KShH bën thirrje për respektimin e të drejtës së tubimit, ndërkohë që protestat po shpërndahen me dhunë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një reagim të publikuar sot e ka konsideruar të drejtën e tubimit dhe organizimin paqësor si liri themelore e njeriut, të garantuar nga Kushtetuta, ligjet e Shqipërisë, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut  dhe dokumentet e tjera ligjore ndërkombëtare.

Megjithëkëtë, KShH mendon se, edhe në situatën e pandemisë që po kalojmë, tubimet (veç rasteve të parashikuarë në ligj), nuk duhet të kufizohen dhe aq më tepër të ndalohet ushtrimi i kësaj të drejtë”, shkruajnë ata në njoftimin për shtyp.

KShH thekson që në kohë pandemie, protestat duhet të zhvillohet duke respektuar masat si distancimi fizik apo përdorimi i mjeteve mbrojtëse.

Përmes kësaj komunikate, bëhet thirrje që të rishikohet akti normativ nr.3, i datës 15.03.2020. Në këtë dispozitë parashikohet dënimi i personave që organizojnë tubime me gjobë, që ka vlerën e 500.000 lekësh të reja.

Kjo praktikë, vijon Komiteti Shqiptar i Helsinkit, bie në kundërshti me praktikat e shteteve demokratike në Evropë.

KShH vëren se bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera demokratike të Evropës, ku janë lejuar tubimet që respektojnë distancimin fizik dhe me masa mbrojtjese, kjo dispozitë vlen të rishikohet për të evituar interpretimet e ndryshme dhe subjektive dhe për të garantuar të drejtën themelore të tubimit dhe lirinë e organizimit ndaj çdo qytetari që respekton masat mbrojtëse”.

Duke iu kthyer rolit të policisë në këto tubime, në deklaratë nënvizohet se ndërhyrja e tyre duhet të jetë e motivuar dhe në mënyrë proporcionale.

Mat: Pamundësia për t’u organizuar sjell dëme mjedisore

Banorët e Matit gjenden në udhëkryq pasi tubimet paqësore janë të ndaluara me ligj, ndërkohë që krahas saj, punimet për të ndërtuar hidrocentrale në lumenjtë e zonës nuk kanë ndaluar.

Këto punime po kryhen në Zall-Gjoçaj, ku prej vitit 2018 është bashkuar me Lurën, për të formuar kështu “Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës”.

Sot, nëntë matjanë kanë depozituar një ankesë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për të ndaluar ndotjen e lumin në Zallit të Melthit, Zall-Gjoçaj.

Ankesa është bërë pasi prej datës 8 maj, firma “Trema Engineering Sh.p.k 2”, e kontraktuar nga “Seka Hydropower”, ka ndotur lumin me inerte, hidrokarbure dhe substanca të tjera, duke e kthyer ujin në të papijshëm.

Në këtë ankesë theksohet se këto veprime sjellin pasoja mjedisore, duke dëmtuar kështu komplekset ujore, rrjedhat dhe burimet e tjera, florën, faunën, blegtorinë dhe bletarinë e vendasve.

Grupimi “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj” ka publikuar pamje të lumit dhe tjetërsimit të tij pasi procesi i punës ka vijuar dhe ka përsëritur thirrjen e ndërhyrjve të institucioneve shtetërore në mbrojtje të mjedisit dhe komunitetit.

Paligjshmëria e mbajtjes së tubimeve në këtë periudhë dhe ndikimi i kësaj mase në mjedis, është artikuluar edhe më herët nga përfaqësues të organizatave mjedisore.

Rea Nepravishta, nga World Wildlife Fund Adria (WWF) në Shqipëri, shprehet se ecja me ritme të shpejta në ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë, gjatë kësaj periudhe, është e papranueshme.

Vazhdimi i punimeve në këtë kohë kur gjykatat por edhe aktivizmi qytetar janë të bllokuar, është i pamoralshëm dhe i papranueshëm”, tha Nepravishta për Citizens Channel.

Protestat e organizuara në Tiranë u shpërndanë me dhunë

Në datën 9 maj, disa qytetarë organizuan protestën e dytë brenda këtij muaji në sheshin  “Skënderbej”, kundër masave të qeverisë në kuadër të parandalimin të përhapjes së koronavirusit.

Kjo protestë ishte parashikuar të zhvillohej duke mbajtur distancimin fizik por u ndërpre nga forcat policore, duke përshkallëzuar në dhunë.

Figura publike kanë denoncuar dhunën e përdorur. Presidenti Meta e ka quajtur të drejtën e tubimit thelbësore për demokracinë.

Të njëjtën vijimësi kishte edhe protesta e datës 7 maj, ku protesta u shpërbë dhe organizatorët u gjobitën sipas aktit Aktit Normativ, ndërkohë që janë shoqëruar disa pjesëmarrës. Kjo bëhet e ditur nga Policia e Shtetit.

Kosovë: 500 aktivistë në shesh – Prova për protestë

Ndërkaq, dje në Kosovë është mbajtur një “provë-protestë”, ku shihen dhjetra qytetarë të protestojnë duke ruajtur distancën fizike.

Policia e Kosovës e ka konsideruar të ligjshme protestën, përsa kohë respektohen masat e sigurisë.

Duke u bazuar në këto vendime organizatorët e tubimeve publike duhet që të sigurohen që pjesëmarrësit e tubimeve publike gjatë tërë kohës së tubimit të kenë masat mbrojtëse, mbajnë distancën nga njëri tjetri (dy metra) si dhe të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar”, thuhet në njoftimin e policisë.