatit i kishte skaduar mandati.

Me ligjin e ri “në xhep”, më 20 tetor 2023 u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave. Me 51 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim, Gjinushi u rizgjodh për një mandat të dytë.

 Por sipas Gjinushit, në çdo rast ndryshimet ligjore nuk favorizojnë zgjedhjen, por e shumta mundësojnë kandidimin.

“Në fjalinë “anëtarët e kryesisë mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion, por jo radhazi”, u hoq togëfjalëshi “por jo radhazi”.

“Një kufizim i tillë nuk ekziston në asnjë ligj të akademive a shkollave të larta”, – tha për Citizens, kreu i akademisë, Skënder Gjinushi

U saktësua se zgjedhja bëhet me shumicën absolute të votave, formulimi i mëparshëm pranonte dhe shumicën e thjeshtë. Kush kupton dallimin midis dy shumicave vëren lehtë se ndryshimi nuk favorizon zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë, përkundrazi”, – sqaron më tej ai.

Sipas Afrim Krasniqit, drejtues i Institutit për Studime Politike, ky është një nga ato raste kur ligjet janë jo vetëm “të porositura”, por kryhen me procedura të përshpejtuara dhe në interes të individëve të veçantë.

“Dy deputetë iniciuan ndryshime ligjore që lidheshin me interesin e një zyrtari për të siguruar mandat të dytë drejtimi, dhe siç rezultoi amendimet ishin shkruar dhe propozuar de facto nga vetë individi përfitues”, –deklaroi Krasniqi për Citizens.

Kjo ndërhyrje arbitrare përmendet edhe në raportin e Freedom house, që për herë të parë i kushton vëmendje edhe një institucioni si Akademia e Shkencave.

“Në qershor 2023, Akademia e Shkencave e Shqipërisë loboi me dy deputetë socialistë për të ndryshuar ligjin dhe hequr kufizimet që ndalonte kreun e Akademisë të merrte dy mandate radhazi”, – citohet në raportin e Freedom House.

“Më vonë doli në dritë se kreu aktual i Akademisë i kishte shkruar vetë ndryshimet për përfitimin e tij personal.”, – thuhet në raportin e vitit 2024.

Sipas raportit, zgjedhja e “njeriut të Ramës” në krye të akademisë, vë në pikëpyetje lirinë akademike.

“Gjinushi e kishte kaluar kryesisht karrierën e tij në politikë, duke përfshirë një periudhë si ministri i fundit i arsimit i regjimit komunist para rënies së komunizmit në 1991 dhe përzgjedhja e tij si president i Akademisë në 2019 u pa gjerësisht si një emërim politik nga Rama; që atëherë, disa politikanë në pension me arritje të pakta shkencore i janë bashkuar Akademisë”, – vijon raporti i “Freedom House”.

 Ndryshime ligjore nga vetë “Akademia”

Sipas një auditi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitin 2022 ishte vetë Akademia e Shkencave të Shqipërisë që vendosi të ndërmarrë disa ndryshime në ligj.

“Kryesia në një relacion të datës 29.08.2022, firmosur nga kryetari, vlerëson të bëhen disa ndryshime dhe saktësime në ligjin për Akademinë e Shkencave dhe ti propozohen Kuvendit për miratim, konkretisht neni 6 i Ligjit”, –thuhet në raportit auditues të KLSH-së.

Më pas, me vendimin nr.50, të 8 shtatorit të 2022-it, ky amendim i propozuar nga kryesia për nenin 6 të ligjit miratohet dhe si rrjedhojë kryesia ngarkohet me detyrën për të komunikuar me Kuvendin.

Sipas deputetes Ina Zhupa, njëkohësisht anëtare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, jo vetëm që Akademia e Shkencave u përdor për ti shërbyer një personi të vetëm, por ky model propozimi ligjesh cenon edhe punën e Kuvendit.

“Bëjnë ligje me porosi, që vetëm dëm i bëjnë shoqërisë, akademisë, por edhe modeleve me të cilat funksionon Kuvendi”, tha Zhupa për Citizens.al.

Por raporti i publikuar nga Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik thotë se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, sqaron se procesi i miratimit dhe zbatimit të ligjit për Akademinë e Shkencave nuk ka pasur “ngërçe” të theksuara antiligjore. Ai vë në pikëpyetje integritetin e asaj që u prodhua nga ky ligj.

“Duhet pasur parasysh se procese të ndryshme mund të jenë plotësisht legale, por kur vendimmarrja nuk bazohet në vlera dhe parime në shërbim të interesit publik, rezultati mund të jetë kryekëput amoral (paçka se ligjor) dhe pa integritetin e duhur për të ngjallur/forcuar besimin e publikut tek institucionet, proceset dhe sistemi”, – deklaroi Vurmo për Citizens.

Procedurat parlamentare për miratimin e ligjit për Akademinë e Shkencave janë shkelur disa herë. Në komisionin e ligjeve deputetët nismëtarë paraqitën një draft tjetër që përmbante edhe disa nene me kosto financiare, për të cilat duhet të ishte marrë mendimi i Këshillit të Ministrave. Kjo procedurë u anashkalua dhe u “zëvendësua” me një ekspert të Ministrisë së Financave.

 “Sigurisht nga ne nuk u pranua, sepse mendimi nuk vjen nga njerëz të paftuar në komision”, –argumenton Ina Zhupa.

“Në këtë rast kishte vetëm shkelje të procedurave”, – pranoi edhe presidenti Bajram Begaj në një intervistë për Zërin e Amerikës”.

Mbledhja u shty për një seancë tjetër, mirëpo duke qenë se mbyllej sesioni parlamentar, dy deputetët nismëtarë thirrën mbledhje vetëm me mazhorancën. Njoftimi i anëtarëve të komisionit u bë me e-mail, pa depozituar asnjë kërkesë në protokoll.

Mes të tjerash, propozimet e deputetëve vendosin kufizime moshore dhe përcaktojnë se anëtarët e Asamblesë së Akademisë mbi 75 vjeç të marrin statusin “Akademik Emeritus”, duke hequr dorë nga e drejta për rikandidim. Mirëpo ligji në “dorën e Maliqit” nuk vlen për kryetarin e Akademisë, i cili vitin që vjen mbush 75 vjeç.

Ndër të vetmit akademikë që ka kundërshtuar publikisht këtë proces, Artan Fuga, u shpreh në Komisionin e Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik se kemi të bëjmë me një ligj kundërthënës, të cilat gjendeshin edhe në relacionin shoqërues të projektligjit.

“Si është e mundur që, po sipas iniciuesve të amendamenteve, vetëm një person, një njeri, një supernjeri, një mbinjeri ligji ta konsiderojë se nuk preket nga faktori moshë, sikurse ligji e konsideron për të gjithë të tjerët, duke më përfshirë edhe mua?”,-shtroi çështjen akademiku Fuga në komisionin parlamentar.

Por Gjinushi thotë se 51 nga 53 anëtarët e Asamblesë votuan ndryshimet, por sipas tij “është hera e parë që kërkohet të bllokohet një projekt ligj i një institucioni të pavarur, pse ndryshimet sipas bllokuesve, lejojnë dikë të kandidojë krahas të tjerëve?!”

“Ligji nuk zgjedh kënd, zgjedhja bëhet me votë”, – thotë Gjinushi.

Sipas tij, Aasambleja e ASH-së është institucioni më prestigjioz në vend, jo vetëm në fushën e shkencës, dhe si e tillë di të zbatojë ligjin dhe statutin e vet brenda gjithë normave demokratike.

“Si e tillë ajo nuk pret asnjë leksion nga segmente të politikës, sidomos për zgjedhjet. Lirinë akademike e respekton ai që mbështet reformën e ligjin e ASH-së, e jo ata që i kundërvihen”, – përfundon Gjinushi.

Katër minuta për ndryshimet

“Kush është dakord me projektligjin. Kush është kundër? Nuk ka. Abstenim? Faleminderit!”-mbylli mbledhjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, nënkryetari i Komisionit Petro Koçi.

Mbledhja zgjati vetëm 4 minuta dhe të pranishëm ishin vetëm përfaqësuesit e mazhorancës. Por deputetët e opozitës pretendojnë se miratimi në Komisionin e Medias edhe në këtë rast ndodhi me më shumë vota seç kanë anëtarë.

“Votuan edhe anëtarët zëvendësues bashkë me anëtarët që janë të përhershëm dhe e kaluan në një mbledhje të njëanshme të komisionit “, – thotë Ina Zhupa.

Sipas juristes Nadia Guni, neni 78 i kushtetutes, pika 2, përcakton se mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë.

“Ky ligj nuk do të kalohej në seancë plenare, për shkak se procedura e njoftimit të mbledhjes së deputetëve nuk është thirrur sipas rregullores. Në procesverbalin e mbajtur vihet re numri i anëtarëve të partisë socialiste është 11, ndërkohë që ligji parashikon numrin e anëtareve 10”, –parashtron Guni.

Konstatim ky i kryer edhe nga monitorimi i Institutit për Studime Politike, sipas të cilëve shkelen nenet 32 dhe 33 të Rregullore së Kuvendit që kanë të bëjë me thirrjen dhe organizimin e mbledhjeve në Komisione dhe të gjitha dispozitat që lidhen me konfliktin e interesit në Kodin e Sjelljes.

“Shkelje flagrante e Rregullores ishte vendimi 24 orë para seancës, i një pjese të deputetëve për mbledhje të njëanshme, pa miratimin e kryetarit të komisionit dhe miratimin pa debat për 4 minuta të ndryshimeve në ligj, pasi atë javë skadonte afati i individit që ata mbronin me këtë ligj për të rikandiduar”, – thotë Afrim Krasniqi nga ISP-ja.

“Në dy rastet kemi të bëjmë me akte korruptive dhe abuzimi parlamentar të cilat meritonin hetim për procedurat, lobimin dhe konfliktin e interesit, gjë që nuk ndodhi“,-argumenton Krasniqi.

Sipas rregullores, që një ligj të kalojë për miratim në Kuvend, duhet të jetë miratuar në komisionet parlamentare 48 orë më përpara në rastet kur është me procedurë të përshpejtuar, kurse me procedurë normale, të paktën një javë para.

“E kanë futur në seancë të nesërmen, duke ndryshuar rendin e ditës, pa pasur relacione nga deputetët relatorë, nga unë dhe nga zonja Blerina Gjylameti,”-argumenton Zhupa.

Sipas Gjergji Vurmos, raste të tilla të ligjbërjes kanë dëmtuar integritetin e procesit dhe të vetë rezultatit final.

“Fakti që Kuvendi refuzon ta adresojë këtë “hapësirë ligjore” që shfrytëzohet për mëse dy dekada për t’iu shmangur përballjes së propozimit të deputetëve me interesin publik është mjaft domethënës. Edhe pse kjo është e lejueshme nga pikëpamja legale, integriteti, vlerat dhe parimet janë korruptuar qartazi”, –argumenton Vurmo.

Duke i konsideruar procedurat si shkelje kushtetuese, opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Kushtetuta e thotë fare qartë që mbledhjet e Kuvendit, të cilat bëhen pa procedurë nuk kanë efekt, pra janë nul”, – thotë Ina Zhupa.

Ndryshime të shpeshta për të njëjtin ligj

Në 2017-ën nisi të komunikohej publikisht nga qeveria Rama nevoja për të reformuar Akademinë e Shkencave.

“Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama ndërmorën aktin e paprecedentë të bllokimit të fondeve vjetore të Akademisë së Shkencave në shenjë proteste ndaj zgjedhjeve për kryetar, pezullimin më pas të strukturës drejtuese dhe imponimit të një zgjidhje politike“, –shprehet Afrim Krasniqi.

Nisma ligjore për të ndërhyrë erdhi në 2019-ën nga 15 deputetë socialistë që dërguan në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për reformimin e Akademisë së Shkencave. Përmes këtij ligji, atë vit, në krye të Akademisë u zgjodh Skënder Gjinushi, zgjedhje e cila  nuk u dekretua nga Presidenti  Ilir Meta me pretendimin se ishte ende kryetar partie. Megjithatë dekreti u rrëzua nga kuvendi, me votat e shumicës të socialistëve.

Kjo situatë u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, e cila në mars të vitit 2023 vendosi të mos e shqyrtojë. Në vitin 2023, “u bënë arnime” mbi atë të 2019-ës, duke i mundësuar kryetarit aktual vazhdimësi.

 “Ne mbetemi një rast unik ku dy ndërhyrje ligjore në të njëjtin ligj, një më 2019 dhe tjetri më 2023 janë bërë vetëm për të krijuar benefite për karrierën e një individi “, –argumenton Afrim Krasniqi.

Aktualisht Akademia e Shkencave ka 54 anëtarë të Asamblesë, 15 anëtarë nderi, 25 anëtarë të jashtëm. Prej anëtarëve të Asamblesë, ajo çka vihet re është karriera e tyre, kryesisht politike.

“Orientimi i dukshëm politik ka krijuar perceptimin se Akademia është shtojcë politike e qeverisë”, – përfundon Krasniqi.