- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Larg duart nga Shushica”, thirrja e banorëve kundër projektit shkatërrues
“Larg duart nga Shushica”, thirrja e banorëve kundër projektit shkatërrues
“Uji të rrjedhë i lirë”, kjo është kërkesa unanime dhe e panegociueshme e banorëve të guximshëm të fshatrave përgjatë luginës së lumit të Vlorës.
Të mbledhur në Urën e Bratajt, ku poshtë saj rrjedh ende i lirë lumi i Shushicës, banorët e fshatrave përreth thërrisnin njëzëri “Larg duart nga Shushica”, “Jetën e japim, Shushicën s’e japim”.
Prej më shumë se një viti këta banorë protestojnë për mbrojtjen e lumit Shushicë, që kërcënohet nga ndërtimi i një ujësjellësi në Himarë, i cili merr ujin nga burimi i Lëpushës.
Poshtë urës së Bratajt, ka fëmijë që lahen në lum, turistë të huaj, dhe vendas që kalojnë verën aty, të cilëve iu bashkuan protestuesit.
“Për ne ky ujë që rrjedh këtu, sic e sheh i lirë, është jetë. Ne me këtë lumë jemi rritur dhe mbahemi sot e kësaj dite. Mbajmë bagëtitë e tokat”, – thotë Qemal Malaj, banor i fshatit Brataj, teksa qëndron poshtë urës së Bratajt. Prej më shumë se një viti ai i është bashkuar kësaj rezistence, dhe thotë, se së bashku me banorët e tjerë nuk janë kundër furnizimit të Himarës me ujë të pijshëm “por ka alternativa të tjera”.
Në këtë lumë ka specie të rralla, të cilat sipas ekspertëve të Riverwatch, që po ashtu iu bashkuan protestës të premten, rrezikohen nëse përfundon projekti i ujësjellësit të Himarës.
Lumi i Shushicës është degë e lumit Vjosa, i shpallur Park Kombëtar me një ceremoni pompoze nga qeveria, pas një beteje shumë të gjatë të banorëve dhe aktivistëve.
Olsi Nika, drejtues i organizatës mjedisore EcoAlbania, u shpreh se beteja për Vjosën nisi kështu mes banorëve dhe vetëm këmbëngulja e tyre e bëri masive nismën dhe të kurorëzohej me statusin e Parkut Kombëtar.
“Deri në arritjen e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, ka pasur një betejë shumë të gjatë, që jo të gjithë e kanë parë. Përpjekja e banorëve për Shushicën është vazhdimësi e saj”, tha Nika duke shtuar se pa Shushicën nuk ka Vjosë.
Pas Drinosit, Shushica është degëzimi i dytë kryesor i lumit Vjosa, i fundit lum i egër në Evropë.
Në mars të 2023, qeveria pas shumë përpjekjesh të organizatave vendase e të huaja dhe rezistencës së komunitetit, shpalli në mënyrë ceremoniale Parkun Kombëtar të Vjosës.
Shpallja u duk sikur e shpëtoi Vjosën nga hidrocentralet, vetëm për ta përballur me një kërcënim të ri, tharjen e burimeve nga ujësjellësi i Himarës.
“Kjo që po ndodh është një krim që i bëhet lumit tonë shekullor dhe protestojmë që oligarkët që duan të na marrin ujin ta lënë rehat ujin edhe neve bashkë”, tha për Citizens Ilir Guri nga fshati Brataj.
Ulrich Eichelman, drejtues i Riverwatch teksa qëndronin në vendin ku mbahen tubat që do të marrin ujin e Shushicës, foli për rrezikiun e projektit si dhe për veçantitë e lumit.
“Ky tub blu u kthye dhe në simbol proteste në fakt”, thotë Eichelman duke iu referuar tubit që u kthye ne peticion nga banorët.
Ishte Qemal Malaj ai që vendosi tubin mbi makinën e tij dhe mblodhi firma në të gjithë fshatrat përreth, duke e sjellë më pas këtë peticion kreativ përballë kryeministrisë.
“Nëse ata do na finalizojnë këtë projekt, Shushica do të përgjysmohet, do thahet dhe Shushica nuk do të jetë më një Park Kombëtar”, thotë Eichelman, i cili shton se kjo do të jetë një katastrofë “sepse do të jetë dy vite pas shpalljes së madhe të Vjosës Park Kombëtar”.
Qeveria, thotë Eichelman, shpalli me cemeroni vezulluese Vjosën si Park Kombëtar dhe i tha gjithë botës sa pranë natyrës është dhe sa e duan natyrën, por nuk po tregojnë këtë.
