Letër Kryeministrit Edi Rama, në ditën e të drejtave të fëmijëve

Nertila Zabzuni, 10  vjeç, është shtruar në pediatrinë e Qendrës Spitalore Nënë Tereza në Tiranë. Ajo vuan nga sindromi nefrotik prej tri viteve dhe ende është duke u trajtuar me dialize.

Nertila vjen nga një familje që nuk njeh asgjë tjetër veç vuajtjeve. Familja e saj jeton në Pogradec, në një shtëpi me qira në varfëri të plotë. Nëna e saj nuk mundet të dëgjojë e të flasë, ndërsa babait të saj gjatë punës i ndodhi një aksident ku humbi një dorë dhe si pasojë u bë i paaftë për të punuar.

Në të gjithë këtë histori ajo që po e përjeton më së shumti është Nertila, sepse nuk ka njeri ta ndihmojë. Ajo ka pothuajse tri muaj që është e shtruar në spital dhe mjekët thonë se gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar por duhet të vijojë me dializën tre herë në javë.

E vetmja mënyrë që Nertila të gëzojë shëndet të plotë është transplanti i veshkave. E ëma e saj rezulton me të njëjtin grup gjaku por duhet të bëjë edhe ekzaminimet e tjera nëse do të rezultojë dhuruese ose jo.

Për të gjitha këto asaj i nevojitet shumë ndihmë prandaj i është drejtuar me një letër Kryeministrit Edi Rama, të cilën po e publikojmë të plotë më poshtë.