- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- “Kopjim fjalë për fjalë dhe foto nga Google”- “Për Universitetin” denoncon për plagjiaturë Ministren Manastirliu
“Kopjim fjalë për fjalë dhe foto nga Google”- “Për Universitetin” denoncon për plagjiaturë Ministren Manastirliu
Një tjetër rast plagjiature e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar është denoncuar sot nga lëvizja “Për Universitetin”. Skandali vjen shumë pak kohë pasi kërkuesi Taulant Muka publikoi denoncimin ndaj ish-zëvendës ministrit të arsimit Ervin Demo, i cili dha dorëheqjen pak kohë pasi ngjarja u bë publike.
Lëvizja “Për Universitetin” ka publikuar disa fotografi ku doktoratura e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e publikuar në vitin 2013 vihet përballë punimit të diplomantit për Master Shkencor Fannie Mnisi nga Afrika e Jugut në vitin 2008.
“Në kapitujt hyrës e ka kopjuar thuajse në çdo gërmë nga puna shkencore e diplomantit për master shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut, Fannie Mnisi. Herë pas here në tekst duket se është zëvendësuar emri i lokalitetit Albert Luthuli me emrin e Tiranës, për të dalë në konkluzionet “shkencore” për famëkeqin landfill të Sharrës që i mori jetën minorenit Ardit Gjoklaj – atij që punonte natën për të blerë libra – për përfitimet e miqve të kryebashkiakut të Tiranës”, shkruhet në reagimin e lëvizjes “Për Universitetin”.
Fotografi nga “Google” brenda punimit shkencor:
Veç përmbajtjes në brendësi të tekstit pjesë e denoncimit është edhe përdorimi i fotografive në punimin e doktoraturës së Ministres Manastirliu. Më poshtë duket e njëjta fotografi e gjetur në motorin e kërkimit “Google” ku vetëm janë ndryshuar dixhiturat.
Ministrja Manastirliu reagoi pak minuta më parë në lidhje me akuzën, duke e quajtur atë shpifje dhe përdorim dashakeq të emrit të saj“Për Universitetin paralajmëron denoncime të tjera:
Citizens Channel u vu në kontakt me përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin për tu informuar më shumë rreth rastit të denoncuar sot.
“Publikimi i plagjiaturës së Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është pjesë e një fushate që po organizon Lëvizja Për Universitetin për denoncimin e rasteve të korrupsionit, keqfunksionimit të universiteteve si dhe për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor”, shprehen përfaqësuesit e “Për Universitetin”
Ata thonë se ky nuk është një sulm personal ndaj ministres, por denoncimi i një fenomeni që gjendet kudo në universitetet shqiptare.
“Prandaj rasti i ministres nuk duhet pare si rast i izoluar dhe as personal, por si një fenomen i kudogjendshëm brenda universiteteve, të cilën Lëvizja Për Universitetin po përpiqet të denoncojë. Sidoqoftë protestat do të vazhdojnë nga Janari e tutje“, u shprehën për Citizens Channel aktivistë të Lëvizjes për Universitetin.
Aktivistët thanë më tej se janë duke mbledhur të gjitha rastet dhe se Lëvizja është angazhuar në gjetjen e rasteve të tjera të plagjiaturës.
*Citizens Channel