“Pas meje ajo rruga që sheh aty, poshtë saj janë tubat që po transferojnë ujin e lumit”, – tregon Eichelman. Ai sqaron se deri më tani nuk ka dëm të madh, por dëmi do të bëhet nëse projekti vazhdon dhe ndërtohet vepra e marrjes në Kuç.
“Me këtë projekt, nuk është vetëm për Shushicën, por ka të bëjë me Shqipërinë, nëse e merr apo jo seriozisht Vjosën si Park Kombëtar. Pra qeveria e shpall diçka dhe një vit më vonë thotë “ok” po ndërtojmë në këtë park”, – thotë drejtuesi i Riverwatch, një organizatë ndërkombëtare e mjedisit.
Për të veprimi i qeverisë në këtë pikë, është të zgjedhë mes turizmit eco ose turizmit masiv sepse “nëse e merr ujin e Shushicës, njerëzit këtu nuk mund të marrin pjesë në turizmin e Parkut Kombëtar, ata do të sakrifikojnë njerëzit e fshatrave këtu për më shumë turizëm atje tej”.
Mbi pretendimin e qeverisë se “leja është dhënë përpara se të shpallej Vjosa Park Kombëtar”, Eichelman thotë se kjo është e vërtetë dhe e gabuar në të njejtën kohë.
Ata e dhanë lejen një vit para se të shpallej Park Kombëtar, por diskutimi për statusin e Vjosës kishte nisur shumë më përpara dhe qeveria kishte nënshkruar marrëveshjen me Patagonian për Vjosën Park Kombëtar dhe Shushica është pjesë e tij. “Ata e dinin”, thotë ai i revoltuar.
Nga ana tjetër banorët duken të vendosur për ta çuar deri në fund betejën e tyre për lumin.
“Nuk e japim, kryeministri të dëgjojë zërin e banorëve të Labërisë, se ne nuk dorëzohemi lehtë”, thotë një banor në aksionin në urën e Bratajt.
“Gratë e Krusicës i bashkohen Shushicës”
Me përfundim të aksionit banorët drejtohen për në Buronjat e Kuçit për të mbajtur një diskutim dhe parë një dokumentar, për luftën që çoi deri në fitoren e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar.
Banorëve të Shushicës iu bashkuan dhe dy gra të guximshme nga Krushica e Bosnjë Hercegovinës, të cilat kanë luftuar për të mbrojtur lumit e tyre, duke qëndruar në bllokadë për 500 ditë, deri në fitore. Ato kundërshtonin ndërtimin e dy hidrocentraleve. Rezistenca e tyre u bë frymëzim për të gjithë.
“Ne jemi këtu për të mbështetur vëllezërit tanë në Luginën e Shushicës, sepse ne e kuptojmë ndikimin shkatërrues, që këto projekte mund të kenë për komunitetin e prekur” tha Amela Zukan, një nga shumë gratë e guximshme të Krushicës që morën pjesë në rezistencën 500 ditore.
Lela Qejvani nga të paktat gra që i janë bashkuar protestës së Shushicës, teksa shprehu kënaqësinë që kishte të shihte këto gra të forta, që kishin arritur një fitore, u bëri thirrje të gjithë burrave të pranishëm “Herës tjetër merrni dhe gratë me vete, të gjithë bashkë e bëjmë ndryshimin”.
Projekti për ujësjellësin e HImarës ka nisur planifikimin në vitin 2019 me studimin e fizibilitetit. Në datën 5 maj 2021 AKM lëshoi Lejen Mjedisore bazuar në VNM Paraprake, pra projektit i është dhënë e drejta për të vazhduar me zhvillimin pa një VNM të plotë. Gjatë vitit 2022 janë dhënë të gjitha lejet, përfshirë këtu Lejen e Përdorimit të Ujit dhe Lejen e Ndërtimit.
Pas procesit të lejeve projekti ka hyrë në fazën e avancuar të ndërtimit. Ndërtimi ka nisur zyrtarisht më 10 janar 2023 dhe pritet të zgjasë 18 muaj. Projekti pritet të përfundojë në gusht. Megjithatë, deri më tani banorët kanë arritur nje fitore të vogël, kanë ndaluar vendosjen e tubave brenda zonës së Parkut Kombëtar.
The post “Larg duart nga Shushica”, thirrja e banorëve kundër projektit shkatërrues appeared first on Citizens.al.