- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- Komisioneri dhe organizatat dënojnë njoftimin diskriminues për punësim nga një lokal në Elbasan
Komisioneri dhe organizatat dënojnë njoftimin diskriminues për punësim nga një lokal në Elbasan
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda dënon gjuhën diskriminuese të përdorur nga një biznes në Elbasan, në afishimin e një thirrje për punësim.
“Kërkojmë pastruese, jo me ngjyrë”, shkruhej në këtë letrën e vendosur në xhamin e bar-kafesë.
Komisioneri Robert Gajda e cilësoi njoftimin një shfaqje të papranueshme dhe të sanksionueshme me ligj.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të ndërmarrë të gjitha hapat që i njeh ligji për ndreqjen e kësaj shfaqje diskriminuese. Të inkurajuar nga reagimet denoncuese të kësaj situate Diskriminuese, Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit qytetarët që janë dëshmitarë të situatave diskriminuese apo kanë dijeni, të sinjalizojnë në kanalet tona të komunikimit dhe në të gjitha rastet do të ndiqet praktika e hetimit administrativ dhe marrja e vendimeve përkatëse”, thuhet në deklaratën për media të komisionerit.
Komisioneri i bën thirrje subjekteve private që të shmangin sjelljet diskriminuese dhe “t’i konsiderojnë qytetarët të barabartë në të drejtat dhe dinjitetin e tyre”.
Organizatat dënojnë sjelljen diskriminuese
Organizata “Drejtësi Sociale” ka reaguar duke dënuar gjuhën e urrejtjes së përdorur në këtë njoftim pune.
“Shpesh kam dëgjuar njerëz që akuzojnë anëtarët e minoriteteve egjiptianë dhe romë se nuk e duan punën. Kjo është një nga rastet ku pronari ka kurajon ta tregojë haptazi qëndrimin e tij diskriminues, por ju garantojë se këtë sjellje dhe qëndrim e ka një pjesë e konsiderueshme e bizneseve”, thuhet në reagimin e “Drejtësi Sociale”.
Organizata shprehet se anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian diskriminohen sistematiskisht dhe detyrohen të largohen nga vendi punës.
“Ndaj, zgjidhja e vetme e këtyre familjave për të siguruar ushqimin mbetet vetpunësimi (mbledhja e mbetjeve të riciklueshme, shitja e rrobave të përdorura)”, thuhet në dekalratë.
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) ka dënuar gjithashtu sjelljen diskriminuese.
“Diskriminimi në fushën e punësimit ndaj anëtarëve të minoritetit rom dhe egjiptian është fenomen që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë, duke cënuar dhe vështirësuar integrimin e përfshirjen e tyre në shoqëri. Institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë dhe të marrin masa ndaj çdo subjekti punëdhënës që promovon diskriminimin dhe forcon steriotipet negative”, thuhet në deklaratën e LRER.
Shqipëria ka një ligj ekzistues për “Mbrojtjen nga Diskriminimi”,ligji nr.10 221, datë 4.2.2010.
Kreu II i këtij ligji parashikon mbrojtjen nga diskriminimi në punësim.
Punësimi i komunitetit rom dhe egjiptian
Sipas Studimit Rajonal për Komunitetin Rom, realizuar nga PNUD në 2017, niveli i punësimit të romëve në Shqipëri është 18%, krahasuar me nivelin e punësimit të fqinjëve të tyre jo romë, të cilët janë të punësuar në nivelin 27%.
Studimi tregon se niveli i përgjithshëm i punësimit të këtij komuniteti në Shqipëri është 56%. Sipas studimit, 62% e romëve janë të angazhuar në punë joformale, ndërsa vetëm 23% e jo romëve që jetojnë në afërsi të tyre merren me një punë të tillë. Për rrjedhojë, hendeku në punët joformale është 39%.
Puna joformale e shtrirë kryesisht në shitjen e veshjeve të përdorura nxorri në pah gjatë pandemisë vështirësitë ekonomike të këtij komuniteti.
Gjatë pandemisë , pezullimi i punës për familjet rome u shoqërua me mungesë të të ardhurave ditore, që vëshitrësuan aksesin në ushqim dhe ngrohje.
The post Komisioneri dhe organizatat dënojnë njoftimin diskriminues për punësim nga një lokal në Elbasan appeared first on Citizens.al.