- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Korrupsioni në spitalin Onkologjik çon qytetarët në protestë!
Korrupsioni në spitalin Onkologjik çon qytetarët në protestë!
“Viktima e radhës mund të jesh ti”, ishte slogani i protestës që mblodhi dje qindra qytetarë përpara Ministrisë së Shëndetësisë. Revolta në shesh lindi nga skandali korruptiv në spitalin Onkologjik, ku sipas një hetimi nga Prokuroria e Tiranës shtatë mjekë dhe specialistë të këtij dyshohet se janë përfshirë në korrupsion dhe abuzim në kurriz të të sëmurëve.
Sot, Drejtoria e QSUT-së pezulloi nga detyra mjekët e akuzuar për shkeljet në Spitalin Onkologjik në QSUT, pasi Gjykata e Tiranës konfirmoi masat.
Masat e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” u dhanë për personat: zv/drejtoreshë në QSUNT Brikena Qirjazi, mjeku Edmond Gashi, mjeke Alketa Ymeri(Pere), koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT Emiljano Lela, administrator i klinikës “Megis” Halil Gashi, Drilona Kishta, ish-specialiste pranë QSUNT.
Hetimi i Prokurorisë zbuloi se e ilaçet nxirreshin jashtë spitalit dhe shiteshin në disa farmaci në Tiranë, disa prej pacientëve nuk i ofrohej shërbimi dhe drejtoheshin te klinika private e onkologut Edmond Gashi, por dhe biseda sesi sa operacione në ditë nevojiteshin për të siguruar pushime në destinacione ekzotike si Maldive apo Tajlandë.
“Ngjarje e paprecedentë, jam e neveritur nga kjo histori” – ishte reagimi i ministres së shëndetësisë Albana Koçiu, teksa sot gjatë seancës parlamentare opozita kërkoi dorëheqjen e saj.
Qytetarët : “Të shohin nga xhepat”
“Ofrohen oferta turistike nëpërmjet jetës së njerëzve, në fakt Prokuroria mori masën më të lehtë për këtë grup kriminal që merr jetën e njerëzve, duke i thënë se nuk kemi mundësi të ofrojmë shërbim te shtetërori, prandaj duhet të shkoni te privati” – tha gjatë fjalës së tij Gentian Sejrani, nga organizata “Drejtësi Sociale”.
Dje gjatë protestës morën fjalën shumë qytetarë të cilët kishin kaluar nën lëkurë përvoja personale ose të të afërmve te spitali Onkologjik.
“Mënyra sesi bëhen kimioterapitë, mungesa e tyre! Unë jam skandalizuar më besoni, jam skandalizuar kur në një vizitë që nëna ime ka bërë në një spital jashtë Shqipërie i kanë thënë se kimioterapitë që i kanë bërë në Shqipëri kishin 12 vite që nuk praktikoheshin në spitalet evropiane” – tregoi gazetarja Fabjona Pasho.
Një tjetër qytetare u ndal te zvarritjet derë me derë dhe dhënia e bakshisheve.
“Për të marr një bakshish nuk priti dhe nuk pyeti, sepse sëmundja të avanconte më shumë, i bëri një operim të dytë dhe kjo e çoi drejt fundit. Ajo nuk duhet ët prekej fare, ndërsa ai i bëri operim thjesht për ti marr një bakshish”- tha njëra nga protestueset.
Aktivistët kërkuan dorëheqjen e ministres së shëndetësisë dhe zinxhirit udhëheqës në QSUT.
“Mjekët të punojnë vetëm në një sektorë, ata që duan ti shërbejnë publikes, të shkojnë te publikja, ata që duan të punojnë te privati të shkojnë te privati, e jo të na bëjnë ping – pong”- theksoi Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”.
Në protestë ishin pjesëmarrës dhe studentë, të cilët u distancuan nga këto lloj abuzimesh dhe premtuan rikthim të dinjitetit për bluzat e bardha.
“Do të vazhdojmë të luftojmë në çdo formë, jo vetëm kundrejt ligjeve që neve na prekin, por këdo qytetarë, sepse në fund të fundit ne jemi bijtë e popullit dhe nuk duam që nëse pasnesër ne të demonziohemi dhe të shfaqemi si qenie të pavlera apo qenie që duam të zhvasim qytetarët” – përfundoi Rei Haluli.
The post Korrupsioni në spitalin Onkologjik çon qytetarët në protestë! appeared first on Citizens.al.