- Buletini informativ i Citizens.al
- Posts
- KLSH: Shëndeti i pacientëve është cenuar nga mungesa e barnave
KLSH: Shëndeti i pacientëve është cenuar nga mungesa e barnave
Shëndeti i pacientëve është cenuar pasi nuk ju janë siguruar barna, shprehet Kontrolli i Lartë i Shtetit nga një auditim që ka realizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Sipas KLSH, përgjatë viti 2021 dhe 2022, medikamentet kanë qenë vetëm në listën e rimbursimit, por jo në magazinat e spitaleve.
Sipas gjetjeve të raportit auditues “nga auditimi mbi shpenzimet e rimbursimit dhe konsumin e barnave për vitin 2021, konstatohet se ka 146 barna alternativa të para me konsum 0, nga të cilat 109 janë në rrjetin e hapur farmaceutik dhe 37 barna që tregtohen në farmacitë e spitaleve, si pasojë edhe e mungesave në treg, duke mos i mbuluar pacientët me barin e duhur, duke bërë të cenueshëm shëndetin e tyre”.
Ndonëse barnat kanë munguar, KLSH-ja sheh me shqetësim tejkalimin e shpenzimeve për rimbursimin e barnave, pasi është rritur konsumi për barna të tjera në librin e barnave të rimbursueshme, “çka tregon për mungesë menaxhimi efektiv të skemës së listës së barnave”.
Nisur nga numri i lartë i recetave që mjekët kanë lëshuar drejt farmacive të caktuara, KLSH sugjeron se mund të jemi në kushtet e orientimit të pacientit drejt subjekteve të veçanta.
“Evidentohet një tendencë ekzekutimi e recetave në nivel mjeku drejt farmacive të caktuarasipas një shpërndarje jo normale që tregon për mundësinë e lidhjes midis tyre”, – thuhet në raport.
Po ashtu, vihet re se hartimi i librit të barnave (LBR) të rimbursueshme, një proces i rëndësishëm me impakt të madh financiar dhe me ndjeshmëri të lartë publike nuk kryhet në çdo vit buxhetor, duke ecur kësisoj në mënyrë spontane. KLSH-ja thotë se nëse LBR-ja do të hartohej në vitin 2022, do ti kishte kursyer buxhetit të shtetit 114,3 milionë lekë.
“Referuar konsumit vjetor të këtyre barnave, rezulton se nëse do të ishte hartuar LBR në vitin 2022, nga futja e alternativave të reja minimalisht buxhetit të do t’i ishin kursyer rreth 939,384 Euro, ose 114.3 milion lekë, referuar kursit mesatar prej 121.7 lekë/euro të periudhës korrik-dhjetor 2021”,-thuhet në raportin auditues.
Ndërsa nga mospërditësimi i listës së barnave, 34 barna nuk janë konsumuar gjatë periudhës së auditimit.
Sipas KLSH-së në dy vitet e audituara 2021 dhe 2022 janë krijuar detyrime të prapambetura prej 3.512 milionë lek për të dyja vitet.
“Janë krijuar detyrime të prapambetura në rreth 1,029 milion lekë në vitin 2021 dhe rreth 727 milion lekë në vitin 2022, duke tejkaluar kufijtë e përcaktuar në ligjet e buxhetit të vitit specifik mbi tavanin e barnave të rimbursueshme”.
Pacientët kanë përfituar nga skema e rimbursimit edhe pasi kanë ndërruar jetë
Sipas raportit të KLSH-së, disa pacientë rezultojnë përfitues të rimbursimit të barnave edhe pasi kanë ndërruar jetë. Ndërkohë në këtë skemë janë përfshirë mjekë që plotësojnë receta dhe farmaci që i ekzekutojnë këto receta, edhe pse bëhet fjalë për persona që kanë ndërruar jetë. Për vitin 2021 dhe 2022 janë gjithsej 60 raste të rimbursimit të padrejtë.
“Testimi është kryer duke përfshirë të gjitha DRF-të që kanë rezultuar me raste për t’u verifikuar nga ku janë konstatuar gjenerim dhe rimbursim i padrejtë në 24 raste për vitin 2021, në vlerën 150,518 lekë dhe 36 raste për vitin 2022 në vlerën 221,843 lekë”,-thuhet në raport.
Sipas KLSH-së për kategorinë me rimbursim të pjesshëm dhe pensionistë janë gjeneruar dhe ekzekutuar më shumë se tre barna për recetë.
“Janë konstatuar raste kur për të njëjtin pacient ekzistojnë receta nga më shumë se një mjek dhe qendër shëndetësore përkatëse, duke vendosur në dyshim procesin e rimbursimit të këtyre recetave dhe ekzistencën e pacientit referuar regjistrit elektronik të të siguruarve”,- thuhet në raport.
Mungesë barnash
Clarithromycine 250 mg; Duphalac; Cellcept 250 mg janë disa nga barnat në mungesë gjatë periudhës së auditimit.
“Mungesat e këtyre barnave, kanë ndikuar në sasinë e konsumuar të tyre, numrin e recetave të rimbursuara dhe shumën e rimbursimit, dhe si rrjedhojë mund të sjellin ndikim në shëndetin e popullatës”, -thuhet në raport.
Sipas raportit, kjo ka sjellë ulje të sasisë së barnave të konsumuara, ulje të numrit të recetave me 14,343 receta, ulje të shumës së rimbursuar me 156,857,151 lekë.
“Peshën më të madhe në uljen e shumës së rimbursuar e ka pasur bari “Zytiga” me 123,377,098 lekë, i cili është raportuar si mungesë në mars të vitit 2022 dhe sipas deklarimit të firmës, në lidhje me këtë bar është tërhequr licenca. 296 pacientë më pak kanë konsumuar këtë bar të rimbursuar”,-sqaron raporti.
The post KLSH: Shëndeti i pacientëve është cenuar nga mungesa e barnave appeared first on Citizens.al.