- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Krimet mbi jetën e egër, aktivistët: Organet e drejtësisë shpërfillin çështjen
Krimet mbi jetën e egër, aktivistët: Organet e drejtësisë shpërfillin çështjen
Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror (PPNEA) në Shqipëri dënon mosreagimin e organeve të drejtësisë ndaj krimeve mbi jetën e egër.
Përmes një njoftimi për shtyp, qendra shprehet se: “organet e drejtësisë në Shqipëri shpërfillin krimet mbi jetën e egër, madje edhe për llojet tejet të rrezikuara si rrëqebulli i Ballkanit”.
Prokuroria e Elbasani ka kërkuar pushimin e çështjes së rrëqebullit të Ballkanit. Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së rrëqebullit në qarkun e Elbasanit, në vitin 2020. Në ambientet e biznesit privat “Ke Rrema” është fotografuar një rrëqebull i vrarë. Prokuroria u shpreh pas kryerjes së hetimeve se nuk janë gjetur kafshë të balsamosura e si pasojë nuk ka fakte penale ndaj të cilave të ngrihet denoncim.
PPNEA e ka denoncuar rastin duke nënvizuar se pas dy vitesh hetime me hapa të ngadaltë, prokuroria pushon çështjen.
“Çështja e rrëqebullit të Ballkanit të vrarë në mënyrë të paligjshme në qarkun e Elbasanit nuk u zbardh nga Prokuroria e Elbasanit, por përkundrazi Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të pushojë këtë çështje”, thuhet në njoftimin e PPNEA.
Komisioni Evropian në raportin 2021 për Shqipërinë, thekson se vrasja në mënyrë të paligjshme të një individi rrëqebulli të Ballkanit në qarkun e Elbasanit, në vitin 2020 nuk është ndjekur ende penalisht.
“Krimet mbi jetën e egër nuk janë rast i izoluar”
Aktivistët shprehen se ky nuk është rasti i vetëm i gjuetisë së paligjshme të rrëqebullit të Ballkanit.
“Gjithsej, në të gjithë shtrirjen e këtij nënlloji në Ballkanin Jugperëndimor, partnerët e Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, dëshmojnë 14 individë të vrarë ilegalisht që nga viti 2006”, njofton PPNEA.
PPNEA ka kërkuar që rastit në fjalë duhet t’i jepet rëndësia e duhur si nga institucionet përkatëse.
Rrëqebulli është klasifikuar si një specie e egër e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
PPNEA thekson se mos-marrja me konsideratë dhe seriozitet nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri për të zbardhur krimet mjedisore, bie ndesh me legjislacionin ndërkombëtar, konkretisht me Konventen e Bernës. Kjo konventë është ratifikuar nga shteti shqiptar dhe ka hyrë nq fuqi në vitin 1999.
Konventa e Bernës është një instrument ligjor detyrues që zbatohet për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve të egra.
The post Krimet mbi jetën e egër, aktivistët: Organet e drejtësisë shpërfillin çështjen appeared first on Citizens.al.