Koman: “Lundrimi i sigurt” paralizon turizmin dhe ngre në protestë banorët

Banorët e Komanit bllokuan sot tunelin hyrës për në liqen, në shenjë proteste ndaj aksioneve të policisë që sekuestroi mjetet lundruese pa dokumentacion. Ndërkohë rreth 20 automjete mbetën të bllokuara në tunel për shkak të protestës së banorëve.

“Është dita e katërt sot që Policia e Durrësit, e Shkodrës dhe Vaut të Dejës ka bllokuar të gjitha varkat dhe ka paralizuar lëvizjen e qindra turistëve” – tha për Citizens Channel Marjana Koçeku, e cila drejton një bujtinë në lumin e Shalës.

Policia e shtetit ka nisur zbatimin e aksionit të koduar “Lundrim i sigurt”, ku ka sekuestruar një sërë mjetesh lundruese që përdoreshin për transportin e turistëve por që nuk plotësonin kushtet e sigurisë.

“Kjo zonë mbështetjen nga shteti historikisht e ka zero  dhe vendasit s’kanë pas rrugë tjetër veç me u ba të zotët e vetes në çdo mënyrë. Varkat janë artizanale ndryshe për shtetin s’kish për të ardh kurrë turizmi këtu. Rruga për në Koman është shumë më e rrezikshme se liqeni po askush nuk flet për të ” – vijon Marjana.

Sipas banorëve, edhe tre varkat që kanë licencë lundrimi janë bllokuar pasi i është kërkuar licenca e turizmit.

“Ky asht imazh shumë i shëmtuar i Shqipërisë turistike, asht vrasje e turizmit në veri” –  përfundon Koçeku.

“Komani, arsyeja e vetme që na mban pa emigruar”

Në protestën e sotme Fatmir Marku pohoi se uji është pasuria më e madhe e zonës dhe arsyeja që i ka motivuar të rinjtë se mund të punojnë me diçka dhe mos të emigrojnë.

“Të vijë komisioni, t’i verifikojë varkat, kaq turistë mund të mbaj kjo varkë, kaq ajo…Ne nuk po i kundërvihemi shtetit, por të paktën të na lënë të hamë bukë. Që mos të na ikin dhe varkaxhinjtë, banorët e të tanë, të paktën të thonë punoni dhe këtë sezon dhe ju pres në zyrë për marrëveshje” –  tha Marku.

Ndue Sela, një tjetër banor tregon se prej vitesh e ka tokën dhe shtëpiat nën ujë, pasi kur është ndërtuar diga, toka është përmbytur.

“As s’kemi rrugë tokësore, as rrugë makine, vetëm me kalu për hava. Cfarë po ruan policia këtu? Këta janë tanë fukarenj, ma gjej një me vilë që e ka bë vilën me varkën e peshkut” – thekson Sela.

Citizens Channel kontaktoi kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës Kristian Shkreli, i cili u takua me banorët përapara dy ditësh.

“Më intereson që turizmi të vijojë aty, por varkat janë të pa kolauduara, janë të rrezikshme sepse janë varka artizanale. Është Ministria e Turizmit dhe drejtoria e Durrësit e Mjeteve të Transportit Ujor, që do duhet ta menaxhojë situatën. Por duhet të bëhet dicka të paktën të mos bllokohet në mes sezoni turistik” – tha Shkreli.

Protesta e sotme ka pezulluar edhe punën e guidave turistike të cilat kanë anulluar çdo grup që parashikohej të vizitonte lumin e Shalës këtë fundjavë.

“ Në lumin e Shalës e pamundur që të operojmë por edhe në Valbonë kemi pasur problem. Për shkak të bllokimit furgonin e nisa për në Milot, më pas Kosovë, që të marr turistët në Valbonë, po manovrojmë dmth” – shpjegon Frenkli Prengaj nga Discover Albania.