- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Korrupsioni renditet si kërcënimi më serioz për sigurinë e shqiptarëve në 2024
Korrupsioni renditet si kërcënimi më serioz për sigurinë e shqiptarëve në 2024
Shumica e shqiptarëve ka identifikuar korrupsionin si kërcënimin më serioz të sigurisë. Rezultatet janë publikuar në anketën kombëtare të Barometrit të Sigurisë 2024.
Në vitin 2024, 45% e shqiptarëve që morën pjesë në anketë, e vendosën korrupsionin në krye të listës sa i përket cënimit të sigurisë, i ndjekur nga krimi i organizuar me 23.8% dhe lufta me 17.6%.
Botimi u prezantua sot nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, me autorë Arjan Dyrmishi, Mirsada Hallunaj dhe Nino Strati.
Përsa i përket marrëdhënieve me vendet e tjera, shumica e qytetarëve shqiptarë mendojnë se SHBA-të kanë një ndikim pozitiv ose shumë pozitiv ndaj Shqipërisë (78%). 17.4% mendojnë se ndikimi i SHBA-së nuk është as pozitiv dhe as negativ. Përgjigjet për Turqinë tregojnë pothuajse të njëjtat rezultate me ato të SHBA-së. 53.9% mendojnë se ndikimi i Kinës nuk është as pozitiv dhe as negativ, ndërsa 21.6% mendojnë se ndikimi i Kinës është pozitiv ose shumë pozitiv.
Sa i përket Izraelit, ka një ndarje më të qartë të opinioneve. 73.5% e të anketuarve mendojnë se vendet perëndimore duhet të vendosin sanksione ndaj Izraelit dhe 20.5% mendojnë se Perëndimi duhet të ofrojë mbështetje për të fituar luftën në Gaza.
Lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë bërë dy pyetje: “A mendoni se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkërendojnë dhe unifikojnë politikën e tyre të jashtme?” dhe “A e përkrahni bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?”. Shumica e të anketuarve, 84.8% janë pro bashkërendimit dhe unifikimit të politikës së jashtme ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, një përqindje më e vogël e qytetarëve, 70.5%, mbështesin bashkimin e dy vendeve.
Siguria politike
Sipas anketës qytetarët tregojnë një pasiguri të madhe politike duke mos treguar besim në institucionet e tyre demokratike.
Vetëm 8.3% thonë se ndjehen të përfaqësuar nga parlamenti, 11% thonë kështu për pushtetin qendror dhe 16% për institucionet e qeverisjes vendore.
Duke qenë se parlamenti është institucioni më i rëndësishëm në vend për sa i përket përfaqësimit politik, fakti që 41.7% e qytetarëve thonë se nuk ndjehen të përfaqësuar nga parlamenti, paraqet një burim të rëndësishëm pasigurie politike.
Të anketuarit janë disi të ndarë kur pyeten për lirinë e tyre për të shprehur pa frikë kritikat e tyre për qeverinë apo pikëpamjet politike, ndonëse një përqindje e rëndësishme prej 38.9% thonë se nuk ndjehen të lirë të kritikojnë hapur qeverinë. Vetëm 25.8% thonë se mund të shprehin hapur kritikat e tyre dhe 35.1% priren ta bëjnë këtë.
Siguria ekonomike
Për sa i përket situatës financiare aktuale, të anketuarit janë mjaft të ndarë. 35.7% mendojnë se situata financiare aktuale e familjes së tyre është e mirë ose shumë e mirë, ndërsa 22.4% mendojnë se është e keqe ose shumë e keqe. 42% mendojnë se nuk është as e mirë as e keqe.
Ndërsa për pritshmërinë për të ardhmen e afërt, gjysma e të anketuarve thonë se presin që situata financiare e familjes të mbetet e njëjtë në një deri në dy vitet e ardhshme. 36.3% presin që ajo të përmirësohet dhe 12.1% thonë se do të jetë më keq.
Maskuliniteti dhe siguria gjinore
Përsa i përket pyetjes se kush mban përgjegjësi për dhunën ndaj grave, përgjigjet tregojnë një trend shqetësues. Gjysma e të anketuarve thonë se burrat dhe gratë janë përgjegjës, 41.9% thonë se burrat janë përgjegjës, por për 6.9% të tjerë gratë/vajzat mbajnë një përgjegjësi të tillë.
Një pjesë e madhe prej 52.9% e të anketuarve e lidhin forcën e burrave/djemve me kontrollin e emocioneve. 20% të tjerë anojnë të mendojnë se burrat e vërtetë duhet të kontrollojnë emocionet e tyre dhe të mos tregojnë dobësi.
The post Korrupsioni renditet si kërcënimi më serioz për sigurinë e shqiptarëve në 2024 appeared first on Citizens.al.