Librazhd: Mësuesi ndërton një muze në shkollën e fshatit

Aliu, mësuesi i historisë, vijon të rikthehet në shkollën ku ka dhënë mësim, pavarësisht se prej pesë vitesh ka dalë në pension. Një muze etnografik i vendosur në një nga klasat e shkollës 9-vjeçare “Zeqir Hunçi” në fshatin Gizavesh të Librazhdit është lidhja e tij e përhershme me shkollën.

40 minuta larg qendrës së Librazhdit, ndodhet fshati Gizavesh, i cili mbart një histori qindravjeçare. Histori e cila është materializuar përmes një muzeu etnografik dhe arkeologjik të ideuar dhe realizuar me dëshirën e mësues Aliut dhe kontributin e banorëve të zonës.

Ali Buzra, ish-mësues i historisë

“Në vitin 2018, vit në të cilin unë do të dilja në pension, aty rreth muajit prill, më lindi mendimi për të ndërtuar një muze më të plotësuar dhe jo thjesht muze për shkollën, por një muze për fshatin Gizavesh. Që gizaveshasit, kudo që janë, se edhe janë larguar shumë, kur të vijnë në Gizavesh, të shohin orenditë-sendet e përdorura nga prindërit, gjyshërit e tyre ndër vite”, -rrëfen mësues Aliu, ndërsa na hap dyert e muzeut.

Objektet e vendosura me kujdes në stendat e improvizuara të shkollës rrëfejnë mënyrën e jetesës së banorëve të Gizaveshit, shkëmbimeve dhe bashkëjetesës mes riteve dhe kulturës.

Ndërsa mësues Aliu rrëfen për Citizens Channel se kontribuuesit kryesorë për muzeun janë vetë banorët të cilët kanë hapur dyert për të dhënë objektet e tyre te vjetra dhe me vlerë.

“Këtu janë rreth 500 objekte të ndryshme, arkeologjike, etnografike, sende shtëpiake, të cilat pasqyrojnë jetën e fshatarësisë në vite të ndryshme në të kaluarën. Objekte të cilat nuk përdoren më sot. Këto objekte janë mbledhur në fshat, pra këto objekte i kanë dhuruar banorët e fshatit Gizavesh. Unë bashkë me një mësues shkuam në çdo shtëpi dhe fshatarët na i hapën dyert, na i dhanë materialet, të cilat ata i ruanin edhe me fanatizëm pavarësisht se nuk iu përdornin”, -rrëfen Ali Buzra.

Pyetjes nëse të rinjtë e fshatit dhe zonës përreth kanë treguar interes për muzeun dhe ç’ka ai përmban, mësuesi i përgjigjet se ata janë ndër kontribuuesit kryesorë për muzeun, përpos prindërve të tyre.

“Janë të shumtë ato të rinj që kanë treguar interes për muzeun. Dhe për këtë sjell një fakt. Kur do të ndërtoja muzeun, meqenëse burime financiare nuk kishim, bëmë një thirrje dhe nja 10 të rinj, ish-nxënësit e mi bile janë në emigracion dhe na dërguan një shumë simbolike, aty rreth 800 mijë lek të vjetra, me të cilat ne ndërtuam stendat dhe tavolinat e muzeut. E përgjithshmja është se mosha e re, të cilët edhe nuk ndodhen këtu, janë shumë të interesuar për muzeun dhe bile na kanë thënë kur ka qenë rasti që nëse nevojitet ndonjë investim ato janë të gatshëm për të ndihmuar”, –tregon mësuesi.

Mësues Aliu tregon se pavarësisht shkëputjes nga mësimdhënia në këtë fshat, ai vijon të vizitojë shkollën sa herë sjellë të tjera objekte të mbledhura për muzeun. Ndërsa pritet me dashamirësi nga ish-kolegët e tij që tanimë ruajnë dhe përdorin muzeun edhe për orët mësimore.

“Ndërkohë unë edhe e kam pasqyruar muzeun këto vite, se nuk kam ndenjur kot. Pra, për këto 5 vite unë kam grumbulluar edhe shumë materiale të tjera. Bile kam ndërmend që mesa po shohim numri i nxënësve në shkollë ka renë dhe unë objektet i kam shumë të ngjeshura dhe kur janë të ngjeshura nuk kanë edhe shpjegimet e duhura, do ti vijë koha ishalla, nëse zyra arsimore e rrethit do të më ndihmojë, ky kat mund të bëhet i gjithë muze, ndërkohë do të pasuroj edhe me materiale burimore të tjera veç këtyre arkeologjike dhe etnografike”, -ndan dëshirën e tij mësues Aliu.

Mësuesi e sheh muzeun si një formë të rëndësishme për të ruajtur vlerat dhe historinë e fshatit të tij, por edhe të të gjithë zonës së Librazhdit.

“…mirë është që të ngrihen muze në grupe fshatrash. Sepse, ndoshta nuk është fjala e duhur, por vdes historia, vdesin vlerat. Duke kaluar në mënyrë gojore ato humbasin. Të gjalla mbeten veprat, të cilat pasqyrojnë një realitet të jetuar në kohë të ndryshme. Bile realitet në momente të caktuar të historisë edhe të hidhur”, -përfundon mësues Aliu.

Librazhdi prej vitesh nuk ka një muze funksional. Ish-godina është e rrënuar dhe e mbyllur, ndërsa nuk ka ende një projekt konkret për të rijetëzuar këtë institucion të rëndësishëm për memorien e zonës. Të vetmet nisma për të ruajtur historinë vijnë nga banorët dhe mësuesit e zonës